
Që në fëmijërinë e hershme informatat e para për shpellat i merrja duke lexuar librat “Shpella e Piratëve” apo “Udhëtim në qendër të tokës”. Për shpella nga shkolla kishim informatat për Shpellën e Gadimës, atë të Postojnës por edhe të Altamirës, pëshpërisnim për Shpellën e Dragobisë si dhe atë të Azem Galicës.
Shpellat janë zgavra apo hapësira natyrore më të mëdha se 5m, të krijuara nga vetë natyra. Ato mund të jenë formash dhe madhësishë të ndryshme. Me koridore, galeri dhe dekore të krijuara nga natyra në formë të stalagmiteve (nga toka lart) dhe stalagtiteve (nga tavani teposhtë). Shpellat mund të jenë të banueshme nga kafshë të egra, por edhe nga shpendë të ndryshëm si lakuriqi i natës, pëllumbat etj. Në parahistori shpellat kanë qenë vendbanime të njerëzve të parë, andaj në muret e tyre mund të gjejmë edhe krijimet e para artistike të njerëzve primitivë.
Speleologjia ose shkenca mbi shpellat me të drejtë mbanë këtë emër, sepse hulumtimi i shpellave paraqet një sfidë dhe kërkon jo vetëm shkathtësi alpine por edhe njohuri të biologjisë, gjeologjisë, kimisë, meteorologjisë, hartografisë si dhe kërkon analizë dhe përcjelljen e rrugëve dhe ujërave nëntokësore.
Më e mira që ofron speleologjia është fakti që kjo është një disciplinë shkencore-sportive. Kërkon përgatitje fizike, psikofizike dhe shkathtësi alpiniste për shkak të sfidave që paraqiten gjatë hulumtimit të shpellave.
Autori i këtyre rreshtave gjatë periudhës 2021-2022 vetëm në territorin e Ulqinit ka hyrë në gjashtë shpella të vogla, të mesme dhe të mëdha. Prej tyre një në Ulqin (qytet) dhe pesë të tjera në rajonin e Shasit. Shasi ka një territor shkëmbor dhe sipas Dr. Maksut Haxhibrahimit, në këtë trevë ai ka arritur të evidentojë dymbëdhjetë shpella . Po i numrojmë: Shpella Dikë, Shpella e Hallmanes, Shpella e Pëllumbave, Shpella e Linates, Shpella Shqits, Shpella e Gjakut, Shpella e Kazanit, Shpella e Mark Dushit, Shpella e Grops Arre, Shpella Plakë, Shpella e Lares, Shpella e Kuqe. E përmend edhe Shpellën e Dushes, por mund të jetë e njejta si ajo që quhet e Mark Dushit.
Në Ulqin: Shpella e Kalasë, shpella nën Fner, Shpella e Qelbët, Shpella e Pllumave (te Punta e trashë). Po sipas të dhënave që na sjell Dr. Maksut Haxhibrahimi, numërojmë gjithsej 42 shpella të shpërndara në Komunën e Ulqinit. Ato me siguri se në numër mund të jenë edhe më shumë, mirëpo sipas informacioneve të mbledhura dhe konsultës së literaturës, që kemi arritur të evidentojmë.
Shpella e Madhe e Kalasë gjendet nën bedenet e Kalasë së Ulqinit në vendin e quajtur Molja e Madhe. Hyrja në këtë shpellë është e lehtë, pasi që harku hyrës është mjaft i madh. Vërehen mbeturina të mëdha para hyrjes dhe pas një ecje prej 6-7 metrash, arrin në një pikë të re hyrëse e cila dikur ka ndarë shpellen në dy galeri e që pastaj në fund do të jenë bashuar. Për këtë shpellë, banorët e Kalasë thonin se diku lart ke shtëpitë e Nimanbegëve hynin pulat dhe dilnin këtu poshtë. Sapo u futëm në 10 metrat e para, terri ishte mjaft i madh kështu që u detyruam që të ndezim llambat për ndriçim. Tavani i shpellës ishte mjaft i lartë dhe duke ditur efektin e hapësirës së mbyllur, pika më e lartë duhej të ishte diku 15-20 m. Atë çka mundëm të vërejmë në hyrje për shkak të ujrave që kullonin nëpër shkëmbinj ose për shkak të dridhjeve të tokës, ishin shkëputje të mëdha të copave shkëmbore nga tavani e që paraqisnin një rrezik potencial për një të ardhme të afërme. Duke dashur që të vërtetojmë a ka qarkullim ajri, pasi që ndezëm letrën e gazetës ajo vetëm u fik në vend, duke na bërë me dije se brenda kësaj shpelle nuk ka rrymim ajri. Meqenëse jashtë ishte mjaft ftohtë, sapo u futëm brenda, xhamat e syzeve menjëherë u avulluan duke na e bërë me dije ndryshimin e temperaturës, që aty brenda ishte përafërsish 15°C. Ecëm nëpër terrin e shpellës për nja 30-40 m, derisa arritëm në pikën përfundimtare shkëmbore. Ajo që më bëri përshtypje ishte se në fund të shpellës kishte gurë të lëmuar si dëshmi se dikur uji është futur pa pengesë në brendësinë e kësaj shpelle. Duke sjellë në mendje fjalët e Pavle Mijoviqit se anijet e vogla ulqinake me shpejtësi iknin dhe strehohesin në shpellën poshtë kalasë, shumë dëshiroj të jetë e vërtetë, por që sot nuk ishte e mundur të gjenim këtë shteg shpellor sepse ishte i bllokuar nga të gjitha anët. Në ekspeditën time në Shpellën e Madhe të Kalasë, më shoqëroi Muhamed Kollari i cili gjithmonë është i gatshëm për aventura ambientaliste.
Shpella Plakë – Shas – Në janar të vitit 2021 gjatë një ekspedite ambientaliste në Shas me miqtë e mi Amir Taganin, Muho Dushkun dhe Shefqet Lucën, pasi që vizituam disa pika më interesante të Shasit, mbërritëm në një vend që dukej se do të ishte interesant. Morëm krahun e djathtë dhe mes shkurreve u futëm në një luginë ku të bënte përshtypje se po futesh brenda një kalaje. Por, jo. Brenda kësaj shtrehoreje natyrore, pranë një lisi të vjetër me plot myshqe e kërpudha, u shfaq një hyrje shkëmbore. Miqtë tregojnë se kjo shpellë quhet Shpella Plakë. Së pari lirohemi nga çanta dhe gjërat e tjera përcjellëse që kishim marrë me vete, dhe unë nxora metrin dhe fillova të bëj matjet që mendoj se janë të vlefshme. Hyrja e kësaj shpelle kishte dy volta. E para kishte një lartësi prej 1,1 m kurse ajo e dyta 2 m. Diametri hyrës ishte 5 m, kurse deri në pjesën e fundit të murit kishte 5 m. Në qendër, tavani shkonte në lartësi deri në 7 m. Muret në brendësi ishin të lëmuara, natyrale, dhe nuk vërejtëm ndonjë shenjë jete brenda kësaj shpelle, as të shpendëve të ndryshëm e as të ndonjë kafshe. Sipas asaj që pamë në vend, dukej se deri vonë ishte shfrytëzuar për strehimin e bagëtive të ndryshme.
Shpella në Groparrëz – Unë e pranoj që nuk jam një speleolog, por përveç dëshirës së madhe as mjetet themelore për të hyrë në një shpellë nuk i kam. Futja në këtë shpellë na la pa fjalë si mua ashtu edhe mikun tim Muho Dushkun, sepse nuk prisnim që të ishte e përmasave të tilla. Në fillim hyrja shumë e vogël porsi zgavër ku u desht që të zvarritemi disa metra, e pastaj para nesh shfaqet volta e parë hyrëse drejt galerisë së parë të madhe. Kjo galeri ishte shumë e madhe dhe prej lart shihej një stalagtit me diametër një metër, por që fundi ishte i thyer nga ndikimi i kushteve të ndryshme natyrore. Duke qenë se kjo shpellë një kohë të gjatë nuk është ditur se ku ndodhej, dhe vetëm falë rastësisë u gjet hyrja përsëri. Me gjithë krenari them se unë dhe Muho ishim të parët që kemi hyrë brenda saj kush e di se pas sa kohe. Ne duke mos qenë të vetëdijshëm për madhësinë, me vete kishim vetem nga një llambë dore të vogël dhe telefonat celular,ë me çka bëmë edhe fotografitë. Galeria e parë e madhe nga dyshemeja e deri në pikën më të lartë të tavanit i kishte afro 15 m. Në gjysmën e galerisë, në anën e majtë vërehej një korridor që çonte më në brendi të shpellës, kurse në anën e djathtë gjithashtu kishte dalje tjetër, por ne së pari vendosëm të eksplorojmë anën e majtë. Stalagmite e stalagtite përplot, të vogël, të mëdhenj, identifikova dy pak më brenda, të cilët ishin gati të bashkohen dhe unë menjëherë i quajta Romeo dhe Gjulieta. Korridori i anës së majtë çonte në brendësi të shpellës, dhe ne ashtu në mënyrë primitive ia arritëm që të ulemi në nivel diku 30 m. Korridori vazhdonte ende teposhtë, mirëpo ne duke qenë të vetëdijshëm se nuk kemi pajisje, vendosëm të ndalojmë në atë pikë pasi që ndriçimin nuk e kishim adekuat dhe toka ishte e rrëshqitshme. Atëherë morëm një gurë dhe e hodhëm teposhtë, duke dëgjuar rënien e tij edhe nja 20 m të tjera. Duke u ngjitur lart, ngadalë bëmë fotografi të dekoreve të shpellës që ishin shumë mbresëlënëse. Arritëm në galerinë kryesore dhe u drejtuam anës së djathtë. Aty ishte një galeri tjetër a madhe, në mesin e së cilës ishte një stalagmit i cili i gjasonte atij të gjetur në Shpellën Nakanovo në Kroaci, e që arkeologët atje kishin arritur që të gjejnë edhe copa qeramike ilire me çka vërtetonin se ajo shpellë atje kishte shërbyer për qëllime rituali. Edhe unë mundohesha të gjeja ndonjë gjë por pa mjete dhe me sy të lirë nuk mundëm të vërejmë asgjë që të na e tërheqte vëmendjen. Vetëm kollitja e parë na e bëri me dije se ajri në shpellë ishte rralluar kështu vendosëm që të dalim. Bëmë edhe disa fotografi për kujtim dhe kjo ishte me të vërtetë diçka që kurrë nuk e kisha pritur. Kur dolëm jashtë, koha kishte fluturuar dhe miqtë tanë që na prisnin ishin brengosur shumë. Ne të dy nën presionin e përshtypjeve super pozitive, vendosëm që këtë zbulim të mos e bëjmë publik për shkak të atyre njerëzve të papërgjegjshëm që kush e di se çka do të mund të bënin aty.
Në ekspeditat e mëvonshme kam hyrë edhe në Shpellën Dik dhe në dy shpella të tjera, por përshtypjet më shumë ishin thjeshtë pushtuese se sa impresionuese. Në gjithë Komunën e Ulqinit gjithsejt janë të identifikuara 42 shpella dhe deri te ky numër vijmë falë angazhimit të Dr. Maksut Haxhibrahimit i cili i ka mbledhur këto speleonime, unë në terren vizitova gjashtë prej tyre.