Mosinteresimi i të rinjve për instrumentet e vjetra muzikore – shqetësim për të gjithë shqiptarët

Gjekë Gjonaj

Malësorët e Trieshit janë të njohur për artin e veglave muzikore tradicionale. Veglat muzikore me të cilat shoqërohen këngët dhe vallet popullore në Triesh janë po ato që përdoren edhe në vise të tjera shqiptare. Trieshianët jetën e vet të vështirë në këtë vend shkëmbor, me pamje kreshtore e shpatije të pjerrëta, lëndina, gropëza e livadhe, me dimra të ashpër e të gjatë, me pyje e me bar të njomë, por edhe me kafshë të egra, gjithmonë e kanë kaluar në rrethana të vështira. Por, gjithmonë mbanin lahutën në dorë, me të cilën u këndonin kreshnikëve të vet dhe fyellin në brez ( shokë). Lahuta është instrumenti mijëvjeçar kordofon me një tel, me të cilën trieshhianët shoqëruan këngët epike të ciklit të kreshnikëve.
Dikur në shumicën e rasteve pothuaj çdo familje kishte nga një lahutë të varur në mur. Shtëpia pa lahutë quhej “ shtëpi e lanun”. Ishte turp për malësorin të mos e kishte në shtëpi një lahutë dhe një pushkë. Lahuta dhe pushka ishin dy koncepte a dy dukuri , që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme për çdo familje malësore. Lahuta u shërbente trieshianëve (malësorëve) për t’u kënduar kreshnikëve shqiptarë, nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare, kurse pushka për t’u mbrojtur nga armiku.
Lahutën e kanë përdorë burrat-lahutarët, të cilët kur i binin këtij instrumenti qëndronin këmbëkryq dhe e mbanin atë në mënyrë të pjerrët në drejtim të këngës së djathtë , së bashku me harkun. Lahutarët i binin dhe i këndonin lahutës në raste të ndryshme gëzimi, në ndeja pas darke , pranë oxhakut, në manifestime të rastit dhe në gara e festivale folklorike vendore, kombëtare e ndërkombëtare.
Burrat e Trieshit e përdornin me ëndje të madhe dhe e dëgjonin me vëmendje të posaçme këtë vegël ilire-arbërore shqiptare, e cila sipas specialistëve shqiptarë përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark ( së paku 9.000 vjeçare) të kontinentit evropian. Kjo vegël muzikore me shekuj ka argëtuar, motivuar, inspiruar, promovuar, shoqëruar e ngazëlluar shpirtin krijues të kësaj pjesë të popullatës shqiptare në trojet e tyre etnike, e cila që nga Kongresi i Berlinit padrejtësisht u shkëputë nga shteti amë – Shqipëria. Kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve.
Me lahutë është kënduar Teuta e Genti, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu e Lekë Dukagjini, Nora e Kelmendit, Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Mic Sokoli, Ded Gjo’ Luli, Çun Mula, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica, Prekë Cali dhe luanët e maleve që ranë gjatë shekujve në betejat për liri.
Trieshi në periudha të ndryshme historike ka pasur shumë lahutarë e rapsodë popullorë. Është gati e pamundur që të evidentojmë të gjithë emrat e tyre, sepse mungojnë të dhëna të shkruara. Por, po përmend disa prej tyre, duke kërkuar ndjesë , respekt e mirëkuptim për të gjithë të tjerët. Lahutarë të njohur nga Trieshi janë: Nikollë Gali Lekoçaj, Tomë Nikolla Lekoçaj, Nikollë Sokoli Lekoçaj, Nikollë Gjoni Lekoçaj, Gjokë Nikolla Lekoçaj, Zef Gjoni Micakaj, Gjokë Prëla Dedivanaj, Nikollë Lucaj, Fran Lleshi Lucaj, Dodë Prëka Micakaj,
Mark Zefi Micakaj,Gjelosh ( Losh) Nou Memçaj, Nikollë Nikprelaj, Rrok Zefi Prenkoçaj, Zef Pjetri Lucaj, Pjetër Gjergji Lucaj, Gjergj Pjetri Lucaj,
Tomë Leka Lucaj , Mark Pjetri Lucaj etj.
Lahuta si një instrument i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar bashkë me mospërdorimin e Eposit po zhduket. Faktorët kryesor që po çojnë në zhdukjen e këtij instrumenti muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në llojin e vet në Evropë, jo vetëm nga Malësia, por edhe nga të gjitha trevat mbarëshqiptare janë se po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument dhe se blerësit e huaj po tregohen të uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor.
Shqetësim tjetër është se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë.
Tashmë është faza kohore e fundit e njerëzve përgjegjës të cilët merren me kulturën muzikore dhe artistike të shqiptarëve që institucionet shtetërore të arsimit dhe kulturës në Mal të Zi ta njohin këtë instrument shqiptar. Ta përfshijnë atë në institucionet shtetërore të specializuara për studimin dhe promovimin e saj ta fusin në koleksionet tona muzeore. Ta popullarizojnë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë tek rinia dhe nxënësit. Sepse lahuta për shqiptarët-malësorë nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, traditë, shije estetike, shpresë.
Në folklorin muzikor trieshian gjithashtu çiftelia është instrumenti që përdoret mjaft, që nga gjysma e dytë shekullit XX. Çiftelia është një instrument tradicional shqiptar me tela, që ende luan një rol të rëndësishëm në afirmimin e folklorit muzikor trieshian-shqiptar. Interpretuesit më të njohur të çiftelisë në Triesh janë: Dodë Gjonaj, Nikollë Nikprelaj, Kolë Nikprelaj, Hanë Nikprelaj, Mark Prenkoçaj, Zef Gjonaj, Tomë Ujkaj, Gjokë Lekoçaj etj.
Në kullota me bagëti barinjtë trieshianë kalonin kohën nën tingujt e ngrohtë të fyellit, i cili ka një përdorim shumë të hershëm dhe lidhet me jetën baritore. Në Triesh më së bukuri i kanë rënë fyellit Zef Toma Dedivanaj, Nikollë Zefi Dedivanaj dhe Shtjefën Ujkaj , të cilët janë shpërblyer disa herë në festivale vendore, kombëtare dhe ballkanike. Këngët dhe vallet popullore janë shoqëruar edhe me zypare ( zumare), por në raste shumë më të rralla. Virtuozët më të njohur të këtij instrumenti frymor kanë qenë Gjon Cubi Cacaj dhe Nosh Zefi Dedivanaj.
Tradita e përdorimit të këtyre instrumenteve të vjetra muzikore është prezantuar në dhjetëra festivale brenda dhe jashtë vendit nga SHKA “ BESA” , e cila në pesë dekada ka ruajtur vallet, këngët, veshjet e të tjera pjesë të traditës trieshiane. Vlerat artistike të këtij ansambli autokton janë përcjellë nga brezi në brez nga gjeneratat e artistëve popullorë. Në çdo shfaqje të SHKA “ Besa” vallet dhe këngët shoqërohen me tingujt e instrumenteve të vjetra muzikore tradicionale. Në mungesë të tyre barinjtë trieshianë merrnin fijen e barit, ose fletën e gjethit të hollë , me të cilat me frymën e gojës së tyre nxirrnin melodi të çuditshme.
Kjo krijimtari e shquar jo vetëm nga niveli i lartë artistik, por edhe nga elementi i theksuar etnik, përbën një shtyllë identitare të popullit tonë të lashtë e me botë të pasur artistike dhe estetike.
Veglat popullore tek shqiptarët në Mal të Zi, pra edhe në Triesh, të cilat tregojnë historinë tonë muzikore, dikur ishin shumë të përhapura, ndërkohë sot janë duke shkuar drejt zhdukjes. Të paktë ose aspak janë ata që kultivojnë në mënyrë të mirëfilltë këto instrumente. Mosinteresimi i të rinjve për instrumentet e vjetra muzikore janë një shqetësim për të gjithë shqiptarët.
Dora institucionale duhet ta bëjë të vetën sipas standardeve tjera për ta mbrojtur këtë trashëgimi jo vetëm për Triesh , por edhe për krahinat tjera të Malësisë.

Të fundit

më të lexuarat