Pasojë e absurditetit tonë

Ngastrat e tëra që dikur ishin me ullinj dhe gjelbërim u bënë pallate, bile duke mos pasur as plan. U ndërtua sipas dëshirës, duke mos respektuar as planin ekzistues urbanistik, duke iu afruar rrugës saqë kjo do të paraqesë problem në një të ardhme në rast të zgjerimit të rrugës që lidh qytetin me Plazhin e Madh

Asllan Bisha

Fusha e Ulqinit ishte dikur një perlë e vogël, por shumë e çmuar. Të gjithë ata që kishin tokë në Fushën e Ulqinit ishin me fat dhe e përballonin më lehtë mungesën e bukës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kjo fushë u mor nga shteti dhe u shndërrua në tokë shoqërore. Ajo i takoi Kooperativës së Ulqinit. Me kalimin e kohës, nga kooperativa u shndërrua në ndërmarrje, e njohur me emrin “AgroUlqini”, ku u mbollën 16 lloje të ullinjve italianë, me rreth 13 mijë rrënjë. U ngrit një plantacion i mirë eksperimental, sikur ai në Portorozh të Sllovenisë.
Toka e kultivuar me ullinj i rriti mirë ullinjtë dhe mandarinat. Toka u pajis edhe me sistemin për ujitje. Suksesi ishte i dukshëm – u shtua numri i të punësuarve, u ndërtua edhe fabrika moderne për prodhimin e vajit të ullirit si dhe reparti për konservimin e ullinjve në vitin 1986. Çdo gjë shkoi mirë dhe “AgroUlqini” u bë i njohur si ai i Portorozhit të Sllovenisë.
Mirëpo, në vitin 1990 filloi transformimi i shtetit dhe pronat t’u kthehen pronarëve. Kjo është periudha kur kjo ndërmarrje falimentoi dhe ngadalë çdo gjë mori tatëpjetën, saqë ranë në krizë dhe likuidim. Investimet e mëdha të bëra deri atëherë nuk u mbrojtën dhe “AgroUlqini” nisi të shkatërrohet. Por një gjë e tillë nuk ndodhi në Portorozh të Sllovenisë, ku ndërmarrja e ngjashme me atë në Ulqin vazhdon të punojë me sukses, sepse pati ekspertë dhe përkrahje nga shteti slloven.
Fusha e Ulqinit, e mbjellë me ullinj dhe mandarina, u bë pronë private. Kësaj zone, e cila gjendet buzë Plazhit të Madh, iu rrit vlera. Me shndërrimin në troje për ndërtim, çmimi i truallit këtu u rrit shumëfish. Kjo zonë u bë pjesë e ndërtimit dhe e përfitimit të pronarëve. Sidomos buzë bulevardit “Teuta”, që lidh Ulqinin me Plazhin e Madh, filloi ndërtimi i shtëpive.

Potencialet tona nuk po i mbrojmë dhe zgjohemi vonë nga gjumi. Fajin ia lëmë të huajit, sepse ashtu është më lehtë dhe na pëlqen. Duhet t’u kushtohet më shumë kujdes këtyre “cikërrimave” komunale, sepse gabimet e tilla do të na dëmtojnë dhe kushtojnë shumë, sidomos gjeneratave që vijnë


Këshilltarët i ngritën duart, votuan për planin ndërtimor duke zënë tokën bujqësore. Ngastrat e tëra që dikur ishin me ullinj dhe gjelbërim u bënë pallate, bile duke mos pasur as plan. U ndërtua sipas dëshirës, duke mos respektuar as planin ekzistues urbanistik, duke iu afruar rrugës saqë kjo do të paraqesë problem në një të ardhme në rast të zgjerimit të rrugës që lidh qytetin me Plazhin e Madh.
Kjo zonë, tanimë e mbingarkuar me ndërtime, ka probleme të theksuara infrastruktuore, rrugët janë të ngushta. Çuditërisht, askush nuk brengoset për fatin e kësaj lagjeje të re, e cila është e lidhur me qytetin, por pa planifikimin e duhur. Përpos që toka prodhuese u shndërrua në tokë ndërtimore, nuk është ruajtur as gjelbërimi – ullinjtë dhe mandarinat.
Për dallim prej nesh, ndërmarrja me llojet e ullinjve që ekzistonin në Fushën e Ulqinit vazhdon të funksionojë në Portorozh.
Absurdi tjetër është se derisa vendosim të ndërtojmë në toka pjellore, kodra e Pinjeshit, Mavrianit etj. rrinë bosh dhe presin të zaptohen edhe ato, sigurisht jo për të mbjellë ullinj e mandarina!
Në Komunën tonë, si duket, ende janë në gjumë dimëror. Potencialet tona nuk po i mbrojmë dhe zgjohemi vonë nga gjumi. Fajin ia lëmë të huajit, sepse ashtu është më lehtë dhe na pëlqen.
Duhet t’u kushtohet më shumë kujdes këtyre “cikërrimave” komunale, sepse gabimet e tilla do të na dëmtojnë dhe kushtojnë shumë, sidomos gjeneratave që vijnë.
Fushat duhen ruajtur, sepse natyra që ndryshohet nuk mund të ndreqet.

Të fundit

më të lexuarat