Mirënjohjet çnderuese

Korab Kraja

Nuk ndodh shpesh, por ja që ndodh, që për t’u çnderuar dikush, i bëhet një nderim. Madje, i ofrohet një mirënjohje, pra të çnderohet dikush me letër. Me dokument. Dhe, mëdyshja më e madhe ndodh kur shtrohet pyetja e thjeshtë: për çfarë duhet të nderohet dhe pse e meriton dikush atë lloj nderimi, në fakt çnderimi nga pala nderimdhuruese?
Të shohim se si zakonisht ndodhin këto absurditete.
Janë të njohura festivalet dhe ngjarjet, të cilat pasi që të përfundojë performanca e ndonjë artisti, në fund të shfaqjes, ai artist ose ajo artiste nderohet me diçka. Në rastin më të mirë për performuesin, ai ose ajo do të nderohet me shpërblim të vendit të parë, të dytë ose të tretë. Ka raste, kur këto shpërblime, sikur të mos mjaftonin vetëm tre vendet e para, vazhdojnë më tutje duke u zgjeruar më tej, në ndarje të kategorive. Për shembull, tre vendet të para për kategorinë e parë të performuesve dhe tre vendet e para për kategorinë e dytë performuese. Ndonjëherë, kur artistët janë aq të mirë dhe juria ndjehet ngushtë në vendosjen e meritorëve, bëhen disa lëshime dhe vendosen dy vende të para, pra dy të arta, thjeshtë njëri artist merr pak më shumë pikë se tjetri. Pra, i pari është pak më i mirë se i pari i dytë. Edhe këto kur të mos mjaftojnë, atëherë gjendet një zgjidhje tjetër, më konkurruese dhe, ndoshta, hera-herës, më e përshtatshme. Çdo artisti performues, i caktohet një çmim meritor sipas performancës që bën, pra sipas shfaqjes që jep. Në këtë mënyrë, mund të shpallet si zëri më i mirë, muzika më e mirë, shfaqja më e mirë, interpretimi më i mirë, vallëzimi më i mirë, paraqitja estetike e ngjyrave më të mira, ortografia më e mirë, mesazhi më i mirë. E të tjera të ngjashme. Kjo është më pak hatërmbetëse. Dhe, në këtë mënyrë mund të ndahen shumë çmime. Çmime për çdokënd.
Përpos çmimeve, të cilat jo çdokush mund t’i meritojë, ndahen edhe lëvdata ose mirënjohje. Këto ndodhin zakonisht, kur artistët performues, nuk shpërblehen me ndonjë çmim, por prania e tyre në ngjarjen kulturore a shkencore a zbavitëse, arsyetohet thjesht me performancën ose praninë e tyre dhe në këtë rast vendoset që t’i ndahet ndonjë certifikatë në të cilën i shkruhet një lëvdatë a një mirënjohje. Këto lloj “shpërblimesh” i ndahen kur shfaqja është me program garues, por këto lloj “shpërblimesh” ndahen edhe kur shfaqja është thjeshtë zbavitëse, pa ndonjë garë në të dhe në të cilën nuk ka çmime të para, as të dyta e as të treta. Dhe, këto shpërblime ndahen me një motivacion të caktuar. Pra, ekziston një motiv i thellë, i menduar dhe i vendosur mirë që një mirënjohje e tillë t’i jepet personazhit, i cili e meriton. Pra, thjesht e meriton një gjë të tillë.
Ka edhe absurde. Kur çmimet i marrin jofituesit. Dhe, kur mirënjohjet i marrin jomeritorët. Absurde të tilla ndodhin shpesh, kur juria nuk i ndan çmimet a mirënjohjet me meritë, por i ndanë duke përdorur korrupsionin dhe nepotizmin. Por, edhe kur çmimi a mirënjohja bazohet në një arsyeshmëri shpeshherë të paarsyeshme që bën që ndarësi i atyre shpërblimeve të bie në grackën e euforizmës dhe gjaknxehtësisë. Ka shkarje edhe të institucioneve të rëndësishme, madje prestigjioze botërore kur bëjnë gafa të tilla, të cilat shpeshherë merren edhe si provokime nga masa e gjerë e popullit. Ato nxisin edhe reagime të institucioneve të tjera vendore apo jovendore që të protestojnë me vendimet e tilla.
Por, kur nuk ka reagime kundërthënëse dhe kur nuk ka pakënaqësi për parregullsinë e krijuar, atëherë mund të thuhet se është për t’u shqetësuar.
Në të vërtetë, pse ndodhin raste të tilla? Çfarë tregon kjo heshtje? Është e njohur thënia, se heshtja flet përmes enigmës së saj, prandaj dhe heshtja merret si aprovim. Heshtja flet vet. Heshtja flet edhe bukur. Dhe, pse të heshtët në një parregullsi? Dhe, pse të aprovohet e gabuara?
Ndahet “Mirënjohje” për X-in nga Y-i për Z kontributin. Në të vërtetë, kjo mirënjohje ndahet për një këngëtar, në motivacionin e së cilës shkruhet: “për kontribut të vyer në promovimin e X vendit dhe vlerave të saj(a) kulturore.” Shtrohen pyetjet: e para, kujt i ndahet kjo mirënjohje me një motivacion të tillë, dhe pyetja e dytë, çfarë kontributi kaq të vyer dha ky person për atë vend?
Mund të jenë shkaqe të ndryshme që e bëjnë që një mirënjohje e tillë të ndahet nga një shoqatë që përfaqëson një vend. Mund të jenë mbase edhe shkaqe të fshehta, deri edhe personale. Këto nuk dihen, prandaj nuk janë në interes të gjurmohen më thellë. Ajo çka është në interes, është ajo çfarë dihet dhe ajo çfarë arrihet për t’u arsyetuar lehtë në mendje. Pra, ajo çfarë në të vërtetë shihet dhe është dukshëm e qartë. I jepet mirënjohje një këngëtari, i cili në të vërtetë asnjë kontribut nuk ka dhënë për atë vend! Nëse, organizata e tillë mund të arsyetohet, se kontributi i tij është që vetëm ka marrë pjesë në manifestimin qendror të organizuar nga ata, atëherë ku qëndron promovimi i atij vendi dhe vlerave të tij kulturore? Dhe, a i jepet dikujt certifikatë mirënjohjeje, i cili paguhet që të vijë e të performojë në një vend? Pra, dikujt që ai të kushtëzon në njëfarë mënyre ose e kushtëzon ti, vetëm e vetëm që të vijë e të bëjë shfaqje për organizimin tënd dhe të shpenzosh, aq sa shpenzon për të, e në fund edhe të shpërblehet me “Mirënjohje”. Mirënjohje që ka pranuar ftesën dhe pagesën! Apo mos ndoshta, i dedikohet mirënjohja për këngën që e ka kënduar para pak vjetëve, të cilën këngë e kanë kënduar edhe shumë këngëtarë të tjerë para tij, por ky edhe i ka xhiruar videoklip në vendndodhje, prandaj edhe e meriton këtë mirënjohje me një motivacion të tillë? Për çfarë? Për që është paguar që ta këndojë këngën e tillë dhe që ta xhirojë videoklipin dhe tani nga organizuesi, i cili edhe harxhohet në financa nga donatorët për të arrirë ai artistikisht atë performancë dhe që të kënaqen disa epshe vetë lavdëruese, tani edhe të shpërblehet për dy arsye: për pranimin e parave herën e parë dhe për pranimin e parave herën e dytë… Më saktë, për dy arsye të tjera: për “kontributin e vyer” herën e parë që i bën trevës dhe për “promovimin” e vlerave të saj kulturore, herën e dytë! Pra, mirënjohje që ka pranuar kërkesën që të këndojë këngë dhe asaj kënge t’i xhirojë videoklip, prandaj që edhe të paguhet për këtë shpërblim dhe në fund, mirënjohja me siguri kap edhe ngjarjen që për herë të dytë, nga i njëjti organizator vjen e performon e këndon këngë, të cilat nuk i shërbejnë, as nuk i kontribuojnë trevës, e cila pranon, mjerisht në heshtje, që një mirënjohje e tillë t’i jepet atij. Pra, të nderohet me diçka që në të vërtetë nuk e ka bërë.
Ç ‘janë këto absurditete? Dhe, pse ndodhin gjëra të tilla, mjerisht, me shumicë? Pse të çnderohet i ftuari, pra miku i cili thirret në një manifestim të tillë?! Pse të çnderohet vendi dhe organizata me një shkarje të tillë euforike?! Pse nuk jepen mirënjohjet për arsyen që i takon dikujt ta meritojë atë mirënjohje?
Mund të supozohet, se i shpërblyeri me mirënjohjen e tillë, pasi që ta ketë dëgjuar motivacionin dhe pastaj pasi që ta ketë lexuar me kujdes atë motivacion, të jetë ndjerë në siklet, se në të vërtetë, a e meriton një mirënjohje të tillë dhe a i ka bërë bëmat që shkruhen në atë mirënjohje. Apo thjesht nuk i kujtohen apo thjesht janë imponuese, që në një të ardhme, të punojë në atë drejtim që motivacionin ta arsyetojë! Edhe publiku, mund të ketë thënë me të drejtë, se nga na doli ky që i ka bërë këto bëma kur nuk dihet gjë të ketë punuar në këtë drejtim?! Do të ishte shumë më e thjeshtë, shumë më e kapshme, shumë më e saktë, shumë më bindëse dhe shumë më e pranueshme prej tij moralisht, prej ndarësit të mirënjohjes profesionalisht dhe prej publikut arsyeshmërisht, që mirënjohja të ndahej, nëse do të duhej të ndahej një gjë e tillë, thjesht për ta nderuar mysafirin këngëtar për pjesëmarrjen, për “begenisjen” që na e ka bërë me praninë dhe me zërin e tij. E jo, të çnderohet i ftuari me diçka që nuk e ka bërë dhe të nënvlerësohet mirënjohjedhuruesi me një veprim glorifikues të paarsyeshëm.
Do të mendohet dhe do të thuhet, po ata të cilët me të vërtetë punojnë në drejtimin e kontributit të vyer në promovimin e kulturës dhe të vlerave të atij vendi, pse nuk shpërblehen me nga një “Mirënjohje” të tillë? Ata të cilët, gjatë tërë vitit në axhenden e tyre kalendarike dhe në paraqitjet e tyre publike, madje edhe në shkrimet dhe veprat e tyre shkencore, intelektuale, artistike dhe letrare bëjnë kontributin e vërtetë, shpeshherë vetmohues, për promovimin e vlerave kulturore dhe historike të atij vendi, nuk punojnë për mirënjohje as lëvdata, por punojnë që të ndriçojnë me profesionalizmin e tyre apo me vetdëshirën e tyre që vendi i tyre të ngritet dhe të marrë vëmendjen e merituar. Aktivistët e tillë, me veprimet e tyre, mjerisht, po mbesin në heshtjen zyrtare; aktivistët, të cilët vendin po e promovojnë në ngjarjet kombëtare dhe ndërkombëtare me dhjetëra-qindra-mijëra shikues, po mbesin për lavdërime facebook-u; aktivistët, të cilët vendin po e promovojnë përmes aktiviteteve që po i shfaqin në pah bukuritë e rralla natyrore, ndërtimore dhe sportive, po mbesin në neglizhenca të paautoritetshme. Në të vërtetë, siç është e dëshmuar, çmimet dhe mirënjohjet, më shumë se t’i bëjnë nder marrësit të tyre, ato në radhë të parë, i bëjnë nder vet institucionit apo shoqatës që i dhuron ato. Pra, me to, nuk nderohet vetëm pjesëmarrësi, por me dhurimin e tyre nderohet edhe vet dhuruesi. Gjithnjë, nëse mirënjohjet a çmimet dhurohen sipas meritës, e jo siç ndodh zakonshëm te ne, që ato dhurohen, e para, si të ishin teprica në kopsht dhe me motivacione të gabuara, e dyta. Sidomos dhurimi i mirënjohjeve me motivacione të gabuara e çnderon dhuruesin e saj dhe pranuesin e saj.
Pyetja e pyetjeve do të ishte: pse në një vend me kaq shumë histori dhe kulturë, në manifestimet qendrore të tyre, nuk bëhet promovim i traditës dhe kulturës së atij vendi? Kjo nuk ndodh vetëm në Krajë, Anë të Malit e në Ulqin. Fatkeqësisht, një gjë e tillë e mosdurimit kulturor ka përfshirë një përhapje të gjerë në rajon. Por, fatmirësisht, ka festivale dhe ngjarje kulturore që traditën e vendosin në vendin e merituar.
Përgjigjja e thjeshtë do të ishte:
le t’i vizitojmë manifestimet e tilla dhe le të marrim mësim nga shembujt e mirë.

Të fundit

më të lexuarat