Ndoshta jam pak subjektiv, por unë mendoj se Ulqini jo që është perlë por edhe rrethina e tij është e jashtëzakonshme. Kohën e lirë mundohem që sa më shumë t’ia kushtoj ambientit dhe hulumtimeve kulturore-historike, andaj edhe përkrahjet më të mëdha më vijnë nga shokët dhe miqtë të cilët gjithmonë janë të gatshëm që të sakrifikojnë kohën e tyre të çmuar dhe të më shoqërojnë nëpër skutat më të fshehta e misterioze të vendeve të tyre, dhe me mua të ndajnë rrëfime e anekdota nga më të ndryshmet. Kësaj radhe kontaktova mikun tim Sejdo Ismailin të cilin e pyeta: Ku më propozon që të shkoj në Anë të Malit? Përgjigjja ishte e rrufeshme – Bojku City. Bashkë me mikun tjetër Sami Flamurin, si gjithmonë i gatshëm, kur mësoi se do shkonim në Bojk, nuk mundte të besonte se unë isha ai që për herë të parë po e bëja ta vizitonte këtë vend i cili gjendej përballë fshatit të dajëve – Sumës.
Bojku është një fshat në verilindje të Ulqinit, ndodhet mes malit të Sumës dhe atij të Bojkut. Shtrihet në një hapësirë prej 10 km2, lartësi mbidetare 350 m dhe është vetëm 20 km larg Ulqinit, ku përmes rrugës gjarpërore mund të arrish për 28 min. Miku im Sejdoja së pari dëshiron të na gostisë sipas traditës bojkanjore e që ne për respekt pranojmë, por me kusht që të rrimë vetëm pak “sa për të bërë adetin”, sepse dëshironim që të shihnim sa më shumë nga ky vend. Familja e mrekullueshme e Sejdos na priti ashtu siç e do zakoni e në veçanti u dallua Noni (Arioni) i cili edhe na shoqëroi gjatë gjithë rrugës. Ajo çka më tërhoqi vëmendjen është edhe fakti se Bojkun si toponim përveç fshatit këtu gjejmë edhe toponimet si: Maja e Bojkut por edhe Gryka e Bojkut.

Emërtimi Bojk është shumë interesant. Nuk ka të dhëna se nga do ta ketë marrë emrin por që si dëshmi të shkruar për herë të parë e hasim në një gurëvarr të vjetër në gjuhën osmane e që i takon vitit 1742. Toponimi Bojk, është fjalë njërrokëshe. Fjalët më të vjetra të gjuhës shqipe (ujë, bukë, shpi, tokë, nanë, babë, dhé, djalë, vajzë etj) janë njërrokshe e që të shpie në përfundim se rrënjët e këtij toponimi janë shumë të vjetra. Meqë si mbiemër është i shtrirë në mbarë zonën shqipfolëse (e hasim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Luginë të Preshevës) unë parapëlqej të lidh rrënjën e fshatit Bojk me emrin ilir Bojken e që si emër mashkulli ka qenë i shtrirë në mbarë Ilirinë. Pra, duke u mbështetur edhe në emrat e fshatrave përreth e që janë emra njërrokësh si Mill, Shas, Kryth, Sum kurse teorisë sime ia bashkëngjes gjetjen e çekiçit të gurit në fshatin Krythë dëshiroj të konkludoj se kjo trevë është e banuar në mënyrë të vazhdueshme që nga kohërat e lashta e pse jo edhe nga parahistoria.
Toponime karakteristike nga ky vend janë: Mahalla Djegej, Shkami i Kurtit, Kroni Sqap, Qafa Shimrisë, Shpella e Lakinit, Loxha e Rudinës, Prroni Rrshinash, Kulla e Ulqinakut etj. Për Kullën e Ulqinakut, Sejdoja nuk di shumë të trgojë veç se këtu sipas pleqve të katundit ata kishin dëgjuar prej më të moçëmve, dikur aty kishte pasë kullën e vet një familje e kamur ulqinake që kalonte pushimet e veta aty por pasi që fare në afërsi të kullës sot gjendet një troll shumë i gjërë e që e quajnë “Vneshta”, prandaj supozojmë se kjo familje ulqinake aty do të ketë pasë ndonjë vreshtë. Ende sot shihen gërmadhat e kësaj shtëpie por se askush nuk e di se kujt i kishte takuar.
Kurreshtjen time si gjithmonë ma zgjojnë krojet të cilat janë objekte kulturore-historike që përfaqësojnë një vetëdije të lartë të atyre që i kanë ndërtuar në mënyrë që pasardhësit t’i kujtojnë, por edhe të kenë dobi nga dhurata e tyre.
Nisemi nga shtëpia e Sejdos dhe dakordohemi që kësaj radhe të vizitojmë vetëm anën e djathtë nga xhamia e fshatit dhe të shkojmë rrugës së kalldrëmuar në drejtim të Rashtishës, kurse për herën tjetër të marrim anën e majtë drejt Leqeve të Millës. Menjëherë gjejmë Kronin e Madh i cili edhe sot paraqet një burim me ujë të bollshëm. Bëjmë matjet e duhura dhe fotografitë për të dokumentuar praninë tonë aty dhe vazhdojmë rrugën. Sapo zbritëm 10-15 m menjëherë në mur në anën time të majtë vërej edhe një burim tjetër i cili ishte më i vogël por që uji rrjedhte. Unë pyes për emrin por has vetëm në një buzëqeshje të lehtë dhe një rrudhje krahësh. Në shtëpi konsultoj se çka thonë prof. Maksut Haxhibrahimi dhe Shaqir Ismaili, dhe vij në përfundim se ai burim mund të jetë vetëm një degëzim i ujit nga Kroni i Madh.
Në Bojk ka një vend që quhet “Shtëpitë plaka” e që të bën me dije se shtëpitë e reja janë ato të pas vitit 1700 në lagjen Djegej, e që sipas Shaqir Ismailit gurvarri më i vjetër me mbishkrim osman daton nga viti 1150/1737 sipas Hixhrit por që sot nuk gjendet më, kurse për kuriozitet qëndron gurvarri i vitit 1155/1742 sipas Hixhrit e që mbanë epitafin Osman Mustafa Bojku e që po ky autor vie në përfundim se Mustafa (I zgjedhuri) Bojku pra, babai i Osmanit, do të ishte i pari i këtij katundi i cili është konvertuar në fenë islame përafërsisht diku nga viti 1700 dhe se i takon fisit të Djegejve.

Bojku dikur mburrej edhe me grurin cilësor që prodhonte, e që njihej si gruri i Bojkut. Ky lloj gruri nuk ekziston më dhe ka qenë një lloj gruri autokton me kokërr të fortë që siç thonin mullixhinjtë nga Milla “shpesh në gurët e mullirit shkaktonte zhishka”. Ky grurë jepte një miell shumë të bardhë dhe cilësor, por që për fat të keq fara e tij, që nga tërmeti i vitit 1979 humbi, sepse fshatarët gjithnjë e më pak merreshin me bujqësi dhe tregun e vërshojnë lloje të farërave tjera. Kësisoji ne nuk dijmë të ruajmë asgjë përveç legjendave e që edhe sot tregohet si legjendë për grurin e Bojkut të cilin për herë të parë e kishte mbjellë një fshatar i cili në fytin e një shpendi të rrallë kishte gjetë shumë kokrra gruri!
Vazhdojmë rrugën te Kroni Sqap për të cilin Sejdoja na tregon se ashtu i kishte mbetur emri sepse cjapi ishte ai që e kishte gjetë i pari. Rrugës së vjetër të kalldramuar që çonte në drejtim të Shkodrës na printe Noni i vogël i cili nuk dinte se çka është lodhja. Unë e Samiu mahnitemi me muret e thata të ndërtuara nga “kush e di se kush dhe kur” por që ende sot qëndrojnë. Një e dhënë interesante për Bojkun është edhe ajo se ndodhet mu në mes të rrugës që çon nga Tivari për në Shkodër. Pra, katër orë në këmbë është larg nga këto qendra nga të dyja anët. Arrijmë në një vend që quhet Hurdhi i Hamzit e aty poshtë jo shumë larg rrugës gjendet Kroni Thur. Ky vend më intrigoi jashtëzakonisht, sepse ciceroni jonë hezitonte të shkonte deri te burimi i ujit sepse kishte frikë gjarpërinjtë. Por jo. “Ne jemi ilirë” i thashë, dhe u nisëm drejt burimit duke kaluar pengesa me ferra e kaçube. Burimi i ujit ishte mahnitës. Uji rridhte qetë kurse aty afër banorët e vjetër të Bojkut kishin ndërtuar një lloj uble apo bazeni që shërbente për grumbullimin e ujit e që e shfrytëzonin për ujitje. Bëjmë edhe këtu fotografitë e duhura dhe vazhdojmë rrugën tonë. Shumë shpejt arrijmë në vendin e quajtur Krathure aty ku gjendet Kroni Sqap. Aty ndalemi të pushojmë, bëjmë fotografi e matje, kurse Sejdoja tregon anekdota të shumta lidhur me Bojkun dhe bojkanjorët.
Arrijmë në përfundim se Bojku si vendbanim është shumë i vjetër, ka shumë burime uji, vende-vende rrugë të kalldramuara nga kush e di se kush, gjurmë të shkruara, trungje drunjësh qindra vjeçarë, lagje të harruara e të pahulumtuara që janë mbuluar me ferra… Por, mbi të gjitha njerëzit janë shumë mikpritës e që jetojnë në ballkonin natyror ku si në pëllëmbë të dorës shohin detin, liqenin, lumin, malin. Prandaj plotësisht pajtohem me bojkanjorët kur thonë: “Nga ky fshat shihet çejreku i dyrnjasë, kurse nga maja e malit mbi fshat duket gjysma e botës”.
Teksti dhe fotografitë:
Gazmend Çitaku