Edukimi patriotik, jetik për kombin shqiptar

Hajrullah Koliqi

“Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.”
(Naim Frashëri)

Patriotizmi (lat. patria-atdhe, mëmëdhe, vendlindje, vendrrënjë) ka të bëjë me dashurinë ndaj atdheut (vendit, popullit, gjuhës, kulturës, historisë, traditës, zakoneve dhe karakteristikave të tjera të tij), si dhe me identitetin kombëtar dhe me përgjegjësinë qytetare, duke përfshirë këtu edhe raportet e mira me vendet dhe popujt e tjerë, pa përjashtim. Patriotizmi është vlerë proaktive morale dhe qytetare në shumë vende të botës. Ai dëshmohet me sjellje dhe me vepra. Rrënjët e patriotizmit shkojnë në lashtësi, vijoi gjatë shekujve, në kontekste shoqërore të ndryshme, për të arritur deri në kohën tonë. Ciceroni këshillon: “Atdheu duhet të jetë më i dashur se vetvetja”, ashtu si Xhon Kenedi, shumë shekuj më vonë, i cili thotë se patrioti nuk pyet se çfarë mund të bëjë vendi i tij për të, por çfarë mund të bëjë ai për vendin e tij.
Patrioti është krenar me atdheun e tij dhe i lidhur shpirtërisht me të, në çdo rrethanë. I tillë është edhe shqiptari patriot, Atdheu i të cilit është Shqipëria etnike (natyrale); shteti amë: Republika e Shqipërisë; ideali më i lartë patriotik: Bashkimi dhe Përparimi Kombëtar.
Edukimi patriotik. Patrioti formohet nëpërmjet edukimit dhe aktiviteteve të tjera të organizuara dhe spontane. Edukimi patriotik fillon në familje, në vendlindje, ku i porsalinduri për herë të parë “përshëndetet” me botën dhe fillon rrugëtimin e tij jetësor. Aty fillon të formojë edhe identiteti i tij si qytetar dhe atdhetar. Në familje dhe në vendrrënjë i ka fillet kultivimi i dashurisë dhe respektit për vlerat kombëtare dhe identifikimi me to. Nga ky këndvështrim, emërtimi i të porsalindurit me emër me identitet kombëtar, si: Alban, Shqipe, Bashkim, Besë, Arsim, Teutë etj., është jo vetëm një simbolikë e bukur, por edhe një praktikë patriotike, që nuk kultivuar. Në familje, fëmija mëson gjuhën amtare shqipe, mëson për vendlindjen, të afërmit, popullin, vendin, simbolet kombëtare etj. Mishërohet me traditat, mentalitetin dhe me vlerat morale e shoqërore etj. Vetë prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, me sjelljen dhe komunikimin e tyre të përditshëm për mirësjelljen, punën, lirinë, besnikërinë, trimërinë, zhvillimin etj., janë model frymëzimi dhe edukimi patriotik për pasardhësit e tyre. Prindërit patriotë, zakonisht, edukojnë edhe pasardhës të tillë. “N’mos rrjedhtë, pikon”, thotë urtia popullore.
Edukimi patriotik vijon edhe në shkollë. Vetë sistemi arsimor, kudo në botë, është patriotik, sepse lidhet me vendin dhe kombin përkatës dhe është në funksion të tyre, ashtu siç janë edhe sistemet arsimore në Shqipëri dhe në Kosovë. Edukimi patriotik në shkollat shqipe lidhet ngushtë me ambientin dhe atmosferën patriotike të saj (emri i shkollës, Himni e Flamuri Kombëtar), me përmbajtjen kurrikulare dhe me aktivitete të ndryshme, të cilat ndikojnë në kultivimin dhe frymëzimin patriotik të nxënësve.
Bazë e edukimit patriotik në shkolla është gjuha amtare, si gjuhë mësimi dhe lëndë mësimore kryesore. Ta duash e ta mësosh mirë gjuhën letrare shqipe, ta flasësh bukur e ta shkruash drejt atë, është dëshirë dhe synim i çdo mësuesi e shqiptari patriot. Edukimi patriotik shqiptar ndërthuret natyrshëm edhe me historinë pellazge-ilire-arbërore-shqiptare, e cila është testamenti identitar i kombit shqiptar. Ajo ndriçon të kaluarën, na mëson për të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen. Kujtesa historike është “e gjallë”. Ajo edukon dhe frymëzon. Rëndësi ka që nxënësit shqiptarë të mësojnë vetëm të vërtetën për të kaluarën paraardhësit e tyre, pa mitizime, trillime folklorike e eufori nacionaliste. Nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë edhe gjeografinë etnike shqiptare dhe realitetin aktual politik, ekonomik dhe kulturor të kombit shqiptar, në funksion të integrimit dhe unitetit kombëtar. Shqiptarët identifikohen dhe krenohen edhe me trashëgiminë dhe vlerat e tyre kulturore, materiale e shpirtërore, të krijuara në shekuj, të cilat ndikojnë fuqishëm në shpirtin patriotik të tyre. Shqiptarët shquhen edhe për patriotizmin multifetar, në funksion të shqiptarizmit dhe altruizmit. Për edukimin patriotik të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në institucione arsimore, rol të veçantë luajnë edhe letërsia, edukata qytetare, edukimi muzikor, arti figurativ dhe lëndë të tjera. Të shumta janë aktivitetet e tyre, si në shkollë (programe festive e përkujtimore), ashtu edhe jashtë saj (ekskursione, vizita në institucione e qendra kulturore dhe monumente historike në mbarë gjeografinë etnike shqiptare), të cilat gjithashtu ndikojnë në edukimin patriotik të gjeneratave të reja.
Patriotizmi nuk është kurrë i mjaftueshëm. Ai kultivohet dhe dëshmohet gjatë gjithë jetës Realiteti aktual gjeopolitik krijoi mundësi për intensifikimin e formave të ndryshme të bashkëpunimit dhe integrimit brendashqiptar, në: ekonomi, energjetikë, telekomunikacion, diplomaci, kulturë, arsim, mbrojtje, sport etj. Sa më shumë institucione, asociacione, parti politike, ministri, përfaqësi diplomatike e sisteme unike kombëtare në fusha të ndryshme, sa më shumë festivale, konkurse, panaire e federate të përbashkëta, projekte ekonomike e infrastrukturore, medie, emisione, enciklopedi, monografi e tekste shkollore etj., në funksion të edukimit e bashkimit kombëtar! Sipas modelit të Heroit Kombëtar (Gj. K. Skënderbeut), Flamurit dhe Himnit Kombëtar, alfabetit të përbashkët dhe gjuhës standarde shqipe, Dita e Mësuesit etj., duhet formuar edhe institucione e asociacione të tjera unike, si: Akademia e Shkencave, Sistemi Arsimor, Ministria e Arsimit, Organizata e Arsimtarëve Shqiptarë dhe shumë të tjera si këto.
Edukatori më i madh i një kombi është shteti: politika dhe institucionet shtetërore, të cilat janë përcaktuese edhe për shumë faktorë të tjerë të edukimit patriotik. Politikat zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë kanë mundësi të bëjnë më shumë për krijimin dhe forcimin e atmosferës së përgjithshme kombëtare, për krijimin e bazës ligjore dhe kushteve të nevojshme për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe integrimit kombëtar në të gjitha fushat. Politikat zyrtare konstruktive në këto dy kryeqytete shqiptare mund të parandalojnë shumë ndarje e përçarje artificiale midis tyre dhe të thellojnë bashkëpunimin dhe integrimin brendashqiptar. “Nëpërmjet bashkimit forcojmë atdheun”, ngulmonin romakët e vjetër. Politika mund të bëjë më shumë kundër dihotomisë skizmatike: Ne (kosovarët) dhe Ata (shqiptarët) ose kundër idesë serbe, të promovuar nga disa shqipfolës serbofilë në Kosovë, për krijimin e “kombit kosovar”, të ndarë nga ai shqiptar! Jo, jo, “Kosova është Shqipëri”, thotë edhe i madhi Ismail Kadare. Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të ndërmarrin masa urgjente për mbrojtjen e gjuhës shqipe, të këtij kapitali të rëndësishëm dhe më fisnik të identitetit kombëtar, nga shpërfillja dhe barbarizmi i skajshëm i saj. Shqipja është në rrezik, ndaj ajo duhet të mbrohet me ligj.
Në këto kohë ndryshimesh të mëdha dhe sfidash ekzistenciale rajonale e globale, sidomos për kombet e vegjël, edukimi i patriotik është jetik për mbijetesën dhe identitetin e kombit shqiptar, edhe për faktin se ky komb me rrënjë të lashta në Gadishullin Ilirik, aktualisht është shumë “i shprishur” nëpër botë, si kurrë më parë. E ardhmja u përket patriotëve, jo globalistëve.

Të fundit

më të lexuarat