
Vendimi me rregulla të reja rreth tenderit për plazhet e Ulqinit të NP “Të Mirat Detare” me seli në Budva, shkaktoi një mori reagimesh dhe shqetësimesh në opinion. Reagimet ishin të ashpra dhe, hera-herës euforike, duke shënjestruar mënyrën e njëanshme të vendimit që bie në kundërshtim me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe që në mënyrë dramatike do të ndikojë në mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Megjithatë, këto ditë u vendos që t’u lejohet sipërmarrësve vendas që t’i rimarrin plazhet, të cilat kompania ndërkombëtare “Eagle Hills” i fitoi në tender. U vendos që kjo kompani të mos investojë në plazhet e Ulqinit dhe në këtë mënyrë, siç u shprehën zyrtarët komunalë, të “punohet vetëm në interes të komunitetit!”
Edhe një herë partitë politike shqiptare dhe zyrtarët vendorë këtë ngjarje po e shpallin si një fitore të madhe të tyre, duke e kamufluar shkakun dhe problemin burimor, e që është NP “Të Mirat Detare”.
Udhëheqësit dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve publikisht e kundërshtojnë veprimtarinë e NP “Të Mirat Detare”, ku disa në mënyrë ironike këtë ndërmarrje e quajnë “Të këqijat detare”, duke i cilësuar vendimet e saj si arbitrare dhe diskriminuese. Ata theksojnë se përkufizimi i brezit të të mirave detare në Komunën e Ulqinit e ka shndërruar këtë zonë në komunë kontinentale. Mirëpo, në anën tjetër, asnjëherë nuk ngurruan që t’i emëronin përfaqësuesit e tyre në Bordin e drejtorëve (Forca në këtë ndërmarrje mbajti postin e kryetarit të Bordit, ndërsa Alternativa Shqiptare atë të anëtarit), ku, me dashje apo pa dashje, i kontribuuan kësaj gjendjeje duke cenuar, siç thuhet, “Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
Partitë shqiptare dhe zyrtarët vendorë, duke vajtuar me problemet që janë pasojë e politikës së tyre, kanë për synim t’i kamuflojnë problemet serioze dhe të paraqiten para elektoratit të vet si shpëtimtarët e vetëm karshi interesit popullor dhe kombëtar. Kjo është më e theksuar edhe nga fakti se së shpejti priten zgjedhjet vendore për pushtetin lokal në Ulqin. Megjithatë, se interesi i karriges është obsesiv, partitë politike shqiptare e kanë dëshmuar në vazhdimësi, qoftë me aferën e pushimores kosovare K1, ku Komuna e Ulqinit i pagoi me miliona euro dëmshpërblim oligarkut malazez Dushko Knezheviq dhe shoferit të tij, ose me ndarjen e 8000 metrave katrorë në Pyllin e Pishave, me shkatërrimin e “Rivierës së Ulqinit”, Kripores, Fabrikës së Tepihëve (sixhadeve) dhe aneksimin e oborrit të Shkollës së Vjetër në Katërkollë, ku si pasojë e të gjitha këtyre veprimeve mbeten pa punë me qindra punëtorë dhe familjarë. Ndërkaq, ndarja e tokave më pjellore në Shas të Anës së Malit për megakompaninë “Voli” e ka ngulfatur prodhimin vendor dhe familjar të bujqve nga kjo zonë.
Përfaqësuesit politikë dhe autoritetet vendore të Ulqinit asnjëherë nuk i trajtuan seriozisht këto probleme pronësore dhe kurrë nuk patën fuqinë të shkojnë së paku deri në Gjykatën e Strasburgut apo në arbitrazhe të tjera ndërkombëtare.
Prandaj vajtimi i tyre për tenderat e plazheve në Ulqin duket i tepruar dhe i ekzagjeruar. Ky vajtim është edhe më i trishtuar, sepse autoritetet vendore dhe partitë politike shqiptare tentojnë të mbrojnë pronarët, por jo të eliminojnë praktikën diskriminuese të kësaj ndërmarrjeje dhe ta kthejnë, njëherë e përgjithmonë, dinjitetin e këtij qyteti, që nënkupton menaxhimin e pasurisë së vet.
Ata po mbrojnë pronarët, të cilët kanë krijuar monopol me pronën publike dhe shumica prej tyre janë oligarkë të pushtetit të kaluar. Disa prej këtyre plazheve në vazhdimësi janë “rezervuar” për ndonjë ish-ndihmësministër të Turizmit, për të birin e ndonjë ish-kryetari të Komunës së Ulqinit, për ndonjë kryetar të partive politike shqiptare, për ndonjë ish-drejtor të Organizatës Turistike.
Dhe kjo pronë publike stërshitet disa herë me çmime të larta duke i ndryshuar sekserët dhe qiramarrësit. Në këtë kuadër ka pasur raste kur një pronar ka poseduar tri hapësira në Plazhin e Madh. Ndërkaq, numri i të punësuarve vendorë është i papërfillshëm, të gjithë janë punëtorë informalë nga rajoni, gjë që në këtë aspekt qytetarët e Ulqinit nuk ia panë fare hajrin. Këtij informaliteti i shtohen edhe disa shitore improvizuese të frutave dhe perimeve, ose edhe skarat primitive për pjekjen e misrave, me ç’rast pronarëve të plazheve u paguhen shuma të konsiderueshme parash, gati sa gjysma e qirasë që kanë dhënë në tenderat e mëparshëm.
Prandaj vajtimi për mbrojtjen e disa prej këtyre pronarëve dhe të kësaj forme të turizmit është një promovim i dobët dhe shembulli më i keq ndaj potencialeve të zhvillimit të qëndrueshëm turistik në bregdetin e Ulqinit.