Në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, festës më të dashur dhe më të shenjtë të kombit shqiptar, në Tuz të Malësisë do të vendoset përmendorja e heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky është dhe do të mbetet një hap gjigant, që do të nderohet nëpër shekuj. Është vepra më e madhe historike dhe kulturore që shqiptarët e kësaj republike realizuan qysh se iu shkëputën kombit nënë, para një shekulli e gjysmë. Qysh atëherë e sot, nuk pushuan kurrë sulmet kundër trimit tonë të madh, i cili për shekuj të tërë u nderua si njëri prej trimave më të shquar të Evropës dhe më gjerë.
Njëra prej pesë motrave të tij kishte qenë e martuar në familjen e Principatës së Cërnojeviqëve të Malit Zi dhe për arsye të lidhjeve familjare, nuk përjashtohet mundësia që heroi ynë kombëtar të mos ketë kaluar udhët e asaj kohe, qofshin nëpër tokë ose liqe e det.
Për heroin tonë kombëtar kisha mësuar qysh në fëmijërinë e hershme, ngase portretin e tij kryesor e mbante gjithmonë në dhomën e tij të pritjes Kolë Preloka Gegaj, vëllai i Lucë Prelokës Gegaj, i cili për pothuajse një shekull njihet me emrin Athanas Gegaj. Sot e kësaj dite Athanas Gegaj nderohet si njëri prej historianëve më të mirë të kombit shqiptar
Skënderbeu disa nga vizitat e tij në vendet e Mesdheut i fillonte në Raguzë (Dubrovnik). Dy pasardhës të Skënderbeut, që kanë lidhje farefisi me heroin tonë, tregojnë shumë të dhëna për lidhjet e tij familjare. Para dy dekadash, ata kishin vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi duke treguar interesim dhe kurajo për të mësuar më shumë për stërgjyshin e tyre të kahershëm, por jo të harruar kurrë. Ata kishin vizituar kullat e Vraninës dhe disa objekte historike përreth.
Gjergj Kastrioti duhet të ketë pasur lidhje me Shkodrën dhe Malësinë e Madhe, sepse kur viziton Muzeun Historik të Krujës, aty shihen shumë artefakte nga trojet tona, si për shembull xhubleta e xhamadani dhe disa orendi të tjera.
Për heroin tonë kombëtar kisha mësuar qysh në fëmijërinë e hershme, ngase portretin e tij kryesor e mbante gjithmonë në dhomën e tij të pritjes Kolë Preloka Gegaj, vëllai i Lucë Prelokës Gegaj, i cili për pothuajse një shekull njihet me emrin Athanas Gegaj. Sot e kësaj dite Athanas Gegaj nderohet si njëri prej historianëve më të mirë të kombit shqiptar. Ai e kishte mbrojtur disertacionin e tij të doktoratës në Universitetin Luen të Belgjikës dhe një vit më vonë, ky disertacion ishte botuar në Paris. Ky kishte qenë njëri prej nipave tonë të dashur.
Emigrimin tim në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1970, e priti mirë, duke më kushtuar një shënim të shkurtër në gazetën “Dielli”. Menjëherë fillova bashkëpunimin dhe korrespondencën me të, duke më këshilluar për jetën në këtë vend. Edhe pas botimit të disertacionit të doktoratës “Invazioni turk në Shqipëri në shekullin XV”, z. Gegaj u mor seriozisht me të kaluarën e tij, duke bërë studime në shumë vise të Italisë e veçanërisht në Rotondon, ku kishte jetuar familja e Skënderbeut.
Ngjarja më e bukur dhe më madhështore që kisha parë në jetë, kishte qenë festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar të vitit 1968 në Prishtinë. Në këtë simpozium tri ditësh, kishin marrë pjesë historianë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të botës, bile edhe nga Shtetet e Bashkuara… E gjithë kjo veprimtari solli një frymë të re patriotizmi në Kosovë. Shumica e frymëzimeve çlirimtare të Kosovës e kishin zanafillën te historia e këtij trimi legjendar
Por ngjarja më e bukur dhe më madhështore që kisha parë në jetë, kishte qenë festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar të vitit 1968 në Prishtinë. Në këtë simpozium tri ditësh, kishin marrë pjesë historianë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të botës, bile edhe nga Shtetet e Bashkuara. Delegacionin e Shqipërisë e drejtonte Profesor Aleks Buda. Ata kishin sjellë me vete filmin “Skënderbeu” dhe disa vepra historike dhe letrare për heroin tonë kombëtar. E gjithë kjo veprimtari solli një frymë të re patriotizmi në Kosovë. Shumica e frymëzimeve çlirimtare të Kosovës e kishin zanafillën te historia e këtij trimi legjendar.
Gjatë qëndrimit tim tranzit në Itali për në Shtetet e Bashkuara, disa herë e kisha vizituar në Romë Sheshin “Albania” dhe monumentin Skënderbeu. Ky shesh dhe monument ishin pikë bashkimi për shqiptarët e Romës dhe Italisë.
Para një gjysmë shekulli, një shqiptaro-amerikan kishte bërë thirrje me shkrim për ndërtimin e një përmendoreje të Skënderbeut në Amerikë. Unë e mbështeta shumë këtë ide, duke botuar një shkrim në gazetën “Dielli”. Bile e kujtoj si hapin tim të parë drejt kësaj veprimtarie. E fillova karrierën time me këtë burrë legjendar dhe sot, pas një gjysmë shekulli, përsëri me këtë burrë titanik.
Vendimi i Malësisë për të vendosur heroin tonë kombëtar në kryeqytetin e tyre Tuz është vepër historike, artistike dhe kulturore. Është vendim për liri, për bashkim dhe vëllazërim të popullit shqiptar. Tuzit dhe Malësisë i ka hije kjo vepër, sepse Skënderbeu nga vendi që është vendosur do të vështrojë Malin e Deçiqit, ku për herë të parë u ngrit flamuri i tij pas pothuajse 500 vitesh. Ismail Kadare ka thënë se kryengritjet antiotomane fillojnë me Skënderbeun dhe mbarojnë me Dedë Gjo’ Lulin.
Diaspora shqiptare e Amerikës meriton nderime për kontributin e saj financiar. Meritojnë gjithashtu respekt edhe udhëheqja politike e Tuzit dhe Malësisë, të cilët patën fuqi morale dhe politike për t’ia arritur këtij qëllimi. Prijësit e Tuzit dhe Malësisë u treguan shumë serioz dhe patriotë kur është fjala për këtë vepër të madhe.
Urime Tuz, urime Malësi, urime diasporë për këtë vepër madhështore!
(Artikulli është përgatitur për publikim përpara inaugurimit të shtatores së Skënderbeut në Tuz, më 28 nëntor 2024)