Emërimet e drejtuesve politikë në fushën e arsimit në Mal të Zi kanë sjellë disa fenomene negative. Së pari shpesh janë bërë emërime pa kriter dhe pa profile të larta intelektuale e kulturore apo rezultate të punës. Kandidatët profesionistë diskriminohen gjatë konkurseve
Gjekë Gjonaj
Ndikimi i politikës në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave në Mal të Zi, përfshirë këtu edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe, është shumë i madh. Politizimi në shkolla, ( lexo në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar dhe universitar) respektivisht ndikimi i partive politike në emërimin e këshillave drejtuese dhe drejtorëve është përhapur në tërë Malin e Zi. Në krye të të gjitha institucioneve shkollore ndodhen drejtorë politikë, sikur në sistemin komunist. Pra, libreza partiake është vendimtare, më e fortë se ligji. Ndaj këtij parimi të emërimit të drejtorëve të shkollave dhe këshillave drejtuese nuk është imun asnjë parti politike. Të gjitha subjektet politike, me gjithë fuqinë e tyre vendimmarrëse që posedojnë, drejtpërdrejt janë të përziera në emërimin e drejtorëve të shkollave. Në këtë garë natyrshëm dominon partia në pushtet dhe aleatët e saj. Vendosja e personave partiakë në krye të institucioneve shkollore publike , në mesin e të cilëve kemi edhe drejtorë arsimi apo drejtues shkollash të “përjetshëm”, shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët apo votuesit e saj. Drejtorët politikë janë emërime të ministrit të Arsimit. Është e kuptueshme se ata në të shumtën e rasteve janë drejtorë partizanë dhe kujdesi i tyre është i dominuar kryesisht nga interesi politik i ministrit përkatës.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “751” të revistës Koha Javore