Politika ndaj Ulqinit nuk ndërron kurrë për të mirë

Gjatë periudhës tridekadëshe, Ulqinit i është premtuar shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të tij, por në realitet deri më sot nuk është bërë asgjë. Për Ulqinin janë hartuar “master plane” të ndryshme dhe pushtetarët kanë folur shpeshherë për investime kapitale, me deklarata pompoze se si Ulqini do të bëhet si Dubai etj., por për fat të keq ky qytet vazhdon të presë gjatë lulëzimin e vet ekonomik dhe turistik që e meriton

Xheladin Zeneli

Pas gjendjes së krijuar kohëve të fundit me tenderin e Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare” lidhur me plazhet në Ulqin, mendoj se ia vlen të bëhet një analizë e shkurtër e asaj se cili është burimi i të gjitha të këqijave kur është në pyetje ekonomia turistike e këtij qyteti dhe si në vazhdimësi është vepruar dhe po veprohet kundër interesave të këtij vendbanimi me shumicë shqiptare.
Edhe përkundër faktit se Ulqini është qyteti dhe komuna e cila ka potenciale dhe kapacitete të mëdha natyrore, të pakrahasueshme me komunat e tjera në Mal të Zi, ai vazhdon të jetë një ndër komunat më të pazhvilluara në këtë shtet. Ulqini ka vijën më të gjatë bregdetare në krahasim me qytetet e tjera në Mal të Zi, gjë që krijon parakushte që ky qytet të jetë një ndër komunat më të zhvilluara turistike në Mal të Zi, por sipas shumë indikatorëve ekonomikë, ky qytet është prapa qyeteteve të tjera bregdetare si Tivari, Budva, Tivati, Kotorri e Herceg Novi.

Si e legalizoi pushteti qendror plaçkitjen e zonës bregdetare të Ulqinit?
Dëmi më i madh ekonomik që iu shkaktua Ulqinit tash më shumë se tri dekada, i ka ardhur nga Ligji për të Mirat Detare, i aprovuar në Kuvendin e Malit të Zi në vitin 1992, nëpërmjet të të cilit rreth 13% e territorit të Komunës së Ulqinit është shndërruar në pronë administrative shtetërore. Sipas këtij ligji, qeverisë lokale nuk i lejohet që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare. Padrejtësia qëndron në faktin se bregdeti i Ulqinit përbën 17.4% të bregdetit të përgjithshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon hapësirës që menaxhohet nga “Të Mirat Detare” është 57.32%, çka e vendos këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik në raport me komunat e tjera në Mal të Zi.
NP “Të Mirat Detare” me seli në Budva ka mbledhur dhe përfituar në formë të tatimeve dhe të ardhurave të tjera financiare me dhjetëra miliona euro gjatë tri dekadave të fundit nga bregdeti i Ulqinit dhe ka kthyer shumë pak prapa në formë investimesh. Pra, Ligji i ashtuquajtur i “Të Mirave Detare” de facto ka bërë legalizimin e plaçkitjes së pasurive të bregdetit të Ulqinit.
Vlen të theksohet gjithashtu se Ligji për të Mirat Detare është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, kokretisht nenet 116 dhe 117 të saj, ku flitet për kompetencat dhe pavarësinë e qeverisjes lokale (komunave). Njëkohësisht ky ligj është edhe kundër të drejtave për vetëqeverisjen lokale të Kartës Evropiane.

Pushtetet në Malin e Zi në vazhdimësi kundër interesave të Ulqinit
Pa marrë parasysh kush vjen në pushtet në Mal të Zi dhe kush e drejton qeverinë, Ulqini trajtohet në mënyrë të pabarabartë në vazhdimësi. Ishte pushteti 30-vjeçar i DPS-së (Partisë Demokratike të Socialistëve) gjatë kohës së të cilës është aprovuar Ligji për të Mirat Detare dhe gjthashtu gjatë pushtetit të saj janë shkatërruar hotelet emblematike të tij, për t’u mos rindërtuar kurrë deri më sot. Edhe pushteti i ri, i udhëhequr nga Lëvizja “Evropa Tani” (PES) po ndjek rrugën e paraardhësve të tyre në raport me Ulqinin, duke uzurpuar, shfrytëzuar dhe përfituar nga pasuritë e tij natyrore. Pra, si para vitit 2020, ashtu edhe më pas kur erdhi deri te ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi, është ndjekur dhe gjithnjë vazhdon të ndiqet politikë e njëjtë ndaj Ulqinit.
Gjatë periudhës tridekadëshe, Ulqinit i është premtuar shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të tij, por në realitet deri më sot nuk është bërë asgjë. Për Ulqinin janë hartuar “master plane” të ndryshme dhe pushtetarët kanë folur shpeshherë për investime kapitale, me deklarata pompoze se si Ulqini do të bëhet si Dubai etj., por për fat të keq ky qytet vazhdon të presë gjatë lulëzimin e vet ekonomik dhe turistik që e meriton.
Kur për një kohë të gjatë pushteti qendror udhëheq një politikë regresive ndaj Komunës së Ulqinit, atëherë me të drejtë qytetarët e kësaj komune pyesin se a i intereson Podgoricës zhvillimi ekonomik i Ulqinit apo shfrytëzimi i pasurive natyrore të tij? Pra, janë premtimet boshe si dhe dështimet e shpeshta në të kaluarën të investitorëve të huaj në Ulqin që kanë ndikuar që qytetarët e kësaj komune ta shohin me skepticizëm dhe me rezervë çdo investitor të radhës që Podgorica sjell në qytetin e tyre.
Vendimi i njëanshëm i NP “Të Mirat Detare” për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit një investitori nga Emiratet e Bashkuara, duke iu mohuar të drejtën qiramarrësve vendas për të vazhduar menaxhimin e plazheve që i kanë menaxhuar vite me radhë, flet më së miri se ky pushtet, ashtu si edhe pushtetet e mëparshme të Malit të Zi, vepron kundër interesave jetike të qytetarëve të këtij qyteti.
Pushteti lokal i Komunës së Ulqinit, qytetarët, veçanërisht ata që janë dëmtuar nga tenderi i fundit i plazheve, tani me të drejtë po kërkojnë anulimin e këtij tenderi, por njëkohësisht ata dhe jo vetëm ata, duhet që të kërkojnë njëzëri dhe fuqishëm anulimin e Ligjit për të Mirat Detare, si diçka që i ka sjellë vetëm të këqija këtij qyteti
(Autori është ish-deputet në Kuvendin e Malit të Zi)

Të fundit

më të lexuarat