Për përkufizimin e kombit, teoricienët (historianë, antropologë, sociologë e të tjerë) zakonisht analizojnë origjinën në kuptim të burimit dhe prejardhjes së tij. Ajo çfarë ata kërkojnë të gjejnë është konteksti socio-historik që ka zëvendësuar format e vjetra të identitetit grupor me identitetin kombëtar. Shqiptarët si një ndër popujt më të vjetër e më të ndryshëm të Ballkanit, pas shkatërrimit rë shtetit Ilir u sunduan nga të huajt deri në formimin e shtetit shqiptarë më 1912. Megjithatë, shqiptarët përkundër vështirësive e epopeve luftarake që përjetuan, pa dallim feje e përkatësie territoriale me fanatizëm u munduan që ta ruajnë identitetin grupor shqipfolës i cili gjatë rrugëtimit historik do të shndërrohet në komb shqiptar.
Gjendja shpirtërore, kulturore dhe atdhetare të atyre pak klerikëve katolikë shqiptarë dhe popullit shqiptarë në përgjithësi në fillim të shekullit XVII, me kujdes janë pasqyruar në relacionet e dokumente për historinë e Shqipërisë të transkriptuara e të përkthyera nga studiuesi, mediavisti dhe shkrimtari Injac Zamputti.
- Ardhja e osmanëve në Ballkan vështirëson veprimtarinë për ruajtjen e identitetit shqiptar
Me okupimin e Ballkanit nga Perandoria Osmane, çështja e identitetit grupor u vështirësua shumë. Gjuha amtare është një ndër elementet themelore të kombit, por gjuha shqipe nuk shkruhej as përdorej në komunikimin zyrtar. Jeta e vështirë ekonomike po rëndonte gjithnjë e më shumë mbi supet e shqiptarëve. Osmanët, qytetarëve që do të përqafonin fenë islame u ofronin privilegje të ndryshme, si mospagimi i gjizës, mundësia e pasurimit dhe ruajtja e saj. Kalimi në fenë islame jo rrallë bëhej për t’i ruajtur e lehtësuar kushtet jetësore në bashkësinë familjare. Këtë më së miri mundemi ta kuptojmë nga një letër proteste që dërgohet në Romë kundër arqipeshkvit të Tivarit, Bonaldit, kështu një tivaras shkruante: “Unë Askan Paskali, tashti Mustafa me dhunë, për të mbajtur dhjetë frymë të krishtera te shtëpia, dhe kjo nga persekutimi i të përnderueshmit Bonalsi”. Në këto kushte shumë familje, sidomos në disa qytete të Kosovës, filluan të përdornin gjuhën turke edhe në shtëpitë e veta. Ruajtja e identitetit grupor shqiptarë u vështirësua shumë edhe për fakti se një numër i madh i prelatëve (zyrtarë të lartë të kishës katolike) nuk ishin shqiptarë, por vinin nga Venediku apo Dalmacia dhe natyrisht ata punonin për veten e tyre dhe interesat e Vatikanit.
Tridhjetë – vjetori i fundit i shekullit XVI dhe gjysma e parë e shekullit XVII për historinë e popullit shqiptar, është periudha kur lufta më shumë se njëqindvjeçare kundër pushtimit osman kishte arritur kulmin. Kryengritjet e shpeshta të shqiptarëve, kishin tërhequr vëmendjen e fuqive evropiane dhe përbënin një peshë të rëndësishme në planet e tyre për zhvillimin e luftës kundër Osmanëve. Këto kryengritje në një farë mënyre e mbajtën gjallë dashurinë për vend e për liri, sikurse edhe në kohën e Skënderbeut.
Gjatë luftërave me popullin vendas shqiptar, osmanët arritën që të thyejnë unitetin e madh malor të Dukagjinit, që deri atëherë shtrihej deri në luginën e Matit. Megjithatë shqiptarët veriorë vazhdonin rezistencën, kështu që në skenën politike doli një tjetër bashkim i madh malor që u quajt “Malet Shqiptare”. Por, si do të shihet më vonë, lufta për çlirimin e vendit nuk ishte punë e vetëm një krahine të caktuar, por e gjithë vendit. Për këtë qëllim u mbajtën disa kuvende me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha zonave të rezistencës. Si shembull po përmendim Kuvendin e Shën Mërisë së Matit (7 nëntor 1954) dhe Atë të Shën Lezhdrit të Dukagjinit në vitet 1601-1602. Nga këto kuvende dolën disa projekte për çlirimin e vendit drejtuar Evropës (1577-1621) që kishin për qëllim përhapjen e rezistencës në të gjithë Ballkanin me qëllimin përfundimtar çlirimin e vendit. Vendimet që merreshin në kuvendet shqiptare dërgoheshin nëpër oborret e Evropës për të gjetur zbatim. Por, siç është e njohur, përveç premtimeve të thata, shqiptarët nuk përfituan asgjë. - Roli i klerikëve të huaj katolikë në vendet shqiptare
Një rol të rëndësishëm për gatishmërinë e popullsisë shqiptare për të qenë krah me koalicionin e rezistencës kundër osmanëve luajtën krerët dhe klerikët katolikë. Mjerisht, në atë kohë shumica e klerikëve katolikë nuk ishin shqiptarë, vinin nga Venediku apo Dalmacia. Veprimtaria e tyre nuk shkonte në favor të popullit shqiptar, përkundrazi ata punonin për veten e tyre dhe interesat e Vatikanit. Marin Bici, duke iu referuar kësaj dukurie kishte thënë: “Ipeshkvi i huaj vinte, merrte atë që kishte për të marrë, thoshte atë që kishte për të thënë, linte një vikar (zëvendës) dhe…lamtumirë”. Kurse vendasit ishin të detyruar të qëndronin vazhdimisht në seli, kështu u rrinin punëve përherë mbi krye. Bici për këtë thoshte: “Përherë do t’ ishin më të qëndrueshëm në seli ipeshkvit vendas se të huajt”.
Shekulli XVII, si rezultat i luftërave të armatosura, i kuvendeve e projekteve për çlirim shënon ringjalljen shqiptare në një masë të pa parë deri atëherë dhe interesin e parë për kombësinë shqiptare. Kjo çështje morri rritje edhe nga fakti se klerikët e huaj katolik që dërgoheshin me shërbim nga Roma në Shqipëri, përçmuan dhe shpifen rreth luftërave të shqiptarëve dhe aftësive të tyre praktike dhe intelektuale. Ata na përçmonin duke thënë: “shqiptarët nuk janë për asgjë, të gjithë të paditur”, ose “asnjëri nuk din të shkruajë në këto anë, veçse dy a tre nga Lezha….gjë krejt e gënjeshtërt dhe një rrenë e plotë, sepse në të gjithë vendin ka shumë njerëz që dine të shkruajnë”. Për të gjitha këto populli vazhdoi protestat dhe “të bashkuem në një mbledhje provinçiale kemi vendosë: të hiqet ipeshkvi i Lezhës dhe të na shënohen ipeshkvij e krerë njerëz t’atdheut tonë, sepse kështu tue e dijtë ata gjuhën e zakonet do të jenë të dobishëm”. Pra në këtë kohë kemi një konflikt të hapur ndërmjet klerikëve katolikë vendas dhe të huaj. Në të vërtetë, në këtë kohë në Shqipëri kishte vetëm dy ipeshkvij shqiptarë, Nikollë Mekashi, ipeshkvi i Stefanisë (Shqipëri e Mesme) dhe ipeshkvi i Sapës Nikollë Bardhi, por që të dy, për veprimtarinë e tyre kombëtare kishin qenë të detyruar të merrnin arratinë. - Kontributi i klerikëve shqiptarë për ruajtjen e identitetit grupor shqipfolës
Nga relacionet kuptojmë se në këtë periudhë rritet interesi për historinë e popullit shqiptar dhe gjuhës shqipe si një ndër elementet kryesore të kombit. Të klerikët shqiptarë shohim përpjekjet e tyre për të shpëtuar nga asimilimi i gjuhës shqipe që vjen nga përdorimi i gjuhës turke por edhe i asaj latinishte e italishte. Në këtë drejtim fillin e të shkruarit shqip e kishte dhënë Gjon Buzuku një shekull më parë. Pra mbetët që klerikët të tjerë të vazhdonin misionin për shkuarjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Sa i përket historisë tonë duhet theksuar se në fillim të shekullit XVII, nëpër Evropë ishin përhapur fjalët se shqiptarët kishin ardhur së voni nga Albani i Kaukazit, që ishte një tentative për falsifikimin e historisë. Autorët shqiptarë të kohës bënin përpjekje që në botimet e tyre të tregojnë gjuhën shqipe dhe Shqipërinë si një traditë e lashtë e kundër “teorive” të reja që shqiptarët i konsideronin si banorë të rinj të Ballkanit. Për t’i mos dhënë rast asnjë dyshimi e për të treguar se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve ata me qëllim kur shkruanin në gjuhën latine apo italiane përdornin fjalët “Albanese” dhe “Albania” edhe pse në gjuhën shqipe në atë kohë përdorën fjalët “arbëresh” dhe “Arbëri”. Një rol të rëndësishëm për të vënë në dukje vetitë e popullit shqiptar dhe të drejtat e tija pati edhe Frang Bardhi, sidomos në polemikën që pati me Tomkon për Skënderbeun, që pati ndërruar fe por mbeti shqiptar i devotshëm.
Sido që të jetë, bazuar në relacionet dhe dokumentet e kohës mund të vijmë në përfundim se fillet e para të interesimit për kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe i gjejmë në fillimet e shekullit XVII. Merita u takon klerikëve shqiptarë vendas, ndonëse kjo duhet marrë me synim kritik në mënyrë që të nxirret e vërteta e veprimit të prelatëve të huaj në Shqipëri, gjithmonë në marrëdhënie me kombin dhe gjuhën amtare, e jo në aspektin fetar.