Meqenëse u premtova se shkrimin për Aushvicin (Auschwitz) do ta sjellja herën tjetër, po ua sjell këtë herë. Disa muaj më parë, para se të vendosja për udhëtimin e rradhës, kisha rilexuar “Ditarin” e Ana Frank. Mbaj mend se po u flisja nxënësve të mi rreth tij. Njëri nga ata më pyeti se çfarë ishte Aushvici dhe ku gjendej? Në një moment u përgjigja se ishte KAMPI I VDEKJES (por pa e kuptuar se në thellësi ky sinonim do të tejkalonte çdo fjalë nga fjalori që mund ta përshkruante se çfarë qe Aushvici në të vërtetë). U përgjigja se gjendej në Poloni pavarësisht emrit që të sjellë menjëherë ndërmend një vend të Gjermanisë. Mbasi mbarova rreth temës së “Ditarit”, njëri nga nxënësit më pyeti: po pse kishte një vend të tillë, e mbi gjitha të krijuar nga dora e njeriut? Në ato çaste pa patur një përgjigje konkrete, u përgjigja: mbase efekti i luftës ishte faktori kryesor, që ne gjithmonë ia lëmë fajin, por harrojmë që luftën e udhëheqin njërëzit! Në fund të orës mësimore u sygjerova disa filma të cilët mund t’i shikonin në kohën e tyre të lirë që lidheshin me Aushvitcin: Djaloshi në pizhama me vija (The boy in the striped pyjamas), Lista e Shnidlerit (Schnidlers List), Pianisti (The pianist), etj.
Aushvici është bërë simbol i terrorit, gjenocidit dhe Holokaustit. U krijua nga gjermanët në vitin 1940, në periferi të Osvjencimit (rreth 70 km larg Krakovës), një qytet polak që iu aneksua Rajhut të Tretë nga nazistët. Emri i tij u ndryshua në Aushvic. Arsyeja e drejtpërdrejtë e krijimit të kampit ishte fakti se arrestimet masive të polakëve po rriteshin përtej kapacitetit të burgjeve ekzistuese “lokale”. Transporti i parë i polakëve arriti në Aushvic nga burgu Tarnov më 14 qershor 1940. Fillimisht, Aushvici do të ishte një kamp tjetër përqendrimi i llojit që nazistët kishin ngritur që nga fillimi i viteve 1930. Ai pati këtë funksion gjatë gjithë ekzistencës së tij edhe kur, duke filluar nga viti 1942, u bë qendra më e madhe e shfarosjes ku ishte “Endlösung der Judenfrage” (zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike – plani nazist për të vrarë hebrenjtë evropianë).
Kampi ndahej si vijon: *Pjesa e parë dhe më e vjetër ishte i ashtuquajturi “kampi kryesor”, i njohur më vonë edhe si “Aushvici I” (numri i të burgosurve sillej rreth 15.000, ndonjëherë duke u rritur mbi 20.000), i cili u krijua në terren dhe në ndërtesat e polakëve të paraluftës. Baraka hapet me sloganin e famshëm “ARBEIT MACHT FREI” ose thenë në shqip “PUNA TË BËN TË LIRË”. Çdo ndërtesë, çdo dhomë, madje çdo cep tregon një histori të tmerrshme. Kampi tashmë i kthyer në muze përmban sende origjinale të gjetura të viktimave: valixhe, veshje, këpucë, etj. Natyrisht se çdo objekt aty përmban një histori dhe fotografimi i tyre është i lejuar në disa raste. Ata që patën paksa fat të mbijetonin pa i vrarë mënjeherë, gjatë procesit të përzgjedhjes kalonin në një proces çnjerëzor që i ktheu në të burgosur kampi. Atyre u merreshin të gjitha rrobat dhe çdo send personal i mbetur, dhe më pas u priteshin flokët. Të burgosurve u jepeshin veshje burgu me vija dhe një palë këpucë, të cilat zakonisht ishin të përmasave të gabuara. Më pas ata regjistroheshin, u nënshtroheshin kontrolleve mjekësore e pastaj u caktohej një numër burgu, i cili u bëhej tatuazh në krah. Ky numër ishte tashmë identiteti i tyre i ri. Akoma më përndjek ajo dhoma me 2 tonë flokë njërëzish. Gjatë gjithë turit nga guida ime mendoj vetëm një gjë: Pse? Sa mendoj se kjo qe historia më e tmerrshme që kam dëgjuar, e kam gabim, sepse kampi ka plot të tilla, aq sa nuk di të tregoj se cila është më e tmerrshmja. Mbase fakti që përveç burrave e grave të vrava në mënyrat më mizore, janë vrarë qindra fëmijë të moshave të ndryshme (në këto çaste me vjen ndërmend Lufta e Kosovës, ose edhe Genocidi në Srebernicë), por që Aushvici ua kalon të gjithave së bashku.
*Pjesa e dytë është kampi Birkenau (i cili mbante mbi 90.000 të burgosur në 1944), i njohur gjithashtu si “Aushvici II”. Kjo ishte pjesa më e madhe e kompleksit të Aushvicit. Nazistët filluan ta ndërtonin në vitin 1941 në vendin e fshatit Brzezinka, tre kilometra larg Osvjencimit. Popullsia civile polake u dëbua dhe shtëpitë e tyre u konfiskuan dhe u shkatërruan. Pjesa më e madhe e aparateve të shfarosjes masive u ndërtua në Birkenau dhe shumica e viktimave u vranë këtu. Aty kishte më shumë se 40 nënkampe. Duke i shfrytëzuar të burgosurit si punëtorë skllevër, u themeluan lloje të ndryshme fabrikash dhe fermash industriale gjermane, midis viteve 1942 dhe 1944. Më i madhi prej tyre quhej Buna (Monovic, me dhjetë mijë të burgosur) dhe ishte hapur nga administrata e kampit në vitin 1942 në bazën e fabrikës së gomës sintetike dhe karburantit Buna-Werke, gjashtë kilometra larg kampit të Aushvicit. Në nëntor 1943, nënkampi i Bunës u bë selia e komandantit të pjesës së tretë të kampit “Aushvic III”. Në Birkenau fillon me shinat e trenit ose vagonit, dhe në ato çaste nuk mund të mos imagjinoj vagona të mëdhenj të mbushur me njërëz me valixhe të ardhur në kamp. Shumica e atyre që arritën në Birkenau II ose Aushvic I, as që e kishin idenë që çfarë i priste atje, as që dinin që më s’do të dalin të gjallë nga aty. Me të mbërritur në Brikenau, aty u bë kategorizimi apo ndarja e tyre, dhe më pas secili ka historinë e trishtueshme të fatit të tij. Thamë që Brikenau ishte më i madh se Aushvici (rreth 60 herë ). Aty janë ngritur 33 pllaka për të kujtuar viktimat e këtij kampi, 33 pllaka në 33 gjuhë mbasi aq gjuhë janë gjetur nëpër ca dokumente që kanë shpëtuar nga zhdukja. Gjersa eci dhe lexoj gjuhët nëpër pllaka: gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht-malazezisht, italisht, polonisht, etj më kaplon njëlloj trishtimi, e nga ana tjetër edhe njëlloj lehtësimi që në pllakat nuk gjej gjuhën shqipe. Ndalemi në një ndërtesë të kampit. Jashtë shënon -4 gradë (edhe pse për mua ishte si -12). Nga informacionet që marr nga guida ime, në këtë ndërtesë (njëra nga disa) janë mbajtur fëmijët. Ndërtesa është komplet në beton. Pash të ashtuquajturit shtretër ku rrinin pesë fëmijë së bashku me një batanije të vetme. Aty janë thjesht dy hapësira të ndara nga betoni, stufa është 100 herë më e vogël se krejt madhësia e dhomës, e pamundur të ngrohë një hapësirë të tërë. Në kushte të tilla me një batanije të vetme, ku në dimër në Poloni temperaturat arrijnë deri në -20 gradë celsius, sa do të ishin shanset që do mbijetonit më shumë se dy ditë?! Gjatë turit tim në Brikenau shof edhe shumë rrënoja që u shkatërruan nga gjermanët qëllimisht, për të zhdukur provat e mundshme të krimit. Shoh shumë furra dhe nuk mund të mos mendoj se shklas nëpër hirin e tyre në çdo cep. Vizita ime në Aushvic-Brikenau më sjelli ndjesi përtej asaj që kisha dëgjuar e lexuar nëpër libra, apo shikuar në filma dhe dokumentarë. Kuptova sa pak mirënjohës jemi nganjëherë për gjërat themelore: frymoj, kam një vend ku të fus kokën nën strehë, kam një vakt për të ngrënë, e mbi gjitha i kam afër e të sigurt njerëzit që i dua. Është e rëndësishme që ngjarje – histori të tilla të tregohen, me qëllim që e kaluara të mos përsëritet më, edhe pse s’di sa qëndron kjo thënie në thelb, sepse një lloj Aushvici po luhet me shtetin fqinj të Polonisë – Ukrainën. E mos të përmendim Palestinën, Avganistanit e shumë vende të tjera për të cilat as nuk flitet aq.
Donika Lulgjuraj