Kanë kaluar plot 35 vjrt që nga shembja e Murit të Berlinit, i cili ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë dhe Perdes së Hekurt, siç thoshte Uinston Çurçilli.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, e cila pësoi disfatë, u nda në katër zona të sigurisë, që i përkisnin SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik, të cilat vendosën ta ndajnë në katër pjesë edhe Berlinin, kryeqytetin gjerman deri në Luftën e Dytë Botërore.
Administratat e rajoneve të kontrolluara nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u bashkuan në vitin 1949 për të formuar atë që u njoh si Republika Federale e Gjermanisë (BRD), ndërsa rajoni nën administrimin sovjetik në të njëjtin vit u shpall si Republika Demokratike e Gjermanisë (DDR). Në këtë mënyrë, Gjermania u nda në dy pjesë, në atë perëndimore (BRD) dhe lindore (DDR).
Në vitet që pasuan 1949-1961, rreth 2.5 milionë njerëz të rinj dhe të arsimuar ikën nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore për arsye ekonomike. Për t’i parandaluar këto ikje, administrata e Gjermanisë Lindore, më 12 gusht 1961 në mënyrë të fshehtë vendosi që të mbyllë kufirin në Berlin. Ndërsa më 13 gusht 1961 filloi ndërtimi i atij që në histori njihet si Muri i Berlinit. Ditën e ardhshme, ushtarët rrethuan me tela me gjemba rajonin e kontrolluar nga sovjetikët. Ndërkaq, më 17 gusht 1961, pas dështimit për të parandaluar këto ikje përmes gardhit kufitar, Muri i Berlinit, i lartë 3.6 metra, filloi të ndërtohet me tulla. Kështu, Berlini, i ndarë në vitin 1949, u nda edhe fizikisht përmes murit, i cili më vonë do të njihej si “muri i turpit”.
Muri i Berlinit në të njëjtën kohë ndante edhe Evropën dhe botën në dy blloqe dhe u shndërrua në simbol të Luftës së Ftohtë. Krahas që kalonte në qendër të Berlinit, muri, me një gjatësi prej 155 kilometrash, përfshinte edhe rrethinën e qytetit.
Në periudhën më pas, afër murit u rritën masat e sigurisë dhe u vendosën 302 kulla vrojtimi, ndërsa u angazhuan mbi 11 mijë ushtarë të Gjermanisë Lindore. Midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u vendosën tetë pika kufitare me kontrolle të rrepta.
Periudha nga viti 1961 deri në momentin e shembjes në vitin 1989 do të jetë një ndër periudhat më interesante në historinë botërore të shekullit XX. Kjo njihet edhe si periudha e Luftës së Ftohtë midis dy superfuqive të asaj kohe – BRSS-së dhe SHBA-ve, ose e thënë ndryshe, midis kampit komunist që përfshinte Evropën Lindore dhe atij kapitalist, që përfshinte Evropën Perëndimore dhe SHBA-të. Përveç garave në armatim dhe në aspektin gjeopolitik, kjo Luftë e Ftohtë për fat të mirë nuk prodhoi konflikte të armatosura që do të ishin fatale për Evropën e më gjerë.
Shembja e murit
Procesi i reformave në ish-shtetet e Bllokut Lindor filloi me politikën për transparencë dhe ristrukturim (Glasnost dhe Perestrojka) të presidentit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, me ç’rast nën ndikim ra edhe Gjermania Lindore në vitin 1989.
Mijëra shtetas të Gjermanisë Lindore në verën e vitit 1989 filluan të ikin në Gjermaninë Perëndimore përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë. Nga ana tjetër, në Gjermaninë Lindore u rritën protestat kundër qeverisë. Me dhjetëra mijëra persona, që mblidheshin në Leipzig çdo javë, me sloganin ”Wir sind das Volk” (Ne jemi populli), kërkuan ndryshimin e politikës së vendit.
Demonstratat u përhapën në qytete të ndryshme të Gjermanisë Lindore. Më 4 nëntor të vitit 1989, mbi 100 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin Alexander në Berlinin Lindor, duke realizuar protestën më të madhe në historinë e Gjermanisë Lindore. Si rezultat, qeveria e Gjermanisë Lindore u detyrua të miratojë një rregullore udhëtimi me efekt të menjëhershëm, me çka qytetarët e Gjermanisë Lindore vërshuan drejt pikave kufitare. Njerëzit filluan ta shembin murin. Berlinasit lindorë, të cilët përmes pikave kufitare ose duke kapërcyer murin kaluan në anën tjetër, u përqafuan me berlinasit perëndimorë që i pritën.
Pas 28 vitesh, dy muajsh dhe 28 ditësh, “muri i turpit” u shemb më 9 nëntor 1989, duke i dhënë fund edhe periudhës së Luftës së Ftohtë ose asaj që Uinston Çurçilli e quajti Perdja e Hekurt.
Sot pas 35 vitesh Muri i Berlinit i kujton shumë kujt ankthin dhe frikën që kanë kaluar. Ai sot shërben si objekt historik dhe turistik – ato pjesë që kanë mbetur për t’iu kujtuar se historia e një populli ka edhe momente trishtuese si rezultat i politikave të gabuara të kohës.
Shumë të vrarë gjatë kalimit të kufirit
Si çdo ndryshim, pa dyshim se nuk do të kalonte pa pasoja. Kështu një numër i madh njerëzish u vranë teksa u përpoqën ta kalojnë kufirin dhe murin nga Gjermania Lindore. Edhe pse regjistrimet tregojnë se 136 njerëz humbën jetën gjatë këtyre kalimeve, supozohet që ky numër të jetë 250.
Dy Gjermanitë u bashkuan zyrtarisht 11 muaj pas shembjes së murit, më 3 tetor të vitit 1990.
Personazhi më i njohur që kishte ikur nga Berlini Lindor në atë Perëndimor ishte ushtari i mbrojtjes kufitare të Gjermanisë Lindore, Conrad Schumann. Fotografia e tij u bë simboli i ikjes, kur më 15 gusht 1961 ai kaloi telat në rajonin ku mbante roje.
Sot pas 35 vitesh nga shembja e Murit të Berlinit, Evropa po përballet me një situatë të re gjeopolitike, të ndikuar nga kriza në Ukrainë, e cila po tregon se politika e hegjemonisë ruse vazhdon të jetë e pranishme ndaj vendeve të ish-kampit komunist.