Rruga për në Mekë

Pikërisht libri i Muhammad Assad “Rruga për në Mekë” më nxiti dhe mua t’ju rrëfej udhëtimin tim me bashkëshorten Nusreten, mu për në Mekë, si pjesë e një grupi të organizuar me komshiun tim, efendi Suad Ukoshatën, nga 18 deri më 29 prill të këtij viti

Sami Flamuri

Në vitin 2006, kur isha me punë në kryeqytetin e Australisë, Canberra, në librarinë qendrore të saj më ra në dorë një libër me titull tërheqës “The Road to Mecca” (Rruga për në Mekë) nga i ndjeri Muhammad Assad.
“Rruga për në Mekë” tani çuditërisht është pak i njohur, por mbetet një nga tregimet më të mëdha të shekullit të njëzetë mbi transformimin shpirtëror. Në asnjë mënyrë nuk është një histori e plotë e jetës së Asadit. Ai mbulon vetëm vitet që ai kaloi në Arabi si i ri, konkretisht një udhëtim 23-ditor në Mekë në verën e vitit 1932. Shumë më tepër se një udhëtim apo kujtim, gjatë rrugës Asadi rrëfen historinë e tërheqjes së tij fillestare ndaj Islamit dhe “martesës” së tij përfundimtare me besimin. Bukuria e shkrimit të tij bën që pak lexues të largohen nga ky libër pa një perceptim të ndryshuar për fenë, gjë që ishte edhe qëllimi i shkrimit të tij.

Drejt fundit të vitit të 6-të të “hixhrit”, që në shqip domethënë “një shkëputje e lidhjeve farefisnore”, profeti vendosi që me ndjekësit e vet të ndërmarrë pelegrinazhin më të vogël apo “vizitën e devotshme” (Umrah) për në Mekë, edhe pse për gati gjashtë vjet kishte pasur një gjendje lufte pak a shumë të përhershme midis komunitetit mysliman në Medine dhe oligarkisë pagane të Mekës


Pasi që Muhamed Assad bëri një ndër përkthimet më të mira dhe më të ndritura të Kur’anit famëlartë, nuk është rastësi se si rruga e tij për në Mekë më bëri përshtypje kur mësojmë se ai lindi me emrin Leopold Weiss, si një çifut i Evropës Qendrore, i cili u konvertua në islam në moshën 26-vjeçare dhe në fakt ia ktheu shpinën kulturës perëndimore.
Shpresoj që të kem ndonjë rast tjetër që më gjerësisht t’i qasem jetës dhe veprës së Assadit, por le të jetë ky shkrim një nxitje që të lexohet vepra e tij, sidomos pse u konvertua në islam.


Pikërisht libri i tij “Rruga për në Mekë” më nxiti dhe mua t’ju rrëfej udhëtimin tim me bashkëshorten Nusreten, mu për në Mekë, si pjesë e një grupi të organizuar me komshiun tim, efendi Suad Ukoshatën, nga 18 deri më 29 prill të këtij viti.
Para se të bëj përshkrimin e këtij udhëtimi, po jap disa të dhëna mbi qëllimin dhe historikun e Umrah si udhëtim fetar.
Drejt fundit të vitit të 6-të të “hixhrit”, që në shqip domethënë “një shkëputje e lidhjeve farefisnore”, profeti vendosi që me ndjekësit e vet të ndërmarrë pelegrinazhin më të vogël apo “vizitën e devotshme” (Umrah) për në Mekë, edhe pse për gati gjashtë vjet kishte pasur një gjendje lufte pak a shumë të përhershme midis komunitetit mysliman në Medine dhe oligarkisë pagane të Mekës. Muaji i Dhu ‘ l-Qadah (posedues ose pronar i vendit të ndenjës), kur ai synonte të arrinte në Mekë, ishte një nga katër “muajt e shenjtë”, gjatë të cilit, në përputhje me zakonet e respektuara të kohës arabe, të gjitha luftërat ishin të paligjshme, veçanërisht në “vendin e shenjtë”.
Një thirrje iu bë disa prej fiseve aleate beduine (banorë të shkretëtirës) në afërsi të Medines që t’i bashkoheshin Profetit në këtë pelegrinazh, por shumica e tyre u justifikuan me pretekstin e paqenë se gjoja i kanë familjet mbrapa. Kështu që grupi i ithtarëve të Profetit që u nis për Mekë përbëhej nga vetëm 1400-1500 burra, të gjithë të veshur me petkun e haxhit (ihrām) dhe përveç shpatave të mbështjella, ishin të parmatosur.
Pasi mësuan për idenë e Profetit dhe qasjen e tij, banorët e Mekës në kundërshtim me traditën arabe vendosën të pengojnë hyrjen e pelegrinëve me forcën e armëve. Një forcë prej dyqind kalorësish, nën komandën e Khālid ibn al Walīd (i cili ishte i destinuar të përqafonte islamin më pak se dy vjet më vonë) u dërgua për të përgjuar ndjekësit e Profetit Muhamed, ndërsa mijëra njerëz të armatosur rëndë i zunë pozicionet rreth Mekës. Meqenëse Profeti nuk ishte as i prirë dhe as në pozitë për të luftuar, në perëndim të Bīr Usfān (një vend rreth një ditë udhëtim nga Meka), ku zbriti në fushën e Al-Hudejbijes, ai me pasuesit e tij qëndruan për disa ditë. Mu aty filluan negociatat ndërmjet myslimanëve dhe oligarkisë së Mekës.

Armëpushimi i Hudejbijes do të provonte rëndësinë më të madhe për të ardhmen e islamit. Për herë të parë në gjashtë vjet u vendosën marrëdhënie paqësore ndërmjet Mekës dhe Medinës, duke hapur kështu rrugën për depërtimin e ideve islame në kështjellën e paganizmit arab


Pas disa diskutimeve paraprake, të kryera nga emisarë të ndryshëm të të dyja palëve, Profeti dërgoi Uthmān ibn Affān (i cili i përkiste fisit më me ndikim të Mekës) si të përzgjedhurin e tij. Menjëherë pas mbërritjes së Uthmanit në Mekë, një thashetheme filloi të qarkullonte – se ai gjoja ishte vrarë në kampin mysliman të Hudejbijes.
Pastaj Profeti, duke pritur një sulm të pabesë nga mekasit, mblodhi pasuesit e tij dhe i ulur nën një pemë (mimozë e egër), ku me një entuziazëm të paparë u mor zotimi nga secili prej ithtarëve të tij se do të qëndronin të palëkundur dhe do të luftonin deri në vdekje. Betimi që u mor atë ditë do të njihej në historinë islame si ”Bai at ar-Ridvan” (zotim për të fituar kënaqësinë e Zotit Një).
Kur disa ditë më vonë thashethemet për vdekjen e Uthmanit rezultuan të rreme dhe ai vetë u kthye në Hudejbije, u bë e qartë se mekasit ishin të përgatitur të lidhnin armëpushim. U hartua një traktat që përcaktonte, midis dispozitave të tjera, se të gjitha luftërat midis Mekës dhe Medines duhen të pezullohen për dhjetë vjet dhe që Profeti dhe pasuesit e tij të përmbahen nga hyrja në Mekë atë vit, por këtë do ta bënin vitin e ardhshëm.
Pejgamberi Muhamedi a.s. gjithashtu ra dakord që nëse një i mitur nga Meka, ose ndonjë person tjetër nën kujdestari duhet të kalonte te myslimanët pa lejen e kujdestarit të tij, ai do t’i kthehej këtij të fundit; por nëse ndonjë ndjekës i Profetit, qoftë i mitur apo i moshës madhore, shkonte te kurejshët me vullnetin e tyre të lirë, ai apo ajo nuk do të kthehej.
Megjithëse ky kusht i fundit dukej në shikim të parë si i pafavorshëm për myslimanët, është e qartë se Profeti u pajtua me të në zbatim të parimit që: “Nuk do të ketë asnjë shtrëngim (kushtëzim) në çështjen e besimit”(2:256).
Armëpushimi i Hudejbijes do të provonte rëndësinë më të madhe për të ardhmen e islamit. Për herë të parë në gjashtë vjet u vendosën marrëdhënie paqësore ndërmjet Mekës dhe Medinës, duke hapur kështu rrugën për depërtimin e ideve islame në kështjellën e paganizmit arab.
Mekasit që patën rastin të vizitonin kampin mysliman në Hudejbije, u kthyen të impresionuar thellë nga shpirti dhe uniteti i ndjekësve të Muhamedit dhe shumë prej tyre filluan të lëkunden në armiqësinë e tyre ndaj besimit të predikuar prej tij. Sapo lufta e përhershme mori fund dhe njerëzit e të dyja palëve mund të takoheshin lirisht, të konvertuarit e rinj u mblodhën rreth Profetit, fillimisht në dhjetëra, pastaj në qindra, më vonë në mijëra, aq sa kurejshit paganë e thyen armëpushimin.
Dy vite pas përfundimit të tij, Profeti mundi dhe pushtoi Mekën, pothuajse pa kundërshtim.
Kështu, në fakt, nëse jo në dukje, Armëpushimi i Hudejbijes çoi në fitoren morale dhe politike të islamit mbi të gjithë Arabinë.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat