Vetëm 14 km nga Ulqini, gjendet një fshat interesant me emrin Klleznë. Këtë fshat shpesh më ka rastisë që ta vizitoj në periudha të ndryshme kohore dhe me interese të ndryshme. Herë për të vizituar Urën e Vjetër, e herë shtëpitë e vjetra që aty janë të shumta. Jo më pak mbresëlënës ka qenë edhe tuneli i cili kalonte nëpër shkëmb të gjallë. Kllezna gjendet në pjesën veriore të Komunës së Ulqinit. Kufizohet me fshatrat: Gorana e Vogël dhe e Madhe, Pelinku, Krytha, Katërkolla, Mali i Shasit, Fusha e Brisë, Bërdhela dhe Maja e Bërdheles.
Ky fshat pothuaj çdo gjë i ka nga dy apo më shumë. Psh përmes lumit (sheut) të Megurrës (Megjureçit) 21,9 km që buron nga shpatet e Malit të Kabetës (1424 m) dhe Megjureçit, ndahet në Klleznën e Epërme dhe të Poshtme. Këtu në një hapësirë të vogël kemi tri ura të ndërtuara në periudha të ndryshme kohore e që më interesantja është ajo më e vjetra që daton nga viti 1696. Ura e dytë 1954 dhe në fund më e reja nga viti 2020. Në Kllezën banorët janë shqiptarë të besimit islam dhe katolik të cilët jetojnë në harmoni të plotë dhe mirëkuptim. Në Kllezën gjenden dy kisha e një xhami.
Në njërën nga vizitat e mia shumë vite më parë së bashku me babanë tim të ndjerë, djalin Indritin dhe në shoqërinë e shkrimtarit Hajro Ulqinaku, vizituam Klleznën e Epërme dhe shtëpitë e vjetra sipër rrugës në anën e majtë. Ndjenja e prekjes së historisë për së afërmi ishte shumë emocionuese, sepse ato shtëpi tradicionale kishin vite e vite që ishin të mbyllura dhe koha kishte filluar të bëjë të veten, t’i shkatërronte ato. Në oborrin e njërës shtëpi ishte një veturë të cilën e kishte mbërthyer ndryshku. Po ashtu edhe mërgimi sikurse ai ndryshk kishte kapluar këto shtëpi dhe shumë shtëpi të tjera të këtij fshati, dhe kishte bërë që ato të mbesin të zbrazëta dhe ngadalë të shkatërroheshin nga dhëmbi i kohës. Kureshtja për arkitekturën tradicionale ishte e madhe. Mjeshtri tradicional kishte bërë punë të shkëlqyeshme duke shfrytëzuar dhe menduar në maksimum çdo detaj, sado i vogël apo i parëndësishëm që na duket ne. Shtëpitë e vjetra na mahnitën dhe asnjërin nga ne nuk e lanë indiferent, andaj për të përmbyllur përshtypjet në maksimum zbritëm deri te ura e vjetër prej guri e cila gjendej aty afër. Poshtë rrugës kryesore zbritëm për disa metra nëpër shkurre dhe u gjendem në Urën e Vjetër të Klleznës. U gjendem në urën historike, të cilën vetëm fati deshi që ta ruajë deri në ditët e sotme.
Kjo urë guri u ndërtua në vitin 1696 dhe ka këto dimensione: gjatësia 12 m, gjerësia 3.60 m, nga fundi i lumit lartësia 9.26 m dhe trashësia e gurëve te çelësi 80 cm. Pas përfundimit të punës, mjeshtri që ishte pajtuar për ta punuar kishte pasur fat tragjik dhe varri i tij sot gjendet në tokën e Beqo Rexhës, bri rruge, në afërsi të xhamisë. Kjo urë edhe pse monument i kategorisë së parë, deri më tani nuk e ka pasur kujdesin e duhur dhe vetëm në vitin 2021 u bë restaurimi i pjesshëm, sepse restaurimi i plotë do të nënkuptonte revitalizimin e plotë të urës dhe të komplet ambientit rreth e rrotull saj. I mbetet kohës të dëshmojë se a do të ketë fatin që kjo urë ta zë vendin e merituar në guidën e monumenteve kulturoro-historike që ia vlen të vizitohet.
E kujtoj një vizitë tjetër Klleznës, atë me mikun tim dhe të Ulqinit, Moikom Zeqon e ndjerë, i cili atëbotë në oborrin e Kishës së Shëngjonit identifikoi një varr mesjetar dhe në mes të përsiatjeve supozonte se shumë lehtë do të ishte e mundur që ky varr të ishte i Gjon Bdek Buzukut, sepse ai Mesharin e kishte shkruar diku në trekëndëshin Ulqin – Krajë – Tivar. Nëse mund të themi se historia përsëritet, atëherë duke ditur se shqipëruesi i Biblës është mu nga ky fshat, atëherë edhe mund të jetë e vërtetë.
Shtëpitë e vjetra gjenden edhe në pjesën e Klleznës së Poshtme dhe kureshtjen time më të madhe ma ngacmoi një shtëpi e cila në portën hyrëse të saj kishte të skalitura tri simbole: diellin, hënën dhe kryqin. Sipas Gjergj Noc Filipajt, nga shkrimi i Gjekë Gjonajt në “Buzuku” nr. 22, tregon se Klleznën sipas dokumenteve e hasim me emrin Kalezina, Kelezna dhe Kllezna. Ai gjithashtu tregon se ky vend mesiguri në të kaluarën do ta ketë pasur emrin Bria, sepse edhe sot hasim në këtë fshat shumë toponime me këtë emër si: Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Kroni i Brisë, Mulliri i Brisë etj.
Në të dyja Klleznat në vitin 1934 kanë jetuar 130 familje, kurse sot në vitin 2022 jetojnë 60-65 familje. Në janar 1945 hapet shkolla e parë në Kllezën. Mësues i kësaj shkolle ishte Gjon Janku. Nëpër vite numri i nxënësve ndryshon, kurse sot mësimin e vazhdojnë 3-4 nxënës, që do të thotë se edhe numri i banorëve ka rënë dukshëm. Edhe pse fshat i vogël, Kllezna ka nxjerrë nga gjiri i vet emra që kanë lënë gjurmë dhe me këtë rast po përmendim disa nga ata: Dom Simon Filipaj – shqipëruesi i Biblës në mënyrë integrale, Dom Rrok Mirdita – kryeipeshkëv i Tiranës-Durrësit, Mr. Bajram Rexha – personalitet i arsimit, Mr. Riza Rexha – historian etj.
Kllezna është e njohur edhe përmes luftës së zhvilluar këtu për mbrojtjen e Ulqinit. Kemi të bëjmë më datën 23 nëntor të vitit 1880 dhe luftën në mes të trupave mbrojtëse të Ulqinit të kryesuara nga Mehmet Gjyli, Mehmet Beci dhe Isuf Sokoli, kundër trupave osmane të kryesuara nga Dervish Pasha, të cilat erdhën që ta detyrojnë Ulqinin t’i dorëzohet Malit të Zi. Kjo luftë zgjati disa orë dhe pasi që formacionet osmane ishin super të armatosura, ato thyen rezistencën e mbrojtësve të Ulqinit dhe kështu ia dorëzuan Malit të Zi. Pra, më 23 nëntor 1880, Dervish Pasha ka hyrë në Ulqin dhe në momentin kur i drejtohet popullit të tubuar, nga turma del një femër dhe i drejtohet me këto fjalë: “Aman more Pashë, për hatër të Zotit, mos na shtjer në dorë të hasmit, ma mirë të na mbysësh, se sa të na lësh nën shqa!” Ishte kjo Sulltana Hafiz Cungu, e fisit Idrizaga dhe gruaja e Mehmet Cungut. Ulqini i dorëzohet Malit të Zi më 26 nëntor 1880.
Në vitin 1964 në kanjonin e Klleznës janë xhiruar disa sekuenca të filmit të njohur uestern “Winnetou”, film i cili atëbotë ishte shumë i suksesshëm, si dhe ka qenë filmi më shtrenjtë i xhiruar deri atëherë.
Disa toponime interesante nga Kllezna: Burgjet (shkëmbinj), Knetat, Firushat, Pavaret (mal), Bulcaret (ujëra), Kulla Begut, Shishtat (pjesë mali), Vija Skilifates (burim), Vorret e Varzave, Lam Gjenecet (vendi ku janë mbledhur pleqtë e fshatit), Kolhupet, Shpella në Shkallë Mushk, Vorrezat e Stërgjyshave, Rrahijet etj. Në Kllezën dikur kanë ekzistuar pesë mullinj: Mulliri i Shkalls, Mulliri i Gamarve, Mulliri i Begut, Mulliri i Dylit Sembimit dhe Mulliri i Shabanit. Numërojmë nëntë kroje: Kroni i Brisë, i Rraganit, i Gacit te Bulcaret, Kroni Fik, i Kalit te Luginat, Kroni Pocuk, i Skilifatës, i Hils dhe i Shasit. Shtatë shpella: e Ramadanit, e Lacanit, e Çobejve, e Grykave, e Mark Dushit, e Pllumave dhe Shpella në Shkallë Mushk. Gjashtë përrenj: Përroni Los, i Gorans, i Shkallbardha, i Arave t’Alis, Pusija dhe Sheu i Megurrës.
Kllezna edhe pse një fshat i vogël, ofron shumëçka për të parë e vizituar. Ka mundësi të mëdha për zhvillimin e agro-turizmit dhe turizmit malor. Teksti dhe foto: Gazmend Çitaku