Kultura shqiptare përballë injorancës

E dhimbshme është kjo përzierje fatkeqe që ua hapi shtegun atyre, të cilët për interesa të ngushta ia mësynë ta rregullojnë shtratin për gjumin e thellë, për topitjen e mendimit shqiptar dhe për zymtësinë e realitetit. Injoranca, dredhia dhe mashtrimi janë karakteristikat identifikuese të “intelektualëve” maskarenj, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës patriotike, mbajnë leksione atdhedashurie. Edhe ashtu politika shqiptare i përngjan vetëm arenës së cirkut, në të cilën palaço janë “intelektualët” injorantë, që kanë zënë vendin e atyre intelektualëve që kanë zgjedhur të strehohen margjinave të shoqërisë shqiptare

Qani Osmani

Inteligjencia shqiptare akoma nuk ka arritur të dalë nga lëvozhga e “neutralitetit” absurd, duke qëndruar margjinave të të gjitha ndodhive që cenojnë shoqërinë shqiptare, me arsyetimin se në këtë mënyrë ruan profilin e saj nga ndikimi i politikës ditore.
Ka kohë, mbase shumë kohë që nuk është evidentuar ndonjë kritikë, qoftë edhe sipërfaqësore, për kaq shumë anomali në politikat shqiptare. Akademitë shqiptare vazhdojnë të heshtin, siç heshtin edhe një mori shoqatash shqiptare, të cilat tashmë figurojnë vetëm në letër, për shkak të gjumit të “ëmbël” në djepin e partive që janë në pushtet.
Dhe, me të drejtë shumëkush pyet se a kemi inteligjencë apo shtiremi se kemi. Disa që në të kaluarën e afërt ishin kritikë, shumë shpejt heshtën, sepse pushteti ua gjeti pikën e dobët dhe fare lehtë i përfitoi. Më nuk dëgjohet as zëri i arsyes.
Dhe kur mungon ky zë, atëherë në sipërfaqe është e natyrshme të dalin disa “intelektualë” që janë ngatërrestarë, që turbullojnë dhe gjymtojnë perspektivën shqiptare. Këto prapështi i bëjnë “intelektualët tregtarë” që shndërroheshin në historianë, “mësuesit” në zëdhënës partiakë, injorantët në të ashtuquajtur politikanë e kështu me radhë.
E dhimbshme është kjo përzierje fatkeqe, që ua hapi shtegun atyre që për interesa të ngushta ia mësynë ta rregullojnë shtratin për gjumin e thellë, për topitjen e mendimit shqiptar dhe për zymtësinë e realitetit. Injoranca, dredhia dhe mashtrimi janë karakteristikat identifikuese të “intelektualëve” maskarenj, të cilët, duke u fshehur prapa retorikës patriotike, mbajnë leksione atdhedashurie. Edhe ashtu politika shqiptare i përngjan vetëm arenës së cirkut, në të cilën palaço janë “intelektualët” injorantë, që kanë zënë vendin e atyre intelektualëve që kanë zgjedhur të strehohen margjinave të shoqërisë shqiptare. Ndaj nuk është e qartë se përse janë kaq të trishtuar e të frikësuar…
Te qenit i politizuar në përmasa fatale, ka bërë që të shtohet jo vetëm verbëria e zhvendosja e vlerave, por edhe përzierja e profesioneve, saqë sot nuk dihet se kush çka është. Krejt kjo ka nxjerrë në pah injorantët, të cilët udhëhiqen nga guximi i tepërt, me qëllim që si e si të shijojnë ndonjë përfitim nga pushteti i kontrolluar. Kështu, sot, traktoristit me guximin e tepërt të tij nuk i lëviz as qerpiku nëse partia e tij kërkon që ai të ulet në kabinën e pilotit. Po kështu as berberi nuk do të përtonte fare të ulet në karrigen e shqyrtimit të projekteve të kulturës shqiptare.
Nëse injorantët vendosin për kulturën shqiptare, atëherë natyrisht se injoranca do të na bëhet kod identifikimi. Vetëm ndër shqiptarët e Mal të Zi për librin vendosin ata që nuk kanë lexuar asnjë libër, aq më tepër kur dihet fakti se institucionet i kanë mbushur me njerëz të gabueshëm, të cilët të vetmen meritë kanë dëgjueshmërinë partiake.
Edhe ato institucione të pakta kulturore që veprojnë janë shndërruar në qendra politike, qendra propagande, qendra për shërimin e frustrimeve. Në këto institucione gjithçka bëhet, por vetëm kulturë nuk bëhet. Kjo dëgjueshmëri në fushën e kulturës tashmë i ngjan perversitetit, sepse dëgjueshmëria dhe përfitimi i ndonjë ashti, manifestohet edhe me ulje të brekëve. Edhe kështu disa injorantë e shesin shpirtin e tyre, duke menduar se bota nuk sillet.
Të tillët vazhdojnë të bëjnë ahengje, të vetëkënaqen, të notojnë bashkë me kungullin nën sqetull. Askush me asgjë nuk i pengon, sepse shoqëria shqiptare ka humbur dëshirën për të pasur një kulturë të mirëfilltë shqiptare, për të pasur një ind të shëndoshë kombëtar, por edhe një identitet të qartë.
Fatkeqësisht, lajtmotiv i kësaj shoqërie është bërë heshtja dhe pritja se do të bie diçka nga qielli për të na i ndryshuar punët. Dhe, kur traktoristi do ta marrë timonin e pilotit, atëherë një është e sigurt: përplasja e garantuar në theqafje…
Në Mal të Zi dyshimi ndaj shqiptarëve (nga pala malaziase) vazhdon të jetë një lloj lajtmotivi në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore ku, sa për sy e faqe, janë të përfshirë ata. Dyshimi ndaj shqiptarëve ishte dhe është një kod, të cilin, së paku deri tani, askush nuk mëtoi që të zbërthehet deri në palcë, sepse asnjëherë nuk u shtrua si problem, si diçka që duhet trajtuar në formë të prerë.
Kjo, gjithsesi ka të bëjë me filozofinë e mjerë shqiptare: më mirë pak se aspak. Në të vërtetë, në atë kënaqësi me pak, askush nuk e çan kokën për marrjen e rolit të figurantit, e as të ndarjes së thërrimeve (për ta) nga kulaçi shtetëror, për të cilin kontribuojnë edhe shqiptarët. Dhe, kur mungon cilësia, në sipërfaqen e ujërave të së keqes notojnë vlerat e dyshimta, që nuk i bëjnë nder përgjithësisht kulturës shqiptare, por vetëm politikave të mbrapshta ditore.
Herë-herë, aty-këtu, mund të dëgjohet ndonjë zë intelektuali, përkatësisht ndonjë kritikë për gjendjen e mjerë në kulturë, por që është zë pa peshë ose që nuk i bën përshtypje askujt, zë që zhduket diku në heshtjen intelektuale, e cila që moti është pajtuar me betonimin e hapësirave për kritikë konstruktive.
Qëndrimi neutral përballë shëmtive të shumta, të cilat kulturën tonë e kanë mbështetur për muri, është një cinizëm që nuk arsyetohet me asgjë. Është fakt se politika e kontrollon buxhetin e kulturës, por është fakt se pikërisht kjo politikë e ka blerë këtë heshtje absurde, edhe atë me një çmim tejet simbolik. Që absurdi të jetë edhe më i madh, sot edhe disa përfaqësues të denjë të kulturës shqiptare qëndrojnë “gatitu” para politikanit analfabet, të cilit pushteti ia ka mundësuar të ndikojë si t’ia dojë qejfi në ndarjen e buxhetit për kulturë.
Pra, ata heshtin dhe blejnë ca privilegje të turpshme, të cilat pastaj përdoren për politika ditore. Pikërisht kjo heshtje ka bërë që të hapen dyert për vlerat e huaja, të cilat me asgjë nuk rrezikojnë “zotët” e politikave të kulturës shqiptare. Nuk është e moralshme që vullnetarisht t’i dorëzohesh politikës dhe pastaj ta akuzosh se të ka keqpërdorur. Ose zëri i intelektualit do të dëgjohet larg ose heshtja e blerë do të vazhdojë të funksionojë. E treta nuk ekziston…
Kësaj dukshëm i kontribuon edhe heshtja e atyre që veten e konsiderojnë intelektualë, heshtje kjo që është blerë me një çmim të papërfillshëm nga disa diletantë, të cilëve u ka rënë për hise t’ia qepin kostumin (e ngushtë) kulturës shqiptare, të cilin angazhim këta diletantë e konsiderojnë si diçka që do të shënohet në analet e historisë.
Kur heshtin intelektualët, përkatësisht kur heshtin artistët, ata që duhet t’i japin hov letërsisë, muzikës, teatrit, pikturës, filmit e kështu me radhë, atëherë është e qartë se ata janë vetëm figurantë që as flasin, as dëgjojnë, as shohin, por vetëm kënaqen me ato pak lekë nga shitja e tyre. Duke marrë këtë pozicion (as nuk kam parë e as nuk kam dëgjuar), atëherë është shumë normale të paraqiten format abuzive, sidomos gjatë shqyrtimit të programit vjetor.
Duke qenë gjithnjë të strehuar aty ku konsiderojnë se kanë gjetur “lumturinë”, pra në margjinat e proceseve të ndryshme ku mungon zëri i tyre, hendekun e krijuar e plotësojnë ata që nuk e ndjejnë fare peshën e identitetit kombëtar, duke u krijuar vend lirshëm vlerave që s’kanë asnjë pikë të përbashkët me ato shpirtërore shqiptare.
Dhe, ndërgjegjja e askujt nuk shqetësohet për këtë çoroditje, për këtë rrëshqitje morale, për këtë dështim intelektual dhe rrënim të vlerave shpirtërore kombëtare. Kjo, natyrisht ia hap shtegun dyshimit midis shqiptarëve dhe kjo do të thotë rrënim përbrenda, kurse jashtë dyshimi (i palës tjetër) ndaj shqiptarëve vetëm e bën edhe më të plotë këtë rrënim, i cili fatkeqësisht kalon pa pengesa pranë heshtjes shqiptare…

Të fundit

më të lexuarat