Saga e zonjës Katedrale

Korab Kraja

“Çdo sipërfaqe, çdo gur i këtij grumbulli të nderuar, është një faqe e historisë jo vetëm të vendit, por e shkencës dhe e artit.” Është një thënie jo e rastit, por e nxjerrë nga libri i Viktor Hygosë “Katedralja e Parisit”. Është një thënie, e cila tejkalon premisat e reales dhe surreales dhe që ngjet në shpirtëroren dhe përtejbindjen e një lutjeje të thjeshtë. Është një përulje që thyen ligjet e ndershmërisë dhe respektit ndaj një ndërtese që simbolizon një lavdi dhe një nder ndaj pastërtisë dhe dritësisë. E tillë ishte edhe katedralja e njohur, e cila përkufizohet me kultin e lartësisë së ndërtimit që lartësia e saj të prek qiellin, të prek hyjnoren dhe të ketë më afër përjetësinë.
Notre-Dame, fjalëpërfjalshëm shpreh tingullin e sinqertë që kuptimi “Zonja Jonë” mbartë. Ndërvetëdija do ta bëjë integritetin e kësaj katedraleje boshtin rreth së cilës do të shprehen vullnetshëm figuracionet e shfaqura përmes shqisave që zakonisht burojnë nga brenda. Duke e çmuar simbolizmin e shpirtit të Parisit, kjo katedrale do të bëhet ndër katedralet më të njohura, në mos më e njohura, në tokat ku katedralet u ndërtuan.
E ndërtuar mbi rrënojat e dy kishave më të vjetra, të cilat u ndërtuan përmbi tempullin galo-romak kushtuar Jupiterit, në njëfarë mënyre, vet qenësia e saj shpreh simbiozën e të lavdishmes, të përtej reales dhe të gjithmonshmes. Guri i themelit të katedrales u vendos në vitin 1163 nga Papa Aleksandri III. Do të bëhet një gur themeli për një traditë, kulturë dhe histori që në një të ardhme të largët do t’i ndryshojë dukshëm rrjedhat politike dhe historike të ngjarjeve të njerëzimit. Shumë peripeci, shumë përkushtim, shumë kohezion u deshën që të grumbullohen përvojat historike të popullit francez, saqë u desh qindvjetëshi që të përfundojnë ndërtimet, shtesat dhe zbukurimet e katedrales. Duke ndjekur konceptin ndërtimor të konceptimit të hapësirës arkitektonike, thithja e frymës gotike që mbizotëroj në mesjetën evropiane, do të luaj rolin kyç mbi ideimin e dukjes së fasadës kryesore dhe arkitekturës së përgjithshme të katedrales. Katedralja përfaqësonte idealet më të larta të besimit dhe kulturës mesjetare të rendit të lindur, bukurinë dhe harmoninë e krijimit në tërësi. Zëvendësimi i stilit Romanesk në periudhën e Mesjetës së hershme u bë e dukshme me risitë që bënin një përparim të dukshëm në stil dhe në ndërtim. Ishin pjesërisht krahët mbështetës, të ashtuquajtur “mbështetësit fluturues” dhe qemerët e majëzuar, pra qemerët me maje në pjesën e sipërme të tyre.
Edhe Katedralja e Notre-Dame, ashtu si katedralet e tjera gotike, do t’i përmbahej rregullave koherente të gjeometrisë për të shfaqur në këtë mënyrë proporcionin, rendin dhe bukurinë e universit. Ishte një rregull i ngulitur thellë në kokën e mjeshtërve, saqë u bë kod identifikues i ndërtimeve të tilla, dhe se, pa ato rregulla strikte, thjesht nuk bënte të ndërtohej dhe se, pa ato rregulla strikte, nuk do të quhej e përfunduar estetikisht saktë. Sepse, rregullat e tilla shfaqnin detyrimin moral dhe shpirtëror ndaj një ndërtese, e cila në të vërtetë do të shërbente për të rrezatuar ndërgjegjen e moralshme dhe ndërgjegjen e përshpirtshme. I tillë ishte frymëzimi i kohës, saqë arkitektët mesjetarë e bënë këtë edhe sepse besonin se “gjeometria ishte një mjet lidhës i qenieve njerëzore me Zotin”. Mbi të gjitha risitë e rregullave të gotikës, mbi strukturat për qëndrueshmëri e deri te zëvendësimi i qemerëve harkor me ato me maje, rezultati i gjithë kësaj ishte një brendësi e përajrëshme, që rri pezull, sikur të fluturojë, ku sytë e njeriut ngrihen gjithnjë e më lart për të soditur qielloren dhe për t’u gjetur në vet Parajsën. Këto virtyte të trajtshmërisë vertikale të ndërtesës, i lejuan katedrales të kishte dritare të mëdha me xham të njollosur, ku drita që vërshonte përmes vitrazheve zbukuruese, përfaqësonte spiritualitetin dhe përkushtimin e thellë të kohës. Përmes përshkrimeve të shenjtorëve dhe temave të tjera kishtare, vertikaliteti dhe tejdukshmëria shfaqte një ndjenjë të shtuar të aspiratës drejt Zotit dhe Qiellit, duke përdorur kështu ndihmën e fizikës, që përmes dritës natyrore të krijojë një si mjet për të zgjuar një mister të botës tjetër. Këto reflektime që krijojnë xhevahire të çmuara, do të supozohet të tërheqë zemrën dhe mendjen e njeriut për të soditur qielloren. Me një fjalë, vet Notre-Dame u bë reflektuese e këtij realiteti, që merr pjesë në lavdinë Qiellore duke shfaqur tërësinë, rendin, harmoninë dhe shkëlqimin teocentrik në tërësi. Janë këto ndjenja të thella të Notre-Dame, që ndikojnë në përshtypjen se njeriu është një krijesë e rënë dhe që i nënshtrohet Zotit të Plotfuqishëm. Më së miri këtë e shfaq portal i madh i katedrales ku paraqitet përcaktimi i së drejtës për të hyrë në Qytetin qiellor, gargojlat dhe kimerat si krijesa të pakënaqura demoniake, që janë të shfaqura në jashtësinë e fasadës duke përcaktuar kështu mbetjen e tyre gjithmonë jashtë. Në njërën mënyrë apo në tjetrën, Katedralja e Notre-Dame frymëzon njeriun rreth imagjinatës së Parajsës, por edhe e shtyn atë të presë shpresën e jetës së përhershme. Në këtë mënyrë, është kjo një katedrale që ndez në njeriun dëshirën e të gjithmonshmes dhe si çdo katedrale tjetër, edhe katedralja Notre-Dame paraqet karakterin sakramental përmes bukurisë së saj dhe të efektit transformues, ku njerëzit bëhen më të rregullt dhe më të konformuar me vetë Qiellin.
Revolucionarët e shekullit të tetëmbëdhjetë themeluan “Kultin e Arsyes” rreth temave të lirisë dhe barazisë, dukë bërë shndërrimin e shumë ndërtesave, në këtë rast edhe të Notre-Dame në një “Tempull të Arsyes”. Kapërcimi i shenjtores së saj në një ndërtesë tani të pashndritshme dhe duke kaluar edhe përdorimin e saj në depo vere, katedralja u bë objekt ankandi duke i kaluar në pronësi një tregtari materialesh ndërtimi. Ishte si një rrufe ardhja në pushtet të Napoleonit I, për të ndikuar në ritrajtimin dhe në riformësimin kulturor të katedrales, duke urdhëruar që ndërtesa të ridekorohej për kurorëzimin e tij si perandor në vitin 1804. Dhe, menjëherë pas një revolucioni tjetër të mëvonshëm, katedralja pësoi dëmtime të rënda dhe sikur shkëlqesia e saj u zbeh saqë autoritet vendosen që katedralen e qytetit të tyre ta rrënojnë, pra ta nëpërkëmbin Zonjën e Tyre. Pas një viti, më 1831, Viktor Hygo do të botojë romanin me titull “Kurrizoja i Notre-Dame-it” (“Notre-Dame de Paris” në frëngjisht) dhe do të arrijë një sukses të jashtëzakonshëm, duke bërë një kthesë të madhe në kujtesën historike të popullit francez, konkretisht atij parisien, që do ta shndërrojë Katedralen Notre-Dame në një ikonë kombëtare, e cila do të nxit një lëvizje kombëtare për të mbrojtur katedralen, si dhe për nxitjen e rinovimit si interes për restaurimin e artit gotik. Dy restauratorët, Viollet-le-Duc dhe Jean-Baptiste Lassus do të merren me projektin restaurues të ikonës kombëtare. Pas vdekjes së restauratorit Lassus, Viollet-le-Duc do ta menaxhojë i vetëm restaurimin gjatë vitit 1864, duke drejtuar projektin dhe duke i koordinuar zanatet e ndryshme të zejtarëve, gurgdhendësve, skulptorëve, qelqbërësve, argjendarëve dhe marangozëve.
Në vitin 1837, Komisioni i Monumenteve Historike krijoi listën e monumenteve historike dhe në Paris, pas krijimit të kësaj liste në vitin 1862, ishte pikërisht Notre-Dame që u shfaq në këtë listë. Në vitin 1991, UNESCO e shpalli Katedralen e Notre-Dame si aset të trashëgimisë botërore, duke deklaruar se kjo “kryevepër arkitekturore” përbën “një referencë të caktuar në përhapjen e arkitekturës gotike”. Në vitin 2018, katedralen e famshme të Parisit do ta vizitojnë rreth 13 milion vizitorë në vit ose rreth 30 mijë vizitorë në ditë, duke e bërë kështu vendin më të vizituar në Francë. Pas restuarimeve të Viollet-le-Duc, katedralja nuk iu nënshtrua më ndonjë restaurimi të përgjithshëm, duke shkaktuar kështu dobësim strukturor nga shiu, lagështia dhe vet koha. Pas disa ndërhyrjeve restauruese, më 15 prill 2019, katedralja u përfshi nga flakët, si shkak aksidental i punës duke shkaktuar kështu, një tronditje mbarënjerëzore dhe një dhimbje të përshpirtshme për ndërtesën kultike dhe ndërtesën simbol të Francës.
Në kohën kur u dogj Notre-Dame në Paris, libraritë dhe shtëpitë botuese, nuk hezituan ta nxirrnin pa asnjë mundim librin e Viktor Hygosë për Katedralen e Parisit. Dhe e nxorën jo një, por të gjitha botimet e veçanta, madje në të gjitha gjuhët që i posedonin, duke bërë kështu publicitetin mediatik dhe duke u munduar të përfitojnë nga rasti i një tragjedie të trashëgimisë botërore. Ata, sikur u munduan të na përcjellin mesazhin se, “e keni parë atë ndërtesën masive që thonë që është me qindra vjeçare e vjetër dhe që bëri bujë në tërë botën dhe që u çuan i madh e i vogël në këmbë? Po. Ja ku e keni pra, një roman mbi atë katedrale të famshme që shumica prej jush nuk e keni ditur që ekziston. Ne ua sjellim romanin e Viktor Hygosë në disa botime të veçanta, madje jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht, madje-madje edhe në frëngjisht. Urdhëroni dashamirë të leximit dhe ju jodashamirë të leximit, kemi roman për të.”
Të futur diku në brendësi të rafteve të librave dhe në harresën e errët të gotikës dhe të librarive, rastet e tilla na i përkujtojnë disa gjëra të mira që gjenden në këtë rruzullin tonë. Dhe, përsëri heshtje. Heshtje pesë vjeçare, derisa u shfaqen pamjet e para të brendisë së katedrales tashmë të restauruar. Dhe, bardhësia e restaurimit të saj, sikur shfaq radhët e famshme të Kuazimodos, kurrizos së Notre-Dame, duke shfaqur thelbësoren e ndjenjave njerëzore, kur thotë se: “Dashuria është si një pemë: ajo rritet vetvetiu, rrënjoset thellë në qenien tonë dhe vazhdon të lulëzojë mbi një zemër të shkatërruar.”

Të fundit

më të lexuarat