Kështu për shembull gazeta e vetme shtetërore në Kroaci “Vjesnik”, u mbyll në vitin 2012, për shkak të borxheve të mëdha. Edhe gazeta tradicionale “Borba” e Beogradit u shua pas 90 viteve ekzistencë. Kështu janë mbyllur edhe një numër i madh i gazetave ditore evropiane e botërore.
Por, megjithatë, shoqëritë me koncepte më të qarta shtetformuese dhe me ndërgjegje më të lartë kombëtare, gjejnë forma dhe mënyra për t’i ruajtur organet e tyre të shtypit që kanë përshkruar të kaluarën dhe historinë e tyre nëpër periudha më të gjata kohore. Shumica e gazetave tradicionale nëpër botë dhe vendet evropiane e ballkanike, vazhdojnë të funksionojnë edhe në versionin e shtypur, edhe në atë “online”. Por, ato që aty-këtu e kanë ndaluar formatin e shtypur, vazhdojnë të punojnë gati me të njëjtat kapacitete në formatin “online”.
Në hapësirën shqiptare tanimë janë shuar pothujase të gjitha gazetat tradicionale, me të cilat identifikohen breza të tërë. U shua gazeta më jetëgjatë e Shqipërisë “Zëri i Popullit” (Tiranë), u shua gazeta identitare e Kosovës “Rilindja” (Prishtinë), u shua gazeta më popullarizuese e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe më gjërë “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), u shua “Koha” e shqiptarëve të Malit të Zi, apo edhe “Jehona” e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila me vështërësi botohet në mënyrë periodike.
Fatkeqësisht, të gjtha këto gazeta që më se pesë dekada i mbijetuan regjimit komunist, dalëngadalë u zvetënuan dhe u humbën përjetësisht në periudhën e demokracisë, pikërisht atëherë kur të gjithë menduam se mundësitë për zhvillimin dhe avancimin e shtypit janë më të mëdha. A thua, pse e gjithë kjo neglizhencë dhe vetëdije e ulët për ruajtjen e shtypit tradicional shqiptar, e cila realisht është një trashigimi shumë e pasur kulturore?! Pse e gjithë kjo pakujdesi ndaj titujve emblematikë të shtypit shqiptar, me të cillët u rritën e u kalitën gjenerata të tëra?! A është vërtetë kriteri financiar apo ai subjektiv, më “meritori” për mbylljen e këtyre gazetave?! Këto dhe çështje të tjera, mëtojmë t’i shtjellojmë përmes këtij shkrimi, që ka për qëllim sqarimin e këtij problemi të shoqërisë shqiptare, por edhe ndezjen e alarmit për humbjen para syve tanë të një trashigimie kulturore të pakrahasueshme dhe të papërsëritshme.
Gazeta “Dielli” – SHBA
Në historinë e gazetarisë shqiptare pranohet se gazeta me më shumë jetëgjatësi e botës shqiptare është “Dielli”. Numri i parë i saj doli në Boston të SHBA-së, me 15 shkurt të vitit 1909, si organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, ku vijoi të botohet deri më 1992, përkatësisht 2006, dhe me disa ndërprerje e vazhdoi botimin e shtypur nga viti 2011, por vetëm në raste dhe data të veçanta, kurse sot është aktive në formatin online. “Dielli” gjatë kësaj jete shekullore, ka ndërruar shumë botues, me bindje dhe pikëpamje të ndryshme politike dhe ideologjike. Emrat më përfaqësues të saj mbeten Fan Noli, Faik Konica e Kristo Floqi. Kjo gazetë emblematike e shtypit shqiptar, me shumë vështërsi financiare arrin të mbahet gjallë si gazetë mujore, kryesisht falë “xhelozisë” së atdhetarëve vatranë, për të mos e shuar traditën. Gazeta në formatin online dhe atë të shtypur, është mjaft aktive me informacione të llojeve të ndryshme për dhe rreth komunitetit shqiptar në SHBA, dhe në trojet etnike shqiptare.
Gazeta “Zëri i popullit” – Tiranë
Gazeta “Zëri i popullit” e Tiranës, u themelua më 25 gusht 1942 në ilegalitet, dhe redaktuar fillimisht nga Enver Hoxha. Pas luftës ajo u bë gazeta zyrtare e Shqipërisë dhe ishte organi kryesor i propagandës së Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH). Pas vitit 1991 gazeta vazhdoi të botohet si organ shtypi të së njejtës parti, e cila në qershor 1991 ndryshoi emrin e saj në Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH).
“Zëri i popullit” e ndaloi botimin e shtypit në nëntor të vitit 2015, me urdhër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili nuk ka pasur ndonjë simpati të veçantë për të, për shkak të “bagazhit ideologjik të së shkuarës”. Pra, pas 65 vitesh në tregun e shtypit të shkruar shqiptar, duke qenë gazeta e dytë për nga jetëgjatësia në historinë e shtypit shqiptar, “Zëri i popullit” rreth dy vite pas shuarjes u gjet në versionin “online”, që pas një kohe të shkurtër të ndërpritet fare, duke humbur çdo gjurmë! Me shuarjen e saj u shua një trashigimi mjaft e pasur kulturore, pavarësisht ngarkesës ideologjike që kishte gjatë viteve të shumta të sistemit komunist shqiptar.
Gazeta “Rilindja” – Prishtinë
Më 12 shkurt të vitit 1945, në Prizren u botua numri i parë i “Rilindjes”, si organ i Frontit Popullor në Kosovë. Prej numrit 61, gazeta vazhdoi të botohet në Prishtinë, në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Në fillim ishte e përjavshme, vetëm me katër faqe deri më 27 qershor 1948, kur fillon të dalë dy herë në javë, kurse nga nëntori i vitit 1958 bëhet e përditshme (përveç ditës së premte). “Rilindja” ishte pa dyshim gazeta më e lexuar dhe më shitur në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, ndërsa tirazhi maksimal gjatë festave kombëtare dhe Vitit të Ri, ka arritur deri në 234.000 ekzemplarë.
Me gazetën “Rilindja” janë rritur shumë gjenerata dhe në të janë kalitur shumë intelektualë, shkrimtarë e veprimtarë kulturorë e politikë nga të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë. Në vitin 1990, nga pushteti serb u ndalua botimi i kësaj gazete, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë më 1999, ajo doli përsëri në treg. Gazeta “Rilindja” përfundimisht ka pushuar së botuari që nga viti 2009.
Shuarja e kësaj gazete në të cilën përmblidhet një histori më se gjysmëshekullore e shqiptarëve të Kosovës, pa dyshim është një humbje e madhe për gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në përgjithësi. Rikthimi i saj i mundshëm në treg, qoftë edhe në mënyrë simbolike, do të fliste shumë për respektin ndaj traditës, vlerave të mirëfillta dhe të kaluarës sonë. Mirëpo, deri më tani, përpos aty-këtu ndonjë fjale vullnetmirë, nuk është bërë asgja konkrete në drejtim të funksionalizimit të këtij brendi të rëndësishëm të gazetarisë shqiptare.
Gazeta “Flaka e vëllazërimit” – Shkup
Kur flitet për historinë e shtypit në Maqedoni të Veriut, asociacioni i parë është gazeta më jetëgjatë e kësaj treve shqiptare, “Flaka e vëllazërimit”. Numri i parë i saj doli më 4 prill të vitit 1945 në Shkup, duke qenë organ i Shtabit Kryesor të Frontit Popullor të Maqedonisë. Një rol të madh në botimin e kësaj gazete kishte dr. Nexhat Agoli, ministër i Politikës Sociale në Qeverinë e parë të Maqedonisë. Ndërsa, drejtor dhe kryeredaktor i parë i kësaj gazete ishte dr. Petro Janura.
Në gazetën “Flaka e vëllazërimit” vazhdimisht shkruhej historia e qytetarit shqiptar të Maqedonisë, problemet e tij, nevojat, kërkesat, idetë dhe shpresat për një të nesërme më të mirë. Për këtë , gazeta ishte e pasur me rubrika dhe materiale të lloj-llojshme, të cilat preknin thellësisht në qenien e shqiptarit. Veçanërisht dallohej rubrika e kulturës dhe e arsimit, e cila ndodhej në një nivel të lartë artistik dhe profesional.
Nga viti 1994 bëhet e përditshme, por fatkeqësisht duke vazhduar të jetë nën kontrollin e partive politike shqiptare që ishin pjesë e pushtetit të Maqedonisë. Gazeta “Flaka e vëllazërimit”, e cila tanimë e kishte shkurtuar emrin në “Flaka”, vazhdoi botimin deri në vitin 2004, kur pas privatizimit të saj (u shit për më pak se 3.000 euro), u shua plotësisht! Ndërprerja e botimit të kësaj gazete pas gjashtë dekadave (nëntor 2004), paraqet humbje të madhe për historinë e shtypit shqiptar në Maqedoni, dhe në përgjithësi për historinë e shqiptarëve të këtyre hapsirave.
Revista “Koha (Javore)” – Podgoricë
Shtypi i shkruar në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi, nisi me revistën për kulturë “Koha” (1979-1990), ku brenda këtij harku kohor dolën 54 numra, dhe për herë të parë sprovohen penat e reja që më vonë do të jenë emra të njohur në fushën e kulturës, letërsisë dhe artit. Gjatë kohës së pluralizmit politik në këtë hapësirë shqiptare nën Malin e Zi, pati disa përpjekje individuale për të botuar revista e gazeta shqipe, por që fatkeqësisht nuk patën jehonën e duhur dhe jetëgjatësi.
Sot në Malin e Zi, nga buxheti shtetëror botohet e përjavshmja për aktualitete, shkencë dhe kulturë “Koha Javore”, emri i së cilës lidhet me revistën e parë që e përmendëm më lart. Themelues i “Kohës Javore” është Kuvendi i Malit të Zi, ndërsa numri i parë i saj doli më 21 shkurt të vitit 2002. Botues është Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi. Redaksia është vendosur në Podgoricë, edhe pse jeta shoqërore, politike, kulturore e arsimore e shqiptarëve të Malit të Zi , kryesisht zhvillohet në Ulqin, si qyteti me kompaktësi më të madhe etnike shqiptare në këtë shtet. Megjithatë, është shumë me rëndësi kontinuiteti i kësaj gazete, që duhet të mbahet me çdo kusht nga gazetarët dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Malit të Zi.
Revista “Jehona” – Tërrnoc (Bujanoc)
Në mesin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, revista e vetme që pati një jetë më të gjatë të veprimtarisë së saj ishte “Jehona” e Tërrnocit, Komuna e Bujanocit. Gjatë vitit 1977 botohej si fletushkë, e më vonë merr fizionominë e revistës mujore informative, politike dhe kulturore, për të vazhduar pastaj si dyjavore e javore. Shtypej me shaptillograf, në një lokal në fshatin Tërrnoc, në gjithsej dhjetë faqe. Në brendinë e saj gjenin vend krijimet e shkollarëve të kësaj komune, e aty-këtu ndonjë krijim i poetëve e shkrimtarëve të njohur të kohës.
Revista “Jehona” e Tërrnocit pati disa ndërprerje të botimit të saj, sidomos gjatë luftërave në hapësirën ish-jugosllave. Tani herë pas here vazhdon të botohet si revistë periodike, sidomos gjatë datave të rëndësishme kombëtare, por në thelb e ka humbur kontiniutetin. Në këtë rajon shqiptar të mbetur nën Serbi, së fundi u patën botuar edhe revista tjera në gjuhën shqipe (“Perspektiva”, “Nacionali”), të mbështetura nga organet shtetërore, por që fatkeqësisht edhe ato e ndalën botimin pas disa numrave modest.
Shtypi tradicional shqiptar, si në Shqipëri e Kosovë, por edhe në viset tjera të rajonit ballkanik të banuara me shqiptarë, fatkeqësisht e ka humbur kontinuitetin. Janë ndërprerë botimet e të gjitha gazetave tradicionale, të cilat janë zëvendësuar me emra të rinj. Me ndërprerjen e këtyre botimeve, është ndërprerë një hallkë shumë e rëndësishme e zinxhirit kulturor e kombëtar të shqiptarëve.
Pa dyshim, është kjo një humbje jo e vogël e trashëgimisë sonë kulturore, e cila më së paku është dashur të ndodhë, pikërisht në këtë kohë, kur mundësitë për të mbajtur gjallë kulturën dhe traditën tonë, janë më të mëdha se kurrë. Pra, nuk qëndrojnë arsyet se gjoja këto gazeta të traditës, janë shuar për shkaqe financiare. Kur po munden ende të mbijetojnë në treg dhjetëra gazeta ditore, pa kurrfarë problemi, do të mund të mbijetonin edhe gazetat e traditës, me të cilat u rritën breza të tërë.
Rikthimi i këtyre brendeve të rëndësishëm në historinë e gazetarisë shqiptare, mund të bëhet fare lehtë me ndarjen e një fondi modest të kuvendeve apo qeverive gjegjëse. Nëse ato fonde nuk do të mjaftojnë për versionin e shtypur të këtyre gazetave, atëherë le të jetësohen në versionin “online”, me shumë pak punëtorë dhe kosto minimale financiare!