Kisha e Zojës Rruxare e cila ndodhet në qendër të fshatit Stjepo, është një monument i trashëgimisë kulturore të Trieshit. Ajo ndërlidhet me lashtësinë e trieshianëve, të cilët i qëndruan besnikë fesë së krishterë edhe pse hoqën shumë mundime ndër shekuj. Trieshianët këtë fe e ruajtën me uratë. Urata më e përhapur ishte “ Zoja Rruxare”, të cilën e thoshte në mbrëmje çdo familje trieshiane.
Nuk dihet me saktësi se kur është ndërtuar kisha e parë në Triesh, e as se kur e mori këtë emër. Por dihet se Famullia e Trieshit, si institucion, është themeluar në vitin 1763 dhe është ndër më të vjetrat në Dioqezën e Tivarit. Këtë e dëshmon edhe Regjistri i Pagëzimeve, i cili daton në vitin 1763. Sipas Amzave të Pagëzimit , pagëzimin e parë në Triesh e bënë më 8 gusht 1763. Trieshi, me themelimin e kësaj famulli, u bë pjesë e Kishës Katolike Romake në krye me Papën.
Kjo famulli, sipas të gjitha relacioneve dhe misionarëve, përfshihej nën Misionin e Grudës. Që në lashtësi misionari i Grudës vizitonte besimtarët katolikë të Trieshit dhe pastaj kthehej sërish në qendrën e Misionit. Famullia e Trieshit për një kohë mjaft të gjatë është administruar nën Dioçezinë e Shkodrës. Pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878 kjo famulli kalon nga Dioçezia i Shkodrës në Argjipeshkvinë e Tivarit. Të gjithë françeskanët që shërbyen në Triesh deri në vitin 1904 ishin të huaj.
Për fat të mirë kjo kishë u mbijetoi shekujve dhe kohërave të vështira. Ajo ka dy kisha filiale, Kishën e Shën Shtjefnit në bjeshkën e Koritës dhe kishën e Shën Nikollës në fshatin Rudinë nën krahët e malit të Sukës, të cilën e ndërtuan trieshianët në mërgim , çifti Kolë dhe Taze Cacaj, në vitin 2011.
Kisha e sotme “ Zoja Rruxare” e Trieshit është moderne. Ajo është ndërtuar me ndihmën e diasporës. Merita kryesore për ndërtimin e kishës së re të Trieshit i takon të ndjerit Patër Zef Jankaj, famullitar shumëvjeçar i Trieshit i lindur në Shestan të Krajës.
Famullitarët françeskanë dhe murgeshat (motrat) nga Famullia e Trieshit
Famullia e Zojës Rruxare e Trieshit ka një histori shumëshekullore dhe dramatike. Qysh në fillimet e saj e deri më sot ajo ka nxjerrë edhe famullitarë françeskanë dhe murgesha-motra. Patër Mirashi në studimin e tij “ Famullia e Trieshit” shkruan se nga kjo famulli kanë dalë këta françeskanë dhe motra:
1.Nikë Shaba Gjurashaj
- Andrea Gjekaj – Gjurashaj
3.P. Prelë Gjurashaj
4.Atanaz Gegaj
5.Motër Smilja Micakaj dhe - Motër Robertina (Marija ) Gjurashaj
Varrezat, elteret dhe kapelat
Për lashtësinë e Trieshit dëshmojnë edhe varrezat ( varret) dhe kapelat e kësaj famulli, të cilat ndodhen pothuajse në çdo fshat ( katund). Ato u shërbejnë trieshianëve për raste mortore, për kremtimin e meshës për shpirtrat e të vdekurve dhe për shërbime fetare. Elteret dhe kapelat janë ndërtuar në Nikmarash, Muzheçk, Stjepo, Delaj, Bëkaj, Cem i Trieshit , Koshticë dhe Koritë.
Në Triesh ekzistojnë mbi 15 varreza, në mesin e tyre edhe varreza tjera që janë të vetmuara apo jashtë mureve të tyre, ku , siç duket , janë varrosur fëmijët e pagëzuar ose të rrugëtarëve. Disa prej këtyre varrezave nuk përdoren më.
Logjet dhe kuvendet popullore në Famullinë e Trieshit
Logjet janë një traditë shumëshekullore e trevës së Trieshit. Ato janë mbajtur ndër raste festash, për Pashkë , për festën e Famullisë së Zojës Rruxare dhe në Koritë, më 3 gusht. Për këtë traditë të bukur fetare në Triesh ka shkruar shkrimtari dhe publicisti i njohur italian dhe miku i vërtetë i Shqipërisë, Antonio Baldacci ( 1867-1950), i cili rreth viteve 1900 ka fotografuar nuset e rreshtuara në Log.
Po ashtu edhe Patër Kolë Berishaj shkruan se “ Lok të bukur ka ba dikurë Trieshi. Më duket se se i shof edhe sot, kah janë rreshtue e rrinë në Lok, kahë këndojnë, kah kciejnë , vendali e miqasi. E më kujtohet kur duel P. Mark Gojani në dritare të qielës e qiti livore, tue me ju ba përhajrë festën e Trieshit , e mirëseardhjen e miqasisë”.Logjet janë bërë pranë kishës së Trieshit në Stjepoh dhe pranë kishës në bjeshkën e Koritës.
Logjet në Triesh, sikurse edhe në krahinat tjera të Malësisë, në Hot, Grudë e Kojë, pavarësisht se kishin një histori të gjatë, ato patën ndërprerje dhe deformime që kishin sjellë baticat apo zbaticat e kohës. Logjet rëndom janë mbajtur para kishave.
Në vitin 2003 në bashkëpunim të famullitarit të ri dhe SHKA “ Besa” u ringjall Logu i bjeshkës së Koritës, më 3 gusht. Në këtë log defiluan dhjetëra vajza të bukura malësore të veshura në xhubletë, për të kujtuar dikur nuset Me këtë rast për çdo vit të organizimit të këtij evenimenti është shpallur Mis bjeshka.
Kisha e Trieshit nuk ka qenë vetëm faltore, por edhe qendra kryesore e takimeve dhe e kuvendeve të rëndësishme, ku janë miratuar vendimet më kryesore të fiseve, pajtimet e gjaqeve, konfliktet ndërfisnore, madje edhe çështjet e luftës e të paqes. Domethënë ajo ishte krahu i djathtë i jetës popullore.
Famullia e Zojës Rruxare në Triesh në historinë tonë e ka pasur rëndësinë e vet dhe ka qenë nyje për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar. Objektet fetare në Triesh dhe predikuesit e tyre si pjesë e fatit dhe ndërgjegjes së popullit të tij, me qëndrimin e veprimet e tyre nderuan veten dhe bashkësinë shqiptare nga ato kishin dale për ta pohuar e ripohuar se bashku traditën shekullore se: “Populli shqiptar kurrë nuk i ka shkaktuar dhimbje e trishtim asnjë populli tjetër”.