Jo fyerje, por krenari

Duket, pra, se ky emërtim ishte një krenari shumë e madhe pasi kudo që shkonin e vendoseshin shqiptarët, përvetësonin mbiemrin “Arnauti”. Shumica e shqiptarëve të Sirisë kanë rezervuar për familjet e veta këtë mbiemër; disa flasin madje për shtatë mijë të tillë

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Konica jep edhe shpjegimin e Sir James Sedhouse në fjalorin turqisht-anglisht (1921) si “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku, ose vrulli i shqiptarit [Konica:2010/73]. Por Konica çuditërisht shpesh synonte ta shëmtonte kuptimin për arnautin: “Pis Arnautllar”, “Ibne Arnautllar”, “Jabani Arnautllar”, “Hassiktir xhnabet Arnaut” dhe “Vur bu qerata Arnautllari” [Albania, #33-35/1909].
Ata që i kundërshtojnë tezat e mësipërme, zanafillën nuk e gjejnë te shqiptarët e osmanët, por në mesjetën e hershme, kur emri “Arnaud” u bë një nga emrat më të përdorur në jug të Francës. Kështu u quajt djali i Kontit Ermenon dhe bijës së Dukës së Gaskonisë (l. 838). Falë famës që arriti, pas vdekjes (926), emri Arnaud u bë sinonim i qëndresës dhe gëzoi një përhapje të gjerë. Historiani francez Le Roy Ladurie, për fshatin Montaillou që nuk kishte më shumë se 50 familje, shënonte dhjetë prej tyre që mbanin këtë mbiemër! Më pastaj, shpjegojnë se ‘Arnaud’ rrjedh nga teutonishtja (gjermanishtja e vjetër) dhe në shqip merr kuptimin ‘kryeshqiponjë’, apo “e fortë si shqiponjë”. Ata vazhdojnë të thonë se në Ballkan u shfaq nga periudha e Mesjetës, nëpërmjet osmanëve dhe nëse është kështu, nuk është çudi që ata ta kenë pasur në fjalorin e tyre këtë emërtim, shumë kohë para se të kontaktonin me shqiptarët. Ndoshta këtë qëndrim mbante edhe Bajroni kur shkruante: “Arnautët ose shqiptarët më lënë përshtypje të forta për ngjashmërinë e tyre me malësorët e Skocisë, në veshje, në paraqitje dhe në mënyrën e jetesës” [Byron:1935].
Këtu pastaj na dalin mendimet e arkeologëve anglezë, amerikanë, gjermanë dhe turq, të cilët na japin një pasqyrim të ndryshëm për dyndjet e hititëve që përfaqësonin një fis të veçantë të ilirëve që u shpërngulën nga Ballkani i Epërm [Dardania] kah brigjet perëndimore dhe veriore të Detit të Zi, në Kaukaz dhe Anadollin qendror. Ata qenë të parët që ua sollën ballkanasve teknikat e xehetarisë dhe metalurgjisë, rreth vitit 2000 p.e.s! Në shekullin VII para erës sonë përmenden tre perandorë me emrin Arnuvanda, prej të cilit sipas ligjit të metastazës u krijua njëri nga sinonimet për shqiptarët – Aranavud. Disa prej tyre mendojnë se arnautët ishin “të zotë”. Amerling për shembull, përmend prej tyre individë të shquar, si: në Greqinë e lashtë, Perandorinë Bizantine ashtu edhe në Perandorinë Osmane [Amerling:1879/449], pa përmendur një numër të madh të elitës shtetërore osmane. Natyrisht që ishte një arsye për këtë. Beaujour sikurse edhe burimet gjermanofone i përshkruanin si “më të mirët e ushtarëve të Turqisë Evropiane” [Beaujour:1829; Zenelaj:2010/152], ndërsa Karl Fridrich May e shihte si: “i krisur deri në guximin më të madh” [May:1885].
Zamputi përmendë Amedeo’n, i cili prej vitit 1567 vështronte se si popullit që ai e quante ‘Arbër’ në Perandorinë Osmane quheshin “Arnaut” [Zamputi:1989/dok.#218/219-253]. Shumë prej të tillëve pastaj u njohën me këtë epitet, si: Arnavut Koxha Sinan Pasha, Arnavut Dukagjinzade Jahja Beu, Arnavut Abdi Pasha etj. [Shenja, 11. 06. 2011]. Një mik i imi, në spital kishte takuar një mjek, që kishte mbiemrin ‘Arnauti’. Në pyetjen e mikut, ai i shpjegon: “Jam me origjinë shqiptare nga Algjeria”. Duket, pra, se ky emërtim ishte një krenari shumë e madhe pasi kudo që shkonin e vendoseshin shqiptarët, përvetësonin mbiemrin “Arnauti”. Shumica e shqiptarëve të Sirisë kanë rezervuar për familjet e veta këtë mbiemër; disa flasin madje për shtatë mijë të tillë.
Dokumentet austriake të shekullit XVII flasin për një numër të madh arnautësh që luftonin për Austrinë kundër osmanëve [Fjala:2-9. 10. 2005/3]. Për rumunët arnautët ishin shqiptarët që shërbenin si trupa speciale të elitës së periudhës osmane, shpesh si garda ”pretoriane” të familjeve princërore të Rumanisë. Në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX, në Bukuresht mund të shihje fotografinë e një arnauti, me kostum kombëtar të malësorit, me pisqolla e jatagan në brez, me xhamadan të qëndisur, qeleshe në kokë e opingat të veçanta. Mustaqet e tij me bishta të kthyer lart simbolizonin aty besnikërinë dhe sigurinë. Ndërsa në xhaminë Bajraktarli në Prizren u organizua konferenca kombëtare “Itihad-i Arnavut” [Bashkimi Shqiptar], prej nga doli Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Për ata që besojnë se osmanishtja ishte një përzierje e turqishtes me persishten dhe arabishten, rrënja e termit arnaut mund të burojë nga arabishtja, që pastaj ta kenë marrë osmanët! Ne nuk gjejmë ndonjë arab që ta përdorë këtë emërtim për shqiptarin, por në fjalorin e gjuhës arabe figuron “ar-naud”, që lidhet me një mori legjendash. Një e tillë tregohet nga arnautët e Sirisë dhe daton nga koha e Kalifit të dytë Omer (634-644), kur Mbreti i Shamit Ibnul Ejhem el Gasani ishte bërë mysliman dhe kishte vendosur të bënte pelegrinazhin në Mekë. Atje, tek bënte rrotullimin rreth Qabesë, një pelegrin tjetër gabimisht shkel mbretin, në çka mbreti, në reagimin e parë, i bie shuplakë. Çështja iu shtrua drejtësisë, e cila e gjykoi rastin që shkelësi t’ia kthente mbretit me një shuplakë. Pastaj, tek kërkoj sqarime se si një njeri i rëndomtë mund t’i bjerë shuplakë një mbreti, mori përgjigjen: “Kjo është drejtësia islame, një për një”. Por mbretit i erdhi inati dhe u largua prej Islamit. Meqë u ndie i turpëruar, nuk u kthye në mbretërinë e tij, por shkoi në vendin e shqiptarëve, që ishte nën Perandorinë Romake, ku sërish e pranoi islamin. Të afërmit e ftuan të kthehej te mbretëria e tij, e ai u tha: “Arnaud”, në kuptimin: “turp me u kthye”.
Në shënimet e Çelebiut, rrëfimi është pak më ndryshe. Ai thotë se në kohën e Kalifit Omer, një sheikh arab me emrin Jabal’i Alhama i fisit Kurejsh të Mekës, i nxori syrin një sheiku arab, i cili shkoi pastaj te kalifi Omer për t’i kërkuar të drejtën kur’anore (5:45)! Kur i thanë Jebalit, ai tha: ”Oh Omer, nëse është kështu, unë e respektoj ligjin dhe vetë do ia nxjerr vetes syrin”. Por iku, duke mos pasur dëshirë të kryente obligimin e fjalën e dhënë, tha: ar-na-bud [s’ka ndonjë turp]. Tregimi pastaj vazhdon se si Kalifi i vuri në ndjekje 40.000 luftëtarë myslimanë, se Alhama u arratis me një anije deri në tokat e mbretërisë spanjolle. Kur i tha mbretit se ishte një fis i kurejshitëve, i dhuroi malet e pabanuara të Dukatit, Progonit e Frengisit, të regjionit të Vlorës e Delvinës, për të jetuar në to. Për një kohë të shkurtër, ata u shtuan dhe duke u përzier me frankët, krijuan gjuhën shqipe nga një përzierje të frëngjishtes me arabishten (?!). Meqë nuk u desh të nxirrte syrin, ata thanë “Ar-na-bud” (nuk duhet të ketë turp). Meqë ata e patën prejardhjen prej kurejshitëve (Quraysh), malet ku po banonin i emërtuan Quryelesh (malet e Kurveleshit) apo malet e Kurejshit [Dankof&Elsie:2000/65]. Çelebiu thotë pastaj se Jabal Alhama vdiq si mysliman dhe u varros jashtë qytetit të Elbasanit dhe këtë shqiptarët e kujtojnë për të parin e vet! Pasardhësit e tij u përzien me frankët dhe mohuan librin. Në historinë e Tuhvas ka informata më të hollësishme për këtë fis arab – thotë Çelebiu [Dankof&Elsie:2000/189-191].
Një tjetër legjendë thotë se një familje e kurejshitëve ia kishte përkushtuar jetën thirrjes në Islam dhe prandaj ishte vendosur në tokat e shqiptarëve. Kjo familje solli me vete edhe termin “Arnaud”, nga i cili pastaj e përvetësuan shqiptarët që i gjeti aty.
Identik është edhe rrëfimi i një grupi njerëzish të cilët paskëshin qenë vendosur këtu për të njëjtin qëllim dhe për të përcaktuar këto vende thonin “tek Arnautët”.
Legjenda e tretë e këtij rangu lidhet me kohën kur u përhap feja, një ushtri e vogël paskësh ardhur në Ballkan dhe pësuar disfatë nga shqiptarët. Komandanti i tyre pastaj i pyeti Helmud [a po kthehemi], e ata i thanë Arnaud [jo nuk po kthehemi].
Një version tjetër i kësaj legjende lidhet me një princ të Shamit (Siri), i cili për shkak të disa mosmarrëveshjeve me mbretin, iku dhe u vendos në tokat e shqiptarëve. Pasi vdiq mbreti, i çuan fjalë të kthehej, por ai u tha “Ar-na-ud”, që don të thotë “turp të kthehemi”.
Në lidhje me Shamin është edhe legjenda që ka të bëjë me fisin e krishterizuar arab të Banu Ghasaneve, i udhëhequr nga Xhabal bin Al-Ahyan, i mbiquajtur Arnaut, të cilët u larguan nga Shami kur e morën myslimanët dhe u pritën nga Perandori Kostandin II në Maqedoni. Disa madje spekuluan se Perandori Nikoforus I ishte vetë pasardhës i tij.
Pavarësisht miteve dhe legjendave që janë thurur për Arnautin, ne nuk mund të mos përmendim këtu edhe pretendimin se me epitetin “Arun en Neud” (turp të kthehemi prapa), shqiptarët i emërtoi Sulltan Selimi I, i cili duke i njohur si trima, ndaj shqiptarëve kishte konsideratë tejet të lartë!
Ka plot dëshmi të besueshme se të qenit ‘Arnaut’ nuk ishte fyerje, por krenari. Pas marrjes së Shqipërisë nga Sulltan Mehmet Fatihu II, shumë shqiptarë u vendosën në një pjesë të Stambollit dhe pasi e mbipopulluan atë vend, e emërtuan me emrin “Arnavutköy” [Arnavut – Shqiptar dhe köy – fshat, pra “fshati shqiptar”]. Edhe pse shqiptarët u larguan pastaj nga kjo zonë, këtë emërtim mban edhe sot. Arnautët e Turqisë sot përbëjnë numrin më të madh të shqiptarëve në botë [KohaNet, 8. 3. 2013]! Atje janë pasardhësit e dhjetëra mijë arnautëve nga Sanxhaku i Nishit, të dëbuar në vitet 1877-1878.
Në Damask, në fillim të shekullit XX kishte shumë lagje që quheshin “lagjja e arnautëve”, ‘mahalla e arnautëve’, ku gjendej edhe “xhamia e arnautëve” dhe ku sot jetojnë mbi 10 mijë arnautë [Telegraf, 29. 7. 2002]. Edhe në Bosnjë e Hercegovinë ka fshatra me prejardhje shqiptare, si: Arnautët në Zenicë, Arnautoviq në Visokë etj [Ura, #5/2010].
Të mos lëmë pa përmendur edhe takimin e arnautëve në Bejrut [27. 02. 2013], të organizuar nga “Sawt Arnaout International for Culture and Art” dhe të mbajtur në ndërtesën e UNESCO-s. Në këtë takim morën pjesë dhe diskutuan arnautë nga Libani, Siria, Iraku, Egjipti, Tunizia dhe Palestina. Në mos asgjë tjetër, ky takim tregon se numri i arnautëve në këto vende nuk është i vogël dhe se ata vetë gjithherë kanë parapëlqyer dhe kanë mbetur krenar me ‘arnauti’. Po të ishte vërtet term fyes, pse gjithë kjo dëshirë për t’u quajtur Arnaut!?
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat