Rikonstruksioni i rrugës së re, shpresë për perspekiva të reja

Fatmirësisht, rikonstruksioni i aksit rrugor me gjatësi prej 17.3 kilometrash që filloi të punohet nga muaji korrik i vitit 2019, me vlerë prej 11 milionë euro, edhe pse me vonesë dhe zvarritje prej vitesh, do të lehtësojë dukshëm qarkullimin, jo vetëm për banorët e zonave që gravitojnë përgjatë brigjeve të këtij lumi, por edhe për të gjithë vizitorët të cilët do ta ndajnë një pjesë të kohës për të zhvilluar ndonjë shëtitje apo ekspeditë një ose disa ditore, qoftë në Tërgajë apo në ndonjërën prej pikave pushuese të pjesës së epërme

Toni Ujkaj

Lumi Cem- një perlë e vërtetë natyrore jo vetëm për një komunë, shtet apo për ata që frymojnë përgjatë brigjeve të tij, por si i tillë është konsideruar edhe nga shumë studiues të huaj përgjatë vitesh, të cilët i kanë evidentuar dhe dokumentuar resurset e rëndësishme që përmban ky lumë, si pasurinë e biodiversitetit, shumëllojshmërinë e bimëve endemike, zogjtë e rrallë, etj, duke e konsideruar Cemin edhe si njërin ndër qendrat e biodiversitetit në Ballkan, me një natyrë të paprekur që është një pasuri të cilën e karakterizon këtë zonë që e përshkon lumi Cem.
Cemi admirohet veçanërisht gjatë stinës së verës, pasi historikisht banorët e Malësisë i kanë shfrytëzuar brigjet e këtij lumi si vendorganizim logjesh, për të pushuar, për të bërë plazh dhe për t’u takuar me njëri-tjetrin nëpër disa pika plazhore që i posedon ky lumë.

Bukuritë përrallore, uji i kristaltë dhe pamjet e rralla panoramike të këtij lumi unik, nuk të lënë mbresa vetëm gjatë stinës së verës, por gjatë cilësdo stinë, apo thënë ndryshe, kurdoherë që mund të të bien rasti të kalosh përbri rrjedhës së këtij lumi.
Lumi Cem në mënyrë që të ketë frekuentim më të madh, që të zgjojë interesimin e investitorëve eventual në aspektin e zhvillimit turistik, nga fshati Dinoshë e sipër, padyshim që në këtë drejtim rëndësi jetike ka infrastruktura e duhur rrugore, e cila deri më tani i ka munguar. Dhe kur dihet se rrugët janë ato që në shumicën e rasteve percaktojnë prespektivën e një vendi, atëherë s’do mend se edhe Lumi Cem në vazhdim do të tërheqë vëmendjen e atyre të cilët duan dhe shprehin gatishmëri të që nxisin turizmin në këtë zonë, që është aq i nevojshëm si për vendasit, ashtu edhe për vizitorët e huaj.
Fatmirësisht, rikonstruksioni i aksit rrugor me gjatësi prej 17.3 kilometrash që filloi të punohet nga muaji korrik i vitit 2019, me vlerë prej 11 milionë euro, edhe pse me vonësë dhe zvarritje prej vitesh, do të lehtësojë dukshëm qarkullimin, jo vetëm për banorët e zonave që gravitojnë përgjatë brigjeve të këtij lumi, por edhe për të gjithë vizitorët të cilët do ta ndajnë një pjesë të kohës për të zhvilluar ndonjë shetitje apo ekspeditë një ose disa ditore, qoftë në Tërgajë apo në ndonjërën prej pikave pushuese të pjesës së epërme.

Në të njëjtën kohë, ky aks rrugor, Dinoshë- Cemi i Trieshit që nëpërmjet Shqipërisë do të lidhë Plavë-Gucinë me kryeqytetin Podgoricë, do të reduktojë dukshëm distancën rrugore Podgoricë- Plavë-Guci dhe anasjelltas, dhe gjithashtu do të lehtësojë udhëtimin, pasi që nga një rrugë e ngushtë e gjarpërore siç ishte vite më parë, rruga po zgjerohet dhe modernizohet.
Se lugina e Lumit Cem kishte filluar të marrë një imazh tjetër panoramik, më tërheqës dhe më të admiruar për syrin e vizitorit, këtë e përjetova javën e kaluar teksa bëra një vizitë njëditore mu deri tek pika kufitare në Cemin e Trieshit, ku teksa udhëtoja poshtë maleve të larta të cilat bëheshin edhe më të bukura nga akujt e varur nga ngricat dhe temperaturat e ulëta, udhëtimi mu duk më i lehtë, më argëtues dhe më pak i lodhshëm, falë zgjerimit dhe asfaltimit të rrugës e cila ishte ende në ndërtim e sipër.
Punëtorët e ndërmarrjes përkatëse, punonin në vendosjen e rrjetave mbrojtëse me aq përkushtim saqë dukej sikur as të ftohtit dhe acari dimëror nuk ua kishte zbehur intensitetin e punës. Në çdo tre-katër kilometra kishte makineri të rënda dhe në punëtorë të cilët punonin në asfaltimin e rrugës dhe në vendosjen e anësoreve, por edhe në zgjërimin e atyre pjesëve ku ende ishin të paasfaltuara.
Pavarësisht se ishte hera e parë që këtë pjesë e vizitova gjatë sezonit të dimrit, dita u duk shumë e shkurtër dhe orët kaluan shumë shpejt, sepse vendet e shumta panoramike që vetëm natyra e kësaj ane t’i ofron, me gurgullimën e ujërave të lumit që të relaksojnë shpirtërisht, bën që Cemin ta pëlqesh edhe më shumë, kurdoherë e në çdo moment.
Në fund të ditës, afër muzgut të mbrëmjes u ktheva nga ato bukuri unike dhe të ralla natyrore, me shpresën se kjo pjesë do të zgjojë interesim për investime në zhvillimin e turizmit të kësaj zone, dhe se së shpejti do të përshkoj nëpër aksin e ri rrugor e të finalizuar, nëpër pikën e re të kalimit kufitar, për të vazhduar më pas nëpër territorin shqiptar drejt Plavës e Gucisë.

Të fundit

më të lexuarat