Turizmi malor, bukuri në vete

Me të nisur të ngrohjes së motit, të ngritjes së temperaturave që këto ditë kanë shënuar rekord për këtë periudhë kohore, njerëzit fillojnë dhe mendojnë se si dhe ku mund ta kishin kaluar një ditë, fundjavë apo edhe më shumë, që sadopak t’a përballojnë më lehtë vapën verore.
Destinacioni më i preferuar ku drejtohen vendasit dhe të huajt është bregdeti, i cili sivjet siç duket do të frekuentohet masivisht, pas një rikthimi në normalitet të turizmit në vend pas pandemisë globale.
Në fillim të këtij qershori, në disa plazhe të vendit, është vërejtur një frekuentim relativisht i madh i pushuesve vendas dhe të huaj, edhe pse disa pika plazhi janë ende në përgatitje e sipër të terrenit dhe të bizneseve për të çelur sezonin turistik, që të presin mysafirët të përgatitur dhe me shërbimet përkatëse.
Ndryshe nga dy vite më parë, ku plazhet e vendit ishin pothuajse të boshatisura si pasojë e masave kufizuese nga Covid-19, i cili i kishte sjellur një goditje të fortë edhe turizmit, sivjet situata fatmirësisht është rikthyer në normalitet dhe premton për një sezon të suksesshëm turistik.

Ndryshe nga dy vite më parë, ku plazhet e vendit, ishin pothuajse të boshatisura si pasojë e masave kufizuese nga Covid-19, i cili i kishte sjellur një goditje të fortë edhe turizmit, sivjet situata fatmirësisht është rikthyer në normalitet dhe premton për një sezon të suksesshëm turistik


Ndërkaq, përveç turizmit bregdetar, edhe turizmi malor është i admiruar nga shumëkush.
Bukuritë natyrore, peizazhet e shumta, ajri i pastër dhe i fresktët, lumenjtë, liqenet, burimet e shumta natyrore, ushqimet tradicionale që ofrojnë vendet rurale, monumentet kulturore e historike, janë vetëm disa nga motivet që japin shkas për ta pëlqyer dhe dashur turizmin malor.
Këtë fakt e dëshmon edhe shtimi nga viti në vit i turistëvë të huaj të cilët përgjatë muajve të verës mund t’i takosh në çdo lokacion që shquhet për turizmin malor, të cilët në mënyrë të organizuar shijojnë gjithçka që ky lloj turizmi ofron.
Në këtë kuadër, edhe turizmi malor këtë vit jep shpresë se do të zgjojë interesim nga shumë turistë të huaj por edhe nga vendasit.
Po të nisesh në ndonjë destinacion që të çon në viset rurale të njohura për turizmin malor, mund të vëresh shtim të qarkullimit rrugor nëpër pikat doganore.
Këtë të diel, më 5 qershor teksa bëra një udhëtim të shkurtër, por të këndshëm drejt verilindjes së vendit, në Guci, rrugës së re nga pika doganore Dinoshë – Cemi i Trieshit – Grabom, hasa në një qarkullim të shtuar dhe pritje të radhëve të gjata në pikat kufitare.
Me të kaluar në tokën shqiptare, në Tamarë, e më pas nëpër fshatrat Selcë – Lepushë e Vërmosh, takoje aty-këtu grupe të shumta turistësh, sidomos të huaj të cilët shijonin turizmin malor nëpërmjet formave të ndryshme.
Disa teksa po ecnin e vraponin rrugëve malore, të tjerë duke ngasur biçikletat dhe motorët, e ca të tjerë ishin ndalur dhe akomoduar me veturat e tyre në vise të ndryshme pranë rrugës, ku pushonin, hanin, pinin dhe shijonin freskinë e rrallë të asaj natyre magjepsëse dhe unike.

Përveç turizmit bregdetar, edhe turizmi malor është i admiruar nga shumëkush.
Bukuritë natyrore, peizazhet e shumta, ajri i pastër dhe i freskët, lumenjtë, liqenet, burimet e shumta natyrore, ushqimet tradicionale që ofrojnë vendet rurale, monumentet kulturore e historike, janë vetëm disa nga motivet që japin shkas për ta pëlqyer dhe dashur turizmin malor


Me të mbërritur në Guci, në atë vend ku aq hijeshëm ndërthuren bukuritë natyrore me ajrin e freskët, vizita ishte edhe më e këndshme, sepse edhe aty të pushtonte një ndjenjë kënaqësie dhe rehatie e papërshkrueshme.
Entuziazmi u shtua edhe më shumë teksa u ndala për disa minuta tek Krojet e Ali Pashë Gucisë, një vend piktoresk, me peizazhe të rralla që çdo vend do t’ia kishte lakmi.
Aty sikur unë, kishte edhe shumë turistë të ardhur nga shtete të ndryshme të Evropës, të cilët shijonin qëndrimin pranë atyre burimeve (krojeve), livadheve të gjelbëruara e freskisë që pak kund mund t’i gjesh.
Megjithatë, për ta bërë turizmin malor më të njohur dhe më tërheqës, kërkohen kushte dhe investime të duhura. Po të shikosh, ajo që binte menjëherë në sy për të keq, ishte infrastruktura rrugore në një gjendje të amortizuar, pasi shumë rrugë që përshkoje, ishin të pushtuara nga gropat.
Edhe rruga që të çonte tek lokacioni më i njohur turistik i vendit, Krojet e Ali Pashës, ishte e mbushur përplot me gropa, e dëmtuar si mos më keq dhe të linte përshtypjen sikur në të nuk është vënë dorë prej shumë vitesh.
U largova nga Gucia me shpresë që në vizitën e radhës vendi do të jetë më tërheqës për çdo vizitorë i cili dëshiron të pushojë ndonjë ditë në këtë pjesë të Alpeve shqiptare.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat