Lamtumirë Mekë, deri herën tjetër!

Rituali i Umrës ka disa rregulla, të cilat duhet ndjekur, sidomos veshja e pëlhurës së bardhë (ihramit), të cilën, edhe pse Suadi u mundua të na shpjegojë mjaft mirë se si vishet, mua më shkaktoi jo pak problem, por në fund ia dola disi… Ihrami është, në islam, një gjendje e shenjtë në të cilën duhet të hyjë një mysliman për të kryer pelegrinazhin e madh ose atë të vogël. Një haxhi duhet të hyjë në këtë gjendje përpara se të kalojë kufirin e pelegrinazhit, të njohur si Mīqāt (Mikat), duke kryer ritualet e pastrimit dhe duke veshur rrobat e përcaktuara të Ihramit.

Sami Flamuri

(vijon nga numri i kaluar)
Grupi nga Ulqini, edhe pse i vogël në numër, ishte i përzgjedhur, dhe së bashku me pjesën tjetër që vinin nga Tivari, Tuzi dhe Rozhaja përbëhej nga gjithsej 40 vetë. Përveç Suad ef. Ukoshatës, në grupin tonë bënin pjesë edhe komshiu im i nderuar Baro Karaminxhoja me gruan e tij Nexhin, motrat Shefika dhe Mirsada Gjokaj etj.
Dita e parë në qytetin e profetit – Medina, ishte diçka që vështirë mund ta përshkruash me fjalë. Vetë fakti se je gati në epiqendrën e besimit, aty ky gjendet edhe varri i Profetit Muhamed, të përulë në besim se je në tokën e shenjtë për ithtarët e besimit islam.
Xhamia e Profetit në Medinë (al-Masjid an-Nabawī) është tejet mbresëlënëse, përveç faktit se
kupolat rrëshqitëse dhe tendat si çadra, të projektuara nga arkitekti mysliman gjerman Mahmoud Bodo Rasch, përkatësisht firma e tij SL Rasch GmbH dhe Buro Happold.
Përveç kryerjes së ritualeve fetare, Medina si qytet ka mjaft çka të ofrojë edhe përtej të zakonshmes. Vlen të theksohet edhe vizita te ferma e deveve dhe pirja e qumështit të tyre me veti antibakteriale, që më befasoi me shijen e vet.
Pasi kaluam disa ditë të paharruara, i dhamë lamtumirën Medinës me keqardhje, sepse erdhi dita e nisjes për në Mekë!
Rituali i Umrës ka disa rregulla, të cilat duhet ndjekur, sidomos veshja e pëlhurës së bardhë (ihramit), të cilën, edhe pse Suadi u mundua të na shpjegojë mjaft mirë se si vishet, mua më shkaktoi jo pak problem, por në fund ia dola disi… Ihrami është, në islam, një gjendje e shenjtë në të cilën duhet të hyjë një mysliman për të kryer pelegrinazhin e madh ose atë të vogël. Një haxhi duhet të hyjë në këtë gjendje përpara se të kalojë kufirin e pelegrinazhit, të njohur si Mīqāt (Mikat), duke kryer ritualet e pastrimit dhe duke veshur rrobat e përcaktuara të Ihramit.
Paraqitja e Qabesë hyjnore, sidomos për ne që e shihnim për të parën herë, shkaktoi një gjendje jashtëtokësore!
A ka të bëjë kjo me pamjen e saj?
A ka të bëjë me rëndësinë e saj?
A ka të bëjë me tërë masën e popullit?
Mjafton të mos përgjigjem, sepse kur njeriu është në atë gjendje i ekzaltuar, s’ka si të mos i bindet krijuesit për dhuratën që jemi ku jemi, sidomos kur pranë meje kisha edhe njeriun e zemrës – Nusreten time nga Dinosha.
Kur mbaron ritualin e Umrës, edhe pse i lodhur, njeriu mbetet gjatë disi i hutuar nga ajo që përjeton në raport me Krijuesin tënd – Zotin. Uji i bekuar i Zamzamit (Zemzemit) ta mbulon etjen dhe ta rikthen fuqinë e humbur. Në mendje të vjen tradita islame (kapitulli 14 në Kur’an – “Historia e Ibrahimit”), sipas së cilës historia e pusit daton nga djali i vogël i Profetit Ibrahim (Abraham), Ismaili, i cili po qante nga etja, disa ditë pasi ishte lënë nga babai i tij në një shkretëtirë të zbrazët (Mekke), me nënën e tij Haxheren. Duke kërkuar ujë, ajo shkoi me vrap lart e zbriti shtatë herë kodrat e Safa dhe Merva (kjo është arsyeja pse sjellja rreth Qabesë shtatë herë është një ritual i rëndësishëm i Umrës dhe i Haxhit). Në këtë gjendje të trazuar, Ismaili i ri filloi të godiste tokën. Papritur, Haxherja vuri re që uji rridhte nga vendi që Ismaili po godiste me shkelma. Ajo mblodhi me kujdes pak ujë për vete dhe filloi t’ia jepte Ismailit. Uji që doli u bë i njohur si uji i bekuar i Zamzam (Zemzemit).
Vizitat vazhduan nën udhërrëfimin e Suadit, i cili ishte i palodhshëm edhe te mali i Arafatit, shpella e Hiras (ku edhe filloi shpallja e Kur’anit famëlart), kodra e shigjetave dhe vendvarrimi i Ḥamza ibn ʿAbd al-Muṭṭalib, i cili u vra në betejën e Uhudit, më 23 mars 625, kur ishte 57-59 vjeç.
Ai po qëndronte përballë Muhamedit, duke luftuar me dy shpata dhe më pas skllavi abisinian Wahshi ibn Harb, me premtimin e dorëzimit nga Hind bint Utba nëse do ta vriste Hamzën. Kjo ishte për t’u hakmarrë ndaj babait Utba ibn Rabi’a, të cilin Hamza e kishte vrarë në Bedër.
Hamzai, duke vrapuar përpara e mbrapa, u pengua dhe ra me shpinë dhe Wahshi tha: “Kush mund të hidhte një shtizë siç bëjnë abisinianët dhe rrallëherë e humbiste shenjën”; e hodhi atë në bark të Hamzës, duke e vrarë atë.
Kaq shumë histori në aq pak vend dhe kohë! Vlen të përmendi edhe shtëpinë ku lindi profeti i islamit, e shndërruar në një librari, e cila dukej se po rindërtohej, si e gjithë Meka, e shndërruar në një kantier të madh që dita-ditës po merr një pamje ndryshe! Rreth 95 për qind e ndërtesave mijëvjeçare janë shkatërruar, sidomos në dy dekadat e fundit. Mendimi im është se ky është një gabim dhe kjo trashëgimi, sidomos ajo e kohës osmane, nuk duhej të prekej me dorë, por përkundrazi të restaurohej sikurse edhe disa xhami në Medinë, si ato të Al-Musalla (Al-Ghamamah) dhe Abu Bakr Al Siddiq.
Përkundër faktit se Arabia Saudite është shkretëtirë, në afërsi të Mekës gjendet qyteti malor Taif, 1879 metra mbi lartësinë detare, me temperatura të ulëta dhe një mrekulli në vete me rrugën mahnitëse për të arritur deri atje. Ja dhe një histori pak ndryshe lidhur me atë se çfarë i ndodhi Profetit në Taif.
“Krerët e Taifit kishin një krenari të rreme, ishin mendjemëdhenj dhe arrogantë, dhe nuk donin as ta dëgjonin Muhamedin. Ata e përshëndetën atë me tallje dhe vunë mbi të përtacët dhe turmat e qytetit. Ata e goditën atë dhe Zejdin me copa dhe gurë. I plagosur dhe i mbuluar me gjak, Muhamedi doli me lëkundje nga Taifi”.
Çuditërisht, edhe pse kanë kaluar shumë shekuj nga kjo ngjarje e hidhur, ky popull ishte ende disi jo mikpritës ndaj të huajve! Këtë e përjetuam në lëkurën tone!
Disi me keqardhje udhëtimit tonë i erdhi fundi. Si çdo fillim, ai ka edhe mbarimin e vet që ne nuk donim të vinte kurrë, sepse takuam njerëz të mirë – plakun e urtë nga malet e Peshterit, Besimin, i cili me keqardhje pohonte se nuk flet shqip, porse të gjithë fshatrat përreth Tutinit ishin shqiptare, sot të asimiluara tërësisht. E njëjta histori ka ndodhur edhe me boshnjakëzimin e shqiptarëve të Rozhajës, të cilët ndonëse me gjenetikë u përkasin fiseve kelmendas dhe shkrel sot flasin vetëm gjuhën boshnjake (sllave).
Lamtumirë Mekë, deri herën tjetër! (Fund)

Të fundit

më të lexuarat