Si mund të shpëtohet gjuha shqipe nga rreziqet e globalizmit?

Prof.Dr. Rami Memushaj

Në janar Ministria e Arsimit dhe e Sporteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e shpallën 2024-ën “Viti i gjuhës”. Ky vendim u pa prej shumëkujt si përgjigje shtetërore ndaj shqetësimit të përgjithshëm se po na prishet gjuha, shqetësim që kryeministri shqiptar e shprehu me fjalët: “gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë”. Kur flitet për kërcënim të gjuhës, nuk është fjala për variantin standard, po edhe për variantet e saj dialektore, pra për gjuhën kombëtare. Rreziku i një gjuhe vjen nga kontaktet e saj me gjuhët e tjera, sidomos me gjuhë kulturash të larta. Në periudhën para viteve ‘90, për shkak të mungesës së kontakteve të shqiptarëve me të huajt, shqipja ishte e mbrojtur nga ndikimi i gjuhëve të huaja.
Mirëpo në kushtet e reja të krijuara pas viteve ‘90, kur kontaktet e shqiptarëve me bartësit e gjuhëve të huaja u bënë të shumëfishta, doemos që shqipja do të ndikohej prej këtyre gjuhëve, kryesisht nga anglishtja, italishtja e më pak nga greqishtja. Për qindra mijëra shqiptarët që braktisën vendin, “gjuhë e bukës” u bë gjuha e vendit ku u ngulën, ndërsa shqipja mbeti për ta gjuhë e dytë, gjuha e rrethit të ngushtë familjar e shoqëror. Po edhe për ata që mbetën në Shqipëri, hapja e vendit krijoi mundësi për lëvizjen e tyre të lirë drejt vendeve të huaja dhe të të huajve në Shqipëri. Këto lëvizje të ndërsjella, sidomos shkollimi jashtë i mijëra e mijëra të rinjve, një pjesë e të cilëve janë kthyer në vend dhe punojnë në institucione e në biznese, kanë bërë që ligjërimi shqip të ndikohet nga gjuhët e kontaktit.
Veç këtyre, rritja e interesit brenda vendit për mësimin e gjuhëve të huaja, me qëllim që nëpërmjet tyre të depërtohet në tregjet e huaja të punës, gjithashtu ka bërë që shqipes t’i kushtohet më pak vëmendje, sepse mendohet se si gjuhë amtare nuk është nevoja të mësohet. Dhe, më në fund, futja e kompjuterit dhe e terminologjisë angleze të informatikës që lidhet me përdorimin e tij, ka bërë që përqindja e fjalëve nga anglishtja të shtohet ndjeshëm, duke u përdorur edhe atëherë kur shqipja ka fjalë përgjegjëse të tyre. P.sh., shumë përdorues të kompjuterit e kanë më lehtë të thonë maus, direktori, desktop, kanceloj, procesim, sejvoj etj. sesa miush, dosje, ekran, anuloj, përpunim, ruaj etj.. Pra, trysnia e gjuhëve të huaja me të cilat shqipja është në kontakt, sot është shumëfishuar. Nga këto, anglishtja, si gjuha kryesore e komunikimit me të huajt brenda dhe jashtë vendit, po edhe e shkencës dhe e teknologjive të reja, ushtron trysninë më të madhe mbi shqipen. Ndikimi i saj po ndihmohet edhe me politika arsimore të diskutueshme.
Pas anglishtes, për shqiptarët e Shqipërisë vjen italishtja, e cila, ndonëse nuk është gjuhë e teknologjisë, është gjuha e dytë e huaj që flitet më shumë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqipja ndikohet së pari nga maqedonishtja, si gjuhë zyrtare dhe pastaj nga anglishtja; në Kosovë anglishtja është gjuhë e dytë, ndonëse në ligjërimin e brezit të mesme dhe të vjetër vijon ndikimi edhe i serbishtes. Kjo trysni e gjuhëve të kontaktit ndihet nga të gjithë në leksikun e shqipes, që është rrafshi i gjuhës më i prekshëm nga ndikimet e huaja. Në ligjërimin e përditshëm, nën ndikimin e medieve pamore-dëgjimore, kanë hyrë shumë barbarizma.
Sot mund të dëgjosh një amvisë të flasë për benefite, një grua fshati të thotë u shokova, një fermer të thotë kam suport financiar, një vajzë të shkolluar të pyesë a është i aksesueshëm ashensori, një gazetare të raportojë për incident që shkakton karroca, një zyrtar të thotë do të vazhdojmë me hapa të agravuar, ka impakt, për të mediuar (ndërmjetësuar) etj.. Si rrjedhim i kësaj manie për të përdorur fjalë të huaja sot në ligjërimin e përditshëm hasen 20-30 fjalë “kopile” me denduri shumë të lartë. Këto fjalë, ashtu si çelësi kopil që hap shumë dyer, përdoren në kontekste të ndryshme në vend të fjalëve të shqipes. Janë fjalë me kuptim të turbullt, që nuk e mbulojnë qartë konceptin që synojnë të shprehin.
Si rrjedhim, edhe thëniet e ndërtuara me to nuk arrijnë t’i shprehin si duhet mendimet dhe ndjenjat e folësit. Përdorimi i këtyre fjalëve “kopile” ndodh jo se shqipes i mungojnë fjalët e veta. Ajo për secilën syresh ka vargje sinonimesh që mund të shprehen mendime të qarta dhe emocione e ndjesi shumë të holla. P.sh., fjala “kopile” shokoj përdoret në vend të fjalëve: çudit, habit, mahnit, çmerit, emocionoj, lë pa mend, lë me gojë hapur etj.; dhe trondit, hidhëroj, pikëlloj, helmoj etj.. Arsyet pse këto fjalë përdoren nga “autoritetet” e ligjërimit publik – folësit televizivë dhe njerëzit publikë – janë kultura e mangët gjuhësore e tyre ose ksenomania. Kurse folësit e thjeshtë i përdorin se ashtu i kanë dëgjuar nga këto autoritete që i japin tonin ligjërimit publik. Përdorimi i barbarizmave të tillë fare të panevojshëm, që edhe njerëzve pa shumë shkollë ua vrasin veshin, nuk përbën shqetësim për institucionet shkencore që merren me gjuhën. Prej tyre nuk shihet asnjë reagim, asnjë listë fjalësh që t’u dërgohet periodikisht redaksive të medies së shkruar, televizive e elektronike me këshillën për të mos i përdorur, pa folur për lista fjalësh të reja që hyjnë në gjuhë çdo vit, siç bëjnë akademitë e botës.
Edhe më shqetësuese është se nga ndikimi i gjuhëve të kontaktit po preken fonetika dhe gramatika, nënsistemet bazë të shqipes, që e bëjnë atë një gjuhë të veçantë në rrethin e gjuhëve evropiane. Një nga parametrat fonetikë që po preket, është theksi i fjalës. Jo vetëm fjalët e huaja, po edhe fjalë të vetë shqipes brezi i ri i shqipton me theks në rrokjen e parë. Kështu, dëgjojmë Mákro(n) për Makrón, Úrsula për Ursúla, Dubróvnik për Dubrovník, Montevídeo për Montevidéo, féjsbuk për fejsbúk, kóvid për kovíd, términal për terminál, vódafon për vodafón etj.; Zmblak për Zëmblák, Ármand për Armánd, Bójken për Bojkén, Érvin për Ervín, Gláuk për Glaúk, áudit për audít, kónferencë për konferéncë, ópinion për opinión etj..
Parametri i theksit në shqipe kërkon theksimin e fjalës në rrokjen e fundit ose në të parafundit, nëse rrokja e fundit rrëgjohet gjatë lakimit a zgjedhimit të fjalës. Shqiptimi i fjalëve me theks në rrokjen e parë, si në anglishte, jo vetëm që ia vret veshin shqiptarit, po ka edhe një efekt domino në gramatikën e shqipes. Së pari, prishet struktura ritmike e thënies, që nuk tingëllon më si frazë shqipe dhe në poezi prishet rima e vargjeve. Po të vijojë kjo modë shqiptimi, parametri fonetik i theksit do të zëvendësohet me parametrin gjegjës të anglishtes. Nga shqiptimi i fjalëve si në anglishte preket jo vetëm prozodia, po edhe morfologjia shqipes, sidomos e emrit, qoftë e fjalëve dy a më shumërrokëshe, qoftë e emrave të përveçëm të huaj ose e akronimeve. Sa u përket fjalëve shumërrokëshe që theksohen në rrokjen e parë, është në natyrën e shqipes që i pret duke filluar nga rrokja e dytë e patheksuar e tyre, dmth., kjo rrokje shqiptohet me sforcim të madh dhe, kur është mbaresë, nuk shqiptohet fare. Pra, këta emra bëhen të palakueshëm. Por mediet po na krijojnë edhe klasa të tjera fjalësh të palakueshme, si p.sh. emrat e përveçëm të huaj (Makron reagoi, Vuçiç takohet me Makron, në qeverinë e Makron, i tha Makron) dhe akronimet, si AMA, SPAK etj. (SPAK u njoftua, kreu i SPAK, thirrje SPAK, vë në dijeni SPAK, sipas SPAK). Si rrjedhim i përdorimeve të tilla ka rrezik që shqipja të humbasë dalëngadalë edhe parametrin morfologjik të lakimit. Falë këtij parametri, morfologjia e shqipes i “tret” emrat e huaj, kështu që në gjuhën tonë, ndryshe nga gjuhë të tjera me lakim, nuk ka emra të palakueshëm. Siç ka vënë në dukje prof. A. Kostallari, falë këtij parametri morfologjik, “në vend që të asimilohej, shqipja, përkundrazi, i ka asimiluar fjalët e huaja”.

Të fundit

më të lexuarat