Kraja përkrah trashëgimisë së pasur kombëtare

Korab Kraja

Në një fshat në afërsi të Prishtinës, pak më tutje liqenit të Badovcit, rrugët gjarpëruese të çojnë në fshatin Kukaj. Kjo mrekulli natyrore sikur i kundërvihet çrregullimit urban të Prishtinës me qetësinë heshtëse që i rri karshi zhurmës e gumëzhinës së kryeqytetit; me ajrin e pastër që i qëndron mbi piedestalin e tymit e smogut të Prishtinës; si dhe, me rehatinë e peizazhit natyror që kryeqytetit ia plotëson çlodhjen nga peizazhi i betonuar. Peizazhi natyror dhe peizazhi ndërtimor i këtij fshati piktoresk e bën të pashmangshme praninë e një potenciali aq vizionar për organizatorin, për ta kthyer këtë fshat në një qendër kulturore, artistike, intelektuale dhe argëtuese për Kosovën dhe për rajonin.
U mbajt edicioni i 14-të me radhë i manifestimit, tashmë tradicional, “Etno Fest” në fshatin Kukaj afër Prishtinës. Edhe kësaj here, ashtu si herëve të tjera, festivali përfshiu ngjarje nga bota e kulturës, artit, debatit, ligjëratave, muzikës, shfaqjes, argëtimit dhe kuzhinës. “Etno Fest” i takon atyre ngjarjeve kulturore, të cilat doemos shënojnë qendrën gravituese të shumë vizitorëve artistë, intelektualë, politikanë, vendorë dhe të huaj, duke e bërë kështu festivalin ndër më të madhin dhe më të njohurin në Kosovë, por duke e ngritur atë mbi vlerat organizuese të ngjarjeve të tilla ndër të vetmit në Ballkan. Festivali u përmbyll me një prani të jashtëzakonshme të vizitorëve, që kap shifrën me dhjetëra mijëra. Dhe, në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe historinë tonë të përbashkët, u prezantua edhe trashëgimia e pasur ndërtimore dhe kulturore e Krajës.
Vera të nxehta dhe me plot ngjarje dhe preokupime të mërgimtarëve, regjisori i njohur z. Fadil Hysaj ka ditur t’i dhurojë një spektakël të madh nëntë ditor me larmi plotë ngjyra dhe me shije artistike freskuese programit të sivjetshëm. Nga 10 deri më 18 gusht, programi ishte i shumëllojshëm, i cili kalonte nga ritualet e lashta me një ndërthurje mbresëlënëse me bashkëkohoren, duke e shtrirë kështu në një vijë të njëtrajtshme gamën e gjerë të korpusit intelektual dhe kulturor të popullit tonë. Larushia programore filloi me një shfaqje të “kushtrimit mortor”, e cila u pasua aty për aty me një monofoni labe, ku ndërthurej me artin skenik të tragjikomedisë, së aktores së veshur si palaço që vajtonte përshpirtërimin e amshueshëm me ritualin e gatimit: “fli, për shpirtin e tij…!” Sikur nga hiçi, nga kushtrimi kodër më kodër dhe vajtimi, filloi ceremoniali i dasmës nga trupa e ansamblit të Shqipërisë Lindore, që e bënte shfaqjen më domethënëse dhe më përbashkuese, ku ndërthureshin krahinat me njëra-tjetrën dhe ku bashkëjetonin traditat e trevave për njëra-tjetrën. Nga folklori i ansamblit të grupeve të koordinuara, programi u zhvendos me një shkëputje të një shfaqjeje komedi, për të kaluar në koncertin e titulluar “Harmoni e kohëve nga brezi në brez”, i cili paraqiti para publikut një larmi interpretuese të muzikës klasike përmes melodive, operës, korit dhe vallëzimeve akrobatike. Në fund të programit të ditës së parë, i cili ritual përcolli tërë festivalin, rregullin indirekt të pjesëmarrësve e theu heshtjen ritmi dhe kënga e “etno nejës”.
Në mes shumë ngjarjeve të ndryshme, duke vazhduar me ditën e dytë e deri në ditën e nëntë, u bënë punëtori teatrore nga regjisori ndërkombëtar, u mbajtën debate, performuan teatro të qyteteve, kishte orë poetike, trajnime të gastronomisë për ringjalljen e kuzhinës së vjetër të kulturës shqiptare, u zhvilluan lojëra tradicionale, u bë promovimi i librit, koncert nga ansamblet dhe sigurisht, nuk ka se si të mungonte përmbyllja me një after party.
Gjatë tërë këtyre ditëve të festivalit “Etno Fest”, ishin të hapura për publikun ekspozita të shumëllojshme, të cilat shfaqnin punën e jashtëzakonshme të artistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë. Ishin të pranishme ekspozita të fotografive, ekspozita të pikturave, ekspozita të grafikëve, ekspozita të skulpturave, ekspozita të tapicerive dhe artefaktet e muzeut etnografik. Në mesin e shumë trevave që bënin pjesë në këtë festival, u prezantua edhe treva e Krajës, së cilës iu bë një prezantim dhe promovim i mirëfilltë. Mund të thuhet kështu, sepse vetë rëndësia dhe pesha e këtij manifestimi i jepte madhështi çdo pjesëmarrësi dhe çdo ngjarjeje që zhvillohej aty.
Në të vërtetë, është hera e tretë që ekspozita e njëjtë i paraqitet publikut. Herën e parë ajo u shfaq në Ostros të Krajës, ku iu paraqit bashkëvendësve; herën e dytë në Shkodër dhe tani për herë të tretë në Prishtinë, ku mund të thuhet tërë kombit shqiptar, por edhe atyre ndërkombëtarëve që ishin të pranishëm. Ishte një paraqitje, prezantim dhe promovim i jashtëzakonshëm i trevës së Krajës që iu bë para një shikueshmërie të tillë dhe para një pjesëmarrjeje dhe rëndësie të veçantë si kjo, sepse të veçantë e bënte numri i pjesëmarrësve, rëndësia e tyre dhe niveli profesional i festivalit.
Çka iu shfaq publikut të “Etno Fest”-it me këtë ekspozitë?
Atij publiku iu shfaq ekspozita fotografike, e cila në fokusin e saj kishte ndërtimet që shfaqin vlera monumentale, arkitektonike, kulturore, historike dhe estetike. Promovimi i trashëgimisë kulturore, përkatësisht trashëgimisë materiale të Krajës dhe emancipimi kulturor, ishte qëllimi kryesor i ekspozitës. Ekspozita ka për qëllim vlerësimin e trashëgimisë ndërtimore dhe rritjen e angazhimit për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e saj.
Kraja është trevë madhështore. Ajo në vetvete përmban një korpus të gjerë dhe të larmishëm kulturor. Në të kaluarën, Kraja u ndërtua me një pasuri të bujshme kulturore; në të tashmen, në Krajë banorët bashkëjetojnë me këtë pasuri të rrallë kulturore dhe të përshpirtshme; ndërsa në të ardhmen, Kraja ka gjasë që të bëhet vend i rëndësishëm, me një pozitë të jashtëzakonshme të potencialit kulturor dhe historik, në mënyrë që, dashamirët e historisë dhe kulturës, artit dhe shkencës ta zbulojnë edhe njëherë trashëgiminë e saj të mahnitshme dhe ta ngrenë në nivelin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore botërore.
Si u prit kjo pjesëmarrje, ky promovim dhe ky përfaqësim i trevës së Krajës në vendlindje dhe te bota kranjane?
Mjerisht, u prit nën petkun e heshtjes.

Të fundit

më të lexuarat