
Gazetari, publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, autor i mbi dhjetë veprave të zhanreve të ndryshme letrare, Kurtesh Devaja, ish-kolegu dhe miku im si korrespondentë të revistës javore “Zëri i Rinisë” në Prishtinë, në fundvitet e ‘60-ta dhe ato të ‘70-ta të shekullit të kaluar, ai nga Shkupi e unë nga Komuna e Dragashit, deri në vitin 1972, e pastaj nga Komuna e Plavës në vazhdimësi, në librin e tij të radhës me titull “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan” gjendet shënimi – Statistika për shqiptarët në botë, si kapitull i XVIII – i fundit i përmbajtjes së librit në fjalë, të shkruar me përkushtim në mënyrë dinjitoze, koncize e kronologjike të shprehur dhe argumentuar me shifra dhe fjalë, të cilin e fillon: “Sot bota e di ku jemi dhe si jemi, se ne dhe historia jonë datojmë që nga pellazgët, ilirët, arbërit dhe shqiptarët. Nëse u referoheni të dhënave demografike, burimeve historike dhe studiuesve dhe autorëve të ndryshëm, mund të nxjerret një konkluzion i përafërt, por jozyrtar, se në të gjithë globin, numri i shqiptarëve sillet mbi 15 milionë, por mund të jenë edhe 20 milionë”. Autori Devaja në vazhdim të shkrimit thekson se sigurisht numri nuk mund të jetë i saktë, pasi është e pamundur të bëhet numërimi i të gjithë shqiptarëve autoktonë, ose emigrantë. Nëse u referohemi disa burimeve statistikore që i kanë bërë agjencitë e ndryshme në SHBA gjatë vitit 2007, rezulton se në Republikën e Shqipërisë jetojnë mbi tre milionë shqiptarë, në Kosovë jetojnë rreth dy milionë, në Maqedoninë e Veriut numri i shqiptarëve mund të arrijë deri në 800 mijë, përafërsisht po aq në Greqi. Në Mal të Zi jetojnë rreth 40 mijë shqiptarë, në shtetin e Serbisë jetojnë mbi 70 mijë shqiptarë. Ndërsa sipas hulumtimeve që ka bërë autori Devaja gjatë vitit 1997 të shekullit paraprak në pjesën më të madhe të Turqisë ka arritur të marrë informacionin e përafërt se në Turqi, sipas statistikave jozyrtare, jetojnë më shumë se pesë milionë shqiptarë, apo turq me prejardhje shqiptare. Ndërsa pjesën tjetër të shqiptarëve që jetojnë nëpër shtete të ndryshme të botës që quhen si emigrantë, si në Amerikë, ku llogaritet të jenë rreth 300 mijë shqiptarë, në Kanada mbi 35 mijë, në Argjentinë dhe në Brazil rreth 60 mijë.
Në vazhdim të pasqyrimit të numrit të shqiptarëve anekënd botës të shprehur me shifra dhe fjalë, autori Kurtesh Devaja në vazhdimin e shënimit të vet – Statistika për shqiptarët në botë, shkruan se në Evropë ekziston një shtrirje e emigrantëve nëpër shtete të ndryshme, me diferenca të vogla. Në Gjermani jetojnë mbi 450 mijë, po aq në Austri, rreth 400 mijë jetojnë në Zvicër, rreth 800 mijë në Itali, në Francë mbi 150 mijë, në Kroaci jetojë mbi 20 mijë, në Bosnje pesë mijë, në Angli rreth 100 mijë, në Belgjikë jetojë rreth 60 mijë, në Danimarkë jetojnë 12 mijë, në Suedi 70 mijë, në Finlandë nëntë mijë, Hungari jetojnë 1.500, në Azerbajxhan jetojnë mbi 10 mijë, një numër i konsiderueshëm jetojnë në Spanjë, në Rusi ka mbi 1.500, ndërsa në Ukrainë janë mbi katërmijë, me mijëra jetojnë në Rumani, ndërsa një pjesë e konsiderueshme jetojnë në Bullgari, në Afrikën Jugore jetojnë rreth dy mijë shqiptarë. Por, shifrat e sipërpërmendura mund të ndryshojnë, varësisht nga shtetet në të cilat jetojnë shqiptarët, shkruan autori Devaja dhe shton se ato mund të jenë më të mëdha apo më të vogla. Shqiptarët tanimë kanë formuar shoqata edhe në vendet më të largëta si në Angli, SHBA etj. Kjo nismë e ka traditën që nga viti 1906 i shekullit të kaluar, kur në Bukuresht u formua Shoqëria “Bashkimi”, në të cilën u shkrinë shoqëritë e mëparshme “Dituria”,”Shpresa” dhe një pjesë e asaj “Drita”, veçon autori Devaja dhe shton se ndërkohë, po në ato vite në SHBA (në Nju Jork) u formua Shoqëria “Koha e lirisë”. Më 1907 në Boston u formua Shoqëria “Besa-besë”, me kryetar Fan S. Nolin, dhe me degë në shumë qytete të SHBA-së. Po në vitin 1907, në Buenos Aires (Argjentinë) u formua Shoqëria “Lidhja shqiptare”, kurse në Odesa të Ukrainës, ishte formuar Shoqëria “Rilindja”.
Duke shpalosur dhe pasqyruar të dhëna mbi shtrirjen dhe jetën e shqiptarëve nëpër botë, autori Kurtesh Devaja në shënimin e vet me peshë dhe vlerë vërtetë të madhe, shkruan se në kushtet e vështira politike në të cilat ndodhej Shqipëria në kohë të ndryshme, shoqëritë e mërgimtarëve që vepronin në rrethana më të favorshme, bënë një punë të madhe në dobi të Lëvizjes Kombëtare. Ato mbanin lidhje me njëra-tjetrën dhe me komitetet e patriotëve në atdhe. Meqenëse regjimi i sulltanit në ato kohë nuk lejonte asgjë të botohej në gjuhën amtare në Shqipëri, në shoqëritë e mërgimtarëve u botuan një mori librash e gazetash shqipe si: “Shqiptari” (në Bukuresht 1888-1903), “Shqipëria” (po ashtu në Bukuresht, 1897-1899), “Albania” në Bruksel, e pastaj në Londër (1897-1909), “Drita” (në Sofje, 1901-1908), “Kombi”, (në Boston, 1906-1909) etj. Edhe pse nuk botoheshin në Shqipëri, ato përhapeshin nëpërmjet rrugëve të ndryshme në atdhe, ku ndikimi i tyre i ndihmoi ngritjes së ndërgjegjes kombëtare, përhapjes së kulturës dhe mbrojtjes së të drejtave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Duke iu referuar burimeve historike, mund të thuhet se shqiptarët kanë zhvilluar marrëdhënie me fqinjët shumë shekuj përpara. Simboli i kombit dhe i identitetit të tyre ishte dhe mbetet gjuha.
Autori i shënimit – Statistika për shqiptarët në botë, gazetari, publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar Kurtesh Devaja, i përkushtuar me mish dhe shpirt për të ndriçuar dhe reflektuar në mënyrë të denjë identitetin e kombit shqiptar ndër shekuj me përkushtim dhe në mënyrë dinjitoze me shifra dhe fjalë pa hezitim shpalos dhe prezanton me shkrim ato. Ai me plot dinjitet shprehet se çdo komb njihet me anë të gjuhës. Ata njerëz që harrojnë apo nuk flasin në gjuhën e tyre, me kalimin e kohës bëhen qytetarë të atij kombi gjuhën e të cilit e flasin. Shumë qytetërime që janë zhdukur, jo se vdiqën ose u vranë të gjithë, por u përzien me kombe të tjera dhe morën gjuhen e tyre dhe u bënë pjesë e tyre. Ndikimi i gjuhës shqipe në gjuhët e tjera në rajon dhe pohime që shqipja është gjuha më e vjetër, vazhdojnë të jenë temë diskutimi dhe debati në Ballkan. Kjo për shkak se teoria përmban implikime të shumta etnike dhe politike dhe ushtron një ndikim të mundshëm në pretendimet e shteteve moderne për territore të kontestuara, gjuha shqipe radhitet në mesin e tri gjuhëve të vjetra të botës, thuhet në një studim të gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”(2018). Në këtë aludim paraqiten fakte se gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra të botës, madje si gjuhë është praktikuar që në kohën e Greqisë së lashtë. “New York Times” rendit armenishten si gjuhën e parë më të vjetër në botë, e dyta është greqishtja, e më pas vjen shqipja, prej nga rrjedhin shumë gjuhë tjera, thekson autori Devaja dhe shton se në fakt kjo ka qenë tezë për shumë albanologë shqiptarë, të cilët gjithnjë kanë argumentuar se gjuha shqipe burimin e ka në gjuhët indo-evropiane e cila ka gjetur përdorim që në kohën para lindjes së Krishtit, respektivisht para epokës së re.
Autori Kurtesh Devaja në shënimin e vet shkruan se në shekujt XIX dhe XX, shkenca e gjuhësisë krahasuese bëri të mundur që studiuesit të përcaktonin origjinën e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera indo-evropiane. Të shumtë ishin shkencëtarët që bënin emër në këtë drejtim, ku mund të përmendet filologu Gotfrig Lajbnic (1646-1717), i cili deklaroi se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja. Hans Tunman (1746-1778), historian suedez, profesor në Universitetin Halles të Gjermanisë, ishte albanologu i parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe. Ai bëri kërkime në burimet greke, latine, bizantine dhe studioi fjalorin tregjuhësh sllav-grek-shqip të Theodhor Kavaliotit të vitit 1770. Hans Tunman ka arritur në përfundimin se shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, që as u romanizua dhe as u asimilua në dyndjet e mëvonshme. Johan Fon Han (1811-1869), austriak i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Haidelbergut, i cili shërbeu si gjykatës i shtetit të ri grek, dhe më vonë si nënkonsull në Janinë, iu fut studimeve të gjuhës shqipe bashkë me gjuhëtarin shqiptar Konstandin Kristoforidhi. Ai botoi tri vëllime: “Studime shqiptare mbi kulturën, gjuhën dhe historinë”, dhe nxori përfundimin se shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja. Franc Bop (1791-1869), profesor i Universitetit të Berlinit dhe themeluesi kryesor i gjuhës së krahasuar historike indo-evropiane, botoi në vitin 1854 veprën e tij dhe nxori përfundimin se shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Dhimiter Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare botoi “Një ese për gramatikën krahasuese rreth gjuhës shqipe” në vitin 1864, ku vërtetoi me dokumente lashtësinë e gjuhës shqipe, si një gjuhë ndër më të vjetrat në botë. Gustav Majer (1850-1900), profesor austriak në Universitetin e Gracit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, i cili u specializua në fushën e studimit të gjuhëve shqipe, greke dhe turke, botoi librin “Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indo-evropiane”, në vitin 1883 që më vonë u pasua nga tetë vëllime shkencore mbi historinë, gjuhën, poezinë, përrallat popullore shqipe dhe ngulmimet e arbëreshëve në Itali dhe Greqi. Norbert Jokl (1887-1942), gjuhëtar austriak me origjinë gjermano-çifute, bibliotekist në Universitetin e Vjenës, ua kushtoi gjithë jetën studimeve të gjuhës shqipe. Linguisti austriak, Norbert Jokl, i njohur edhe si “babai i albanologjisë”, ka bërë punë të madhe dhe të palodhshme në fillim të shekullit XX, duke u munduar të dokumentojë këtë gjuhë fare pak të studiuar deri atëherë.
Duke u përqendruar në kontributin e dhënë të profesorëve, filologëve dhe albanologëve të ndryshëm në identifikimin e zanafillës, respektivisht prejardhjes së gjuhës shqipe, autori Kurtesh Devaja në vazhdimin e shënimit të vet – Statistika për shqiptarët në botë, me argumente dhe fakte të nxjerra nga arkivat e ndryshme shkencore, shkruan edhe për ca kontribues të tillë shkencor, ndër të cilët veçon studimet e profesor Skiroit, të cilat nxorën në dritë librin e tij “Gjuha shqipe”, në Romë më 1932. Pas studimeve të shkencëtarëve të huaj rreth gjuhës shqipe dhe historisë së shqiptarëve, dolën edhe studiuesit e parë shqiptarë në drejtim të gjuhës shqipe, si De Rada, Pashko Vasa, Kostandin Cekrezi, Kristo Dako, profesori i shquar Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Mahir Domi, etj. Shqipja si gjuhë është e ngjashme me greqishten e vjetër, me latinishten, me sanskritishten (gjuhë e vjetër e Indisë), me zendishten (gjuhë e Persisë së vjetër), me keltishten, me teutonishten etj. Mirëpo këto gjuhë që u përmendën më lart, janë më të reja se gjuha shqipe, dhe kanë mijëra vjet që nuk fliten më, por mbeten të shkruara vetëm në faqet e disa librave shumë të vjetër. Këto gjuhë quhen “gjuhë të vdekura”, dhe shqipja është më e vjetër dhe nga ato është e gjallë dhe flitet edhe sot. Lambert ka thënë: “Shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të festës ortodokse, ashtu edhe të asaj islame. Në histori gjenden udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ndonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike”. Familja Qyprili i dhe pesë kryeministra. Në Greqi: Kundurjotis, Marko Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaoskaqis, Bubulina, ishin në udhëheqje të revolucionit të shtetit të ri të pavarur grek; Rukania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare, Aleksandër dhe Vladimir Gjika; piktori si Carpaçi Albani etj; humanisti Leonik Tome; profesori i Kopernikut dhe shumë personalitete shqiptare janë nderuar nga historie e Italisë; Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit modern. Ndërsa heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është një shembull universal i luftëtarit të lirisë.