Flamuri, dëshmi e shpirtit të lirë të një kombi të pathyeshëm

“Pavarësisht ndryshimeve të periudhave dhe sistemeve të ndryshme, ne kemi ruajtur me krenari gjuhën dhe identitetin kombëtar, me traditat dhe zakonet e ngulitura thellë në unin tonë”, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika

Ulqin – Në sallën e mbushur plot të Qendrës së Kulturës – Ulqin, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka organizuar të enjten mbrëma (28 nëntor 2024) shënimin e Ditës së Flamurit dhe 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Programi ka filluar me intonimin e Himnit Kombëtar nga kori i fëmijëve nga Ulqini, nën dirigjimin e prof. Islam Axhemoviq.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë në fjalën përshëndetëse se flamuri ynë është simbol i identitetit, unitetit dhe përpjekjeve për liri të popullit shqiptar ndër shekuj.
“Në këtë datë historike, ne nderojmë me përulje ata që vuajtën nën sundime të ndryshme, ata që u burgosën dhe u persekutuan për besnikërinë ndaj idealeve kombëtare, ata që u sakrifikuan nëpër burgje e internime, duke mbajtur gjallë shpirtin e atdheut në zemrat e tyre. Nuk mund të harrojmë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe të kombit, si dhe ata që humbën jetën duke luftuar për të mbrojtur territorin dhe dinjitetin e Shqipërisë. Ata që qëndruan në ballë të sfidave, duke treguar dashurinë për vendin, duke mos kursyer as jetën, as pasurinë që të jetojmë të lirë dhe krenarë në trojet tona shekullore”, ka thënë ai.
Sipas tij, për shqiptarët e Malit te Zi kjo ditë ka një kuptim të veçantë, pasi trojet tona përgjatë historisë kanë qenë simbol i durimit, sakrificës dhe i mbijetesës.
“Pavarësisht ndryshimeve të periudhave dhe sistemeve të ndryshme, ne kemi ruajtur me krenari gjuhën dhe identitetin kombëtar, me traditat dhe zakonet e ngulitura thellë në unin tonë”, ka theksuar Nika.
Ai ka thënë se “nuk duhet të ndjekim shembullin e atyre bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që për dekada u tjetërsuan dhe që edhe sot vazhdojnë të tjetërsohen në kombësi të tjera, duke harruar gjuhën amtare e duke humbur identitetin shqiptar që brez pas brezi e kanë ruajtur të parët e tyre dhe që disa edhe kanë rënë dëshmorë për këto troje”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se i takon atij brezi të cilit i ka qarë zemra për ta festuar së bashku 28 Nëntorin.
“Nuk kemi mundur. Dhe këto janë vlerat e demokracisë, këto janë vlerat e lirisë dhe ne si komb, gjithë shoqëria jonë duhet t’i çmojë këto të arritura dhe t’i gëzojmë së bashku, kështu siç e bëjmë ne sonte”, ka thënë ai, duke nënvizuar se flamuri është simbol i cili na bashkon të gjithëve kudo që jemi dhe “valëvitet si dëshmi e shpirtit të lirë të një kombi të pathyeshëm”.
Nimanbegu ka thënë se shqiptarët në Mal të Zi çdoherë i kanë shërbyer paqes dhe stabilitetit të vendit.
“Ne kemi dëshmuar se kemi energji, aftësi dhe vizion integrues. Ne kemi dhënë dhe do të japim ndihmesën tonë në rrugën e Malit të Zi drejt familjes së madhe evropiane. Por në këtë rrugë ne nuk do të rreshtim për të mbrojtur interesat tona”, ka theksuar ai.
Në programin festiv, të përbërë nga këngë, pika muzikore dhe koreografike etj. kanë marrë pjesë grupet Dhima Dance Academy nga Lushnja dhe formacioni i harqeve i nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja” – Tiranë, nën përkujdesjen e profesoreshës Ariola Garo; sopranot Gjylie Pelingu dhe Egzona Salaj, këngëtarët Armend Milla, Eliza Markiq, Dino Zhygjeli, Ardian Lulgjuraj, si dhe këngëtarët e vegjël Era Milla, Amra Deda, Vesa Hoxha, Durim Veliqi dhe Xhenis Maniqi, të cilët kanë kënduar një kolazh me këngë të njohura shqiptare. Udhëheqësja e programit, gazetarja Dafina Teliqi ka deklamuar për të pranishmit vargje nga poezia e Çajupit “Mëmëdheu”.
Po ashtu në galerinë e Qendrës së Kulturës është hapur ekspozita e punimeve të fëmijëve me motive kombëtare.
Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë edhe përfaqësues diplomatikë, deputetë, ministra, përfaqësues fetarë dhe të pushtetit vendor etj.
Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, KKSH në bashkëpunim me shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë kanë organizuar të martën mbrëma (26 nëntor 2024) shënimin e kësaj feste kombëtare edhe në mjediset e kësaj shkolle.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat