Salçi i Kolë Idromenos

Se në Ulqin mund të shohësh e të vizitosh shumë gjëra interesante kjo nuk vihet në dyshim, vetëm duhet me pasë kohë, vullnet të mirë dhe dëshirë për eksplorim

1 maji i këtij viti (2021) Ulqinin e gjeti të stërmbushur me turistë të cilët pas një viti të vështirë shkaktuar nga pandemia erdhën në gjirin e qytetit më të bukur dhe më të sigurt të Adriatikut. Rrugët gumëzhonin nga turistët sikur të ishin bletë, kurse tollovia e shkaktuar ishte aq e këndshme dhe vërehej se i kishte munguar këtij qyteti. Por, këtë ditë unë dhe miku im Sami Flamuri vendosëm që të dalim për të në një vend të veçantë dhe jo shumë larg Ulqinit.
Në prapavinë e Ulqinit gjendet Mali i Mozhurit (622m) dhe mu aty në pjesën jugore të tij në lartësinë prej 550m shtrihet një fshat piktoresk me emrin Salç. Pozita gjeografike të jep ndjenjën se gjendesh në një ballkon ku ke mundësi ta shohësh gjithë qytetin e Ulqinit si në pëllëmbë të dorës. Ndoshta dikush do mendonte se është shumë larg, por jo, është vetëm 7km nga qendra e qytetit dhe përmes një rruge të asfaltuar për vetëm 10 min arrin deri te kisha e fshatit e që dikur ka qenë qendra e tij.
Por, çka e bën të veçantë Salçin? Burimet e shumta të ujit cilësor janë ato që Salçin e dallojnë nga vendet tjera. Sipas prof.dr. Maksut Haxhibrahimit, këtu identifikojmë 13 burime të cilat së bashku formojnë përrosken e Braticës që dikur moti, siç na tregonte i ndjeri dr.Simë Dobreci, nga fuqia e këtij uji përgjatë rrjedhës së përroskes kanë punuar 15 mullinj për bluarje. Katër mullinjtë e fundit kanë punuar deri në vitin 1979 kur edhe shkatërrohen nga tërmeti i atij viti. Sipas banorëve lokal, në vendin e quajtur Meshkallë, dikur ka qenë një burim aq i madh saqë fshatarëve shpeshherë ka ditë t’u bëjë dëme të konsiderueshme, andaj ata vendosin t’ia zvogëlojnë shtypjen e rrjedhjes së ujit. Këtë e arrijnë duke vendosur shtëllunga leshi dhe kështu burimi vihet nën kontroll.
Për Samiun ishte kjo hera e parë që vizitonte Salçin por që fare mirë i kujtoheshin fotografitë që kishim bërë unë dhe vëllai i tij binjak Naimi vite më parë. Edhe pse rruga ishte e ngushtë dhe e asfaltuar, kalonim përmes një vegjetacioni të bujshëm dhe vërenim shtëpi të mbyllura që tregonin se aty me vite të tëra nuk kishte shkelë këmbë njeriu. Pas ngjitjes disa minutëshe arritëm në vendin që dikur simbolizonte qendrën e fshatit. Aty gjetëm gërmadhat e Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palin ku sipër portës kryesore gjendej pllaka me mbishkrim që na jepte të dhënat lidhur me të. Lexojmë në gjuhën latine: “E ndërtuar në vitin 1850 nga famullitari i kësaj kishe don Engjëlli dhe zbukuruar në vitin 1885 nga don Antoni”. Këtë kishë dikur e frekuentonin jo vetëm banorët e Salçit por edhe ata të fshatrave të afërm si Krytha e Ulqinit, Krruçi por edhe Kullomza. Lidhur me banorët e këtij vendi disa të dhëna interesante na i sjell studiuesi ulqinak dr.Nail Draga. Ai, përmes publikimit të një dokumenti të datës 5 mars të vitit 1919, nga ana e Komitetit të Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit (Poue le Comite de la Defense Nationale de Ulqini), nënshkruar nga kryetari Zejnel Gjyli, ofron të dhëna statistikore me interes për popullsinë dhe vendbanimet e Ulqinit. Sipas këtij dokumenti Salçi ka një shkollë në gjuhën shqipe, 32 shtëpi dhe 155 banorë të gjithë shqiptarë. Gjithashtu një e dhënë tjetër nga viti 1945 thotë se në shkollën e fshatit mësimin e kanë vijuar 135 nxënës. Kurse sot…
Dy të dhëna tjera interesante lidhur me Kishën e Salçit janë edhe këto se në këtë kishë nga viti 1966-1969 ka shërbyet Imzot Rrok Mirdita (1939-2015) Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri në vitin 2015 si dhe afreskat e kishës gjatë restaurimit të saj në vitin 1885 i ka punuar piktori i madh shqiptar Kolë Idromeno (1860-1939). Për t’i punuar afreskat e Kishës së Salçit, Kolë Idromenoja ka qëndruar pothuaj një vit në Ulqin dhe nga kjo periudhë sot në Galerinë Kombëtare në Tiranë gjendet një pikturë me motiv nga Ulqini e quajtur “Shkrepi i Ulqinit”. Për fat të keq afreskat nuk i kanë mbijetuar kohës dhe sot nuk e dimë se çfarë afreskash ishin të pikturuara brenda mureve të kësaj kishe.
Pasi që bëmë fotografimet e duhura rreth e rrotull kishës së rrënuar vazhduam rrugën këmbë për në vendin e afërt që quhet Sojmirë ku edhe ndodhet një burim uji shumë i mirë. Rrugës hasim kalimtarë të ndryshëm të cilët kishin dalë për të ecur, por kishte edhe asi që bënin piknik. Pas disa minutash ecje arritëm te Kroni i Sojmirës i cili kishte ujë të bollshëm dhe njëherit aty hasëm një nënë e cila ruante dhitë. Ishte kjo Prena nga Ljara por e martuar në Kullomzë. Kurreshtja ime lidhur me krojet më bën që ta pyes për emrat e krojeve që di. Ajo numëron disa (Kroni i Ballabanit, Kroni i Korpolatit, Kroni i Lukmarkut (ky krua dikur ka pasë emrin Kroni i Brahushit) që kryesisht gjendeshin në Kullomzë e që gjetja e tyre në terren është një përparësi shumë e madhe. Uji freskues i kronit të Sojmirës ishte mu ashtu siç është edhe emri SA I MIRË shumë freskues dhe nuk është çudi që edhe në periudhën e Perandorisë Osmane nga Salçi ishte vendosur ujësjellësi me tubacione të dheut të pjekur që ujin e merrte nga burimi dhe e dërgonte deri te muret e Kalasë së Ulqinit. Gjithashtu në vitet ’60 të shekullit të kaluar është ndërtuar ujësjellësi që merrte ujin nga Salçi për nevoja të qytetit të Ulqinit. Unë mendoj se kjo duhet të jetë edhe arsyeja kryesore e pakësmit të ujit rrjedhës të përroit të Braticës e që njëherit edhe ka shënuar fundin e funksionimit të mullinjëve për bluarje që gjendeshin në rrjedhën e kësaj përroske.
Natyra e Salçit është shumë e pasur me vegjetacion. Këtu hasim në ullinj qindravjeçar, fiq të llojeve të ndryshme, lloj-lloj agrumesh por ata pak vendas që kanë mbetur aty krenohen me një lloj hardhie rrushi që e quajnë Zadrimore e që prodhon verë shumë cilësore. Me Samiun përshkuam këmbë rrugën prej kishës së Salçit e deri në majën e Mozhurit ku gjenden antenat dhe kjo rrugë quhet Rruga e malit. Pamja nuk mund të përshkruhet me fjalë. Gjatë kthimit bëmë fotografi të disa bimëve të rralla e më e veçanta ishte një bimë shëruese me emrin Asphodeline lutea lat. (King’s spear ang., Zhuta zlatoglavica serb.) kurse me rastin e publikimit të fotografisë në rrjetet sociale në ndihmë na vjen miku ynë ambientalisti Xhelal Muja i cili na tregon se vendasit këtë bimë në gjuhën shqipe e quajnë PIÇIRUK. Rrënjët e kësaj bime e cila rritet deri në 120cm janë shumë të trasha dhe mund t’i konsumojmë si ushqim, sepse janë të pasura me vitamin C. Grekët e vjetër i kanë pjekur sikurse ne që sot pjekim patatet me vaj e kripë dhe pastaj i shtonin fiq të cilat së bashku i shtypnin dhe bënin pure.
Salçi goditjen përfundimtare e merr në vitin 1979 atëherë kur tërmeti i atij viti për pak sekonda shkatërroi çdo gjë. Rinia u shpërngul, shtëpitë u shkatërruan, krojeve iu prish damari i ujit dhe sillnin më pakë ujë. Kjo bëri që sot Salçi është duke jetuar me atomet e tij të fundit, por me asfaltimin e rrugës në vitin 2005 një shpresë iu dha prapë, sepse ky vend i ka mundësitë e përkryera për të zhvilluar eko-turizmin si dhe të bëhen shtigjet për bjeshkatarë, sepse ecja prej Ulqinit-Krythë e Ulqinit-Salç-Kullomzë është një shetitje shumë e mirë dhe duhet shfrytëzuar.
Teksti dhe fotografitë:

Gazmend Çitaku

Të fundit

më të lexuarat