Dy ditë në Prishtinë

Gani Karamanaga

U zgjuam herët. U nisëm për Prishtinë ku në Bibliotekën Kombëtare Universitare do të mbahej përurimi i monografisë time “Mjekët Shqiptarë nga Mali i Zi”.
Filloi “Rruga e Kombit”.
Farmacisti Naim Krymi, me prejardhje ulqinake, para disa viteve tha:
”Duke grahur veturën më dukej si të mos ishim në Shqipëri”.
Kaluam kufirin ndërmjet shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Vazhduam drejt, sipër Prizrenit. Duke iu afruar Prishtinës, trafiku u rrit, nuk kemi ecur shpejt.
Hyrja në Prishtinë, më lehtë se e mendova, kemi përcjellë shenjet e komunikacionit, ndihmonte edhe bashkëshortja. Në anën e djathtë doli hoteli “Grand”, simbol i qëndrueshmërisë së Kosovës, të cilin edhe serbët në kohën e luftës për pavarësi nuk mundën ta dëmtojnë.
Qendra e Prishtinës e ruajtur vetëm për këmbësorë.
“Popull i madh”- thoshte bashkëshortja.
Të rinj, të moshuar, lokalet dhe dyqanet në dy anët e bulevardit.
“Kam bindje, se jemi në një qendër të Evropës” – i fola Fitnetes. Ajo tha:
“Mu më përngjan më tepër si qendra e Zagrebit kur ishim atje para dhjetë vjetëve”.
Në Prishtinë kam qenë në vitin 2014 kur u themelua Oda e Mjekëve të Kosovës. Isha përfaqësuesi i mjekëve nga Mali i Zi (mjekët malazezë ende nuk kishin guxim të shkonin në Kosovë). Duke lënë anash emocionet se jemi përsëri në kryeqytetin e shtetit të dytë shqiptarë, vërejta se çdo gjë ishte më e rregullt, më e bukur se para disa viteve. Edhe të rinjtë e të moshuarit ishin më të veshur, më të kulturuar, fjalët e mira dhe mikpritëse në çdo vend.
Kosova ka luajtur një rol të posaçëm në shkollimin, edukimin dhe përgatitjen e kuadrove shqiptare nga Mali i Zi, pas viteve 1945 e këndej.
Në fillim të vitit shkollor 1949/50, një grup i madh i nxënësve nga Ulqini dhe Ana e Malit: Ruzhdi dhe Naxhije Alibegu, Hilmi Cungu, Ismet Lamoja, Hasan Gorana, Bahri Brisku, Kabil Veliaga, Mefit Hoxha, Daut Shurdha dhe të Anës së Malit: Fadil Taipi, Xhevdet e Sabri Hollaj etj. e morën “rrugën për kurbet”, u nisën për Kosovë, për t’u shkolluar, për t’u bërë mësues në Shkollën Normale, në Gjakovë e cila sa ishte hapur.
Normalja në Prishtinë – universitet i kohës
Në vitin shkollor 1953/54 Shkolla Normale, nga Gjakova transferohet në Prishtinë. Po këtë vit, në Normalen në Prishtinë, vijnë shumë të rinj të tjerë nga Ulqini, Ana e Malit, Malësia. Aty shkollohen: Shefki Karamanaga, Xhemajl Milla, Hilë Cuca, Ruzhdi Ushaku, Hajredin Pufja, Ali e Limone Llunji, Pjetër e Zef Mirdita, Shefqet Peku.
Në dekadën e tetë të shekullit XX, në Kala, Ismail Bushati disa ditë në mbrëmje organizon argëtim me muzikë popullore shqipe me këngëtarin Shaban Gjeka. Por, pas katër ditëve Ismailin e thërrasin në polici dhe e ndalojnë muzikën shqipe në Kala.
Vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX. Filloi ardhja masovike e turistëve nga Kosova. Ishte koha e fillimeve të demokracisë në Mal të Zi. Ardhja e turistëve nga Kosova përsëri zbulon resurset natyrore të Ulqinit, e ngritën ekonominë e vendit tonë.
Në ato vite të nëntëdhjeta, ishte gjallëri e madhe në Ulqin, ka pasur 30 lokale me argëtim dhe muzikë shqipe…
Në vitin 1999 politika serbomadhe shkaktoi eksodin e madh të shqiptarëve nga Kosova. Mali i Zi, posaçërisht Rozhaja dhe Ulqini, i hapën dyert e tyre, por pas tre muajve dashuria për vendlindje, trimëria, qëndrueshmëria e kosovarëve rezultoi rikthimin e tyre në Kosovë.
Filloi rindërtimi, ringjallja, ndihma ndërkombëtare.
Në ditën e përurimit të librit tim në Prishtinë, kalova në afërsi të bulevardit i cili kishte emrin e ish-Presidentit të Amerikës Bil Klinton. Ai, së bashku me ish-kryeministrin e Britanisë Madhe, Toni Bler, ishin nismëtarët kryesorë për ndalimin e agresionit ndaj Kosovës, dhe së bashku me popullin shqiptarë do ta arrijnë pavarësinë e Kosovës, shtetit të ri shqiptar në Siujdhesën e Ballkanit. Deri në vitin 1806 kjo është thirrur Siujdhesa Ilirike.
Duke përshëndetur të pranishmit në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, dr. Sarije Pofja – Doko, tha:
“Kam dëgjuar se dy shqiptarë është zor t’i bashkosh, por në këtë monografi, “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi, dr. Ganiu na bashkoi… Në një kapitull të librit janë Kosova e Shqipëria së bashku”.
Akademiku Isuf Dedushaj në fjalën e tij, u shpreh:
“Më vjen mirë si po ju shoh këtu, disa prej juve nuk i kam parë kaherë”.
“Profesor, mendojmë që ta kemi edhe një përurim në fund të gushtit në Plavë, se ka mjekë prej Plave, Gucisë në libër”, tha Faik Nika.
“Do të vijmë, edhe profesori Halil Ahmetaj edhe unë, na lajmëroni” – u përgjigj Isuf Dedushaj.
Në fjalën time përshëndetëse fillimisht u shpreha:
“… Ne Ju kemi dërguar disa emra siç janë: Ruzhdi Ushaku, Ali LLunji, Basri Çapriqi, Hajro Ulqinaku… Ne Ju kemi dhënë edhe kryeministrin Albin Kurti”.Vazhdova:
“ Në vitin 2008 në Durrës në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Mojsiu”ishte përurimi i librit timë të parë “Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit”. Atë përurim mundem me e krahazue me këtë të cilin po e realizojmë sot në Prishtinë..”
Në mes të pranishmëve ishin edhe prindërit e Kryeministrit të Kosovës, nëna Arife dhe babai Zaim Kurti. Ua dhurova librin. Pas manifestimit u fotografuam së bashku me Faik Nikën, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
“Sukubina është ndërmjet Ulqinit edhe Shkodrës.. Ka dhënë gjithmonë intelektualë dhe emra të rëndësishëm.. Edhe ju, sukubinasit e keni ndie veten gjithmonë të ngritur”- iu drejtova Zaim Kurtit.
E mori një libër edhe për Albinin.
Arife Kurti tha:
“Para shumë viteve në Ulqin e keni vizituar djalin tonë tjetër”.
Kur mbërrita në Ulqin, u takova me Hajro Ulqinakun. Ai më tha:
“ Ti je ai i cili pas 77 vjetëve e përurove një libër në Prishtinë. Normalisht, këtu nuk mendoj në ata prej Ulqinit të cilët kanë jetuar dhe jetojnë në Kosovë”.
Kosova ka ndryshuar. Mbetëm me emocione për përparimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Të fundit

më të lexuarat