Dasmorë në shtetin amë

Me të mbërritur te pompa e benzinës “Lukoil” afër shkollës në Katërkollë, syri të shihte shumë prind që kishin ardhur për të përcjellur fëmijët e tyre, ndërsa kujdestarët e klasave që vërtetonin numrin e nxënësve të ardhur kryenin obligimet e veta, por në të njëjten kohë edhe sikur ngushëllonin prindërit se çdo gjë do shkojë mirë, mos u bëni merak etj. Mes seriozitetit të baballarëve dhe shprehjes së fytyrës së nënave lexoja shumë çka, duke qenë se jam nënë edhe unë. Dhe kështu nuk ishte e vështirë të shihje muzgun e syve të përlotur nga ndarja prind-fëmi qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore, dy apo tre ditore. Por urimet që bënin disa si psh. paçi rrugën e mbarë, mirëardhshi, kalofshi bukur etj, e bënin edhe më të veçantë këtë ndarje.
Muslim Llolla me djalin e tij, kujdeseshin çdo moment për mbarëvajtje të çdo gjëje ashtu siç e ka traditë kjo familje e njohur tashmë e organizimit të udhëtimeve dhe akomodimeve dhe jo vetëm, ndërsa shoferët Qazimi dhe Valdeti mezi prisnin të merrnin në dorë timonin e autobusave.
Këtë radhë me marrëveshjen që bënë shoqatat në SHBA “Trojet tona” dhe “Kraja”, kësaj shëtitje Iu bashkëngjitën edhe nxënësit e Shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” nga Kraja të shoqëruar nga kujdestarët Tahir Bajraktari (arsimtar i plejadës së brezit të artë në shkollën e Krajës), si edhe Sead Popoviq, arsimtar i brezit të ri.
Dhe kështu dy autobusë dhe një fugon u nisëm drejt kufirit. Kaluam fshatin Selitë, dhe kur kaloj pranë këti katundi nuk mund të lë pa përmendur mejtepin e vitit 1929. Atëherë shkolla në Selitë punën e rifilloi në ndërtesën e Mejtepit që gjëndej afër xhamisë, pranë rrugës së fshatit. Ajo ishte ndërtesë përdhese, e ulët. Muret gur-boke, të lidhur me mallter gëlqere. Pullazi i mbuluar me tjegulla lugore që u prodhonin në vend. Kishte derë e një dritare të vogël me kapak druri. Nga orenditë, shkolla pati banka prej dërrase në të cilat uleshin nga katër nxënës, tavolinë të vogël dhe karrige për mësuesin. Vazhduam drejt Draginës, ku gjendet Kodra e keqe dhe për të cilen tregoheshin shumë ndodhi. Por reputacionin e frikshëm Kodrës së keqe ja ka marrë hapja e Muzeut në Draginë te familja e Hajredin Kovaçit, që këtë katund e bën destinacion të shumë artdashësve dhe njerëzve të apasionuar pas muzeve. Në fund mbërritem në Sukubinë, në katundin ku jam rrit.
Pika kufitare në Sukubinë e hapur në vitin 2002, është një vendkalim shumë i rëndësishëm që bashkon dy shtete dhe nëpër të cilin kalojnë me mijëra turistë, sidomos gjatë stinës së verës.
Pas përfundimit të procedurave në kufi, kaluam në Muriqan.
Dhe kur kalon nga kjo anë nuk mund të lësh pa sjellur nëpër mend historinë që për të “korrigjuar”punën e Komisionit Ndërkombëtar (1912), atë natë, anamalasi Murat Osja, burrë i njohur për urtësi e trimëri, çohet në mesnatë dhe merr gurin e kufirit mbi shpinë, ecën sa mundet gjatë gjithë natës dhe e çoi sa më larg, deri sa e lanë forcat dhe e lëshoi mbi tokë…aty ku është kufiri sot, duke e shpëtuar Vidhgarin pa e ndarë përgjysmë.
Me klasat e teta (8-1,8-2,8-3) ishin kujdestarët Rita Avdiu, Nezmije Taipi dhe Sanije Hajdari. Dr.Nexhat Avdiu ishte në rolin e ciceronit, dhe unë Luljeta si dhe shoferi Valdet Asllani i cili trashëgon profesionin e të atit Skenderit (një person gjithmonë i qeshur dhe entuziast dhe që me ne kur ishim nxënësa të shkollës fillore dhe të mesme u sillte gjithmonë mirë). Në autobusin tjetër ishin klasat e nënta (9-1,9-2,9-3) të shoqëruar nga kujdestarët Memli Kurti, Jetmira Sellaj dhe Ndriçim Muja. Në rolin e ciceronit Sami Flamuri, ndërsa me nxënësit e shkollës së Krajës Sead Popoviqi, asistentja e shkollës sonë Samire Kraja dhe Vjollca Lika Çobi. Me furgon Tahir Bajraktari, Arjeta Kurti dhe Hajredin Veliu në rolin e shoferit, por edhe si person që bashkë me Vjollca Lika Çobin (koordinatore e kësaj shëtitjeje) koordinonin punët për mbarëvajtje të ekskurzionit.
Dhe kështu si dasmorë nga dy treva u ndalem në Muriqan për t’u veshur me ngjyrat e flamurit.
Prej autobusit tonë nëna vështronte me admirim Memlin dhe Samiun që ndër të parët veshen bluzat kuq e zi dhe më pas ju bashkangjitën edhe të tjerët.
Më pas kaluam fshatrat e Anës së Malit, ku bile në fshatin Goricë dhe Muriqan kam të afërt.
Ngadalë kaluam fabrikën e çimentos në Zues ku Nexhati na tregoi se Gjergj Fishta kishte punuar në këtë fabrikë dhe njëherë gati sa nuk pësoi një aksident dhe që atëherë ai la thënien :”Ma ka xan rrota bishtin”.
Përballë me madhështinë e vet na u shfaq Kalaja e Rozafës e cila hijeshon, dhe kam përshtypjen se ka mbrojtur qytetin e Shkodrës gjatë shekujve.
Në Veri të Shqipërisë, midis lumenjve Drin, Buna dhe Kir dhe Liqenit të Shkodrës, shtrihet një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë – Shkodra. Shkodra është një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe kulturore në Shqipëri.
Në Shkodër altoparlantat e xhamive e kumontë e kishave i kurdisin sahatat asisoj që mos me ja prish ritmin sho-shoit. Kaluam kështu urën e Bunës dhe u nisëm për te Rozafati, e cila gjendet në periferi jugore të qytetit, dhe në mendje më sillej legjenda e Rozafës.
Një legjendë tregon se tre vëllezër donin të ndërtonin kështjellën së bashku. Gjithsesi, çdo natë, muret që ata kishin ngritur me mund gjatë ditës u shembën. Një plak u dha atyre disa këshilla. Një grua duhej të murosej në mure, kjo ishte mënyra e vetme që ata mund të përfundonin ndërtimin e mureve dhe ato do të zgjasin përgjithmonë. Të tre vëllezërit u këshilluan dhe vendosën që të flijonin njërën nga gratë e tyre, atë që do t’u sillte e para ushqimin e drekës të nesërmen. Por dy vëllezërit e mëdhenj nuk e mbajtën marrëveshjen dhe i paralajmëruan gratë e tyre. Kështu që Rozafa e re, gruaja e vëllait më të vogël, ishte e vetmja grua që u shfaq në kantierin e kalasë. Me guxim, Rozafa e pranoi fatin e saj, por me një kusht: ajo u kërkoi vëllezërve që një gji, një krah dhe një këmbë të mos muroseshin me ta, në mënyrë që jo të vazhdonte të ushqente me gji fëmijën e saj të vogël, duke e ledhatuar me duar dhe me këmbë mund të tundte djepin e foshnjës. Shumica e ndërtesave të kështjellës janë shkatërruar me kalimin e kohës, por muri ende qëndron në Shkodër – i fortë dhe i pathyeshëm.
Me të drejtë Lasgush Poradeci ka shkruar: “Kur ke tradicion, je nacion, je komb, jo popull, jo popullsi, jo popullatë. Një pjesë e njerëzisë (që s’ka traditë), një grup njerëzor (që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi – po nuk është komb, nuk është Nacion.
Njerëzit, kur janë grup (pa traditë), s’janë Nacion (me traditë). Grupi s’ka fuqi shpirtërore dhe spirituale dhe materiale, është amorf. S’ka ekspresion special të grupit të vet. S’ka zhvillim, evoluim, evolucion, përparim, perfekcionim gjatë jetës së tij. Ay nuk mbush dot, nuk përmbush dot, nuk realizon dot veten e tij, vetëveten, për të vajtur drejt perfekcionit, drejt perfekcionimit, drejt përsosjes. Evolucion, përparim, perfekcionim gjatë jetës së tij. Ay nuk mbush dot, nuk përmbush dot, nuk realizon dot veten e tij, vetëveten, për të vajtur drejt perfekcionit, drejt perfekcionimit, drejt përsosjes”.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat