Për breza të tërë familjesh trieshiane lojërat popullore kanë qenë burimi kryesor i argëtimit, zbavitjes dhe socializmat të tyre, një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u çlodhur dhe për të shijuar disa argëtime të këndshme tërheqëse dhe shpesh me humor. Ato sipas traditës janë luajtur ( organizuar ) në ndeja të dimrit , në festa dhe ditëve të tjera, kryesisht në ambiente të hapura në natyrë por edhe ambiente të mbyllura në shtëpi. Përmes kësaj tradite popullore, trashëgimie të së kaluarës dhe krenarie në rrjedh motesh të trieshianëve përfaqësohet mjeshtëria, shkathtësia fizike, individualiteti, lidhja e ngushtë me jetën, talenti. Njëheri këto lojëra dëfryese, zbavitëse e humoristike janë të moçme sa vet jeta e malit të Trieshit , të bartura brez pas brezi.
Loja macë (mace) e mi
Kjo ka qenë një lojë kolektive, por me rezultate individuale, e cila luhej me një grup i konsiderueshëm të fëmijëve ( lojtarëve) të moshave dhe gjinive të ndryshme me një numër të konsiderueshme të fëmijëve ( lojtarëve). Domethënë nuk luhej në skuadra ( grupe) të ndara, por individ kundër individit dhe të dalë në mënyrë individuale e vullnetare. Miu gjithnjë përpiqej ta hutonte macen duke hyrë e dalë nga rrethi i formuar prej pjesëmarrësve të tjerë. Macja nuk kishte të drejtë ta kapte miun duke i zënë pritë diku, por duhej të ndiqte rrugën që përshkonte miu dhe duhej ta kapte veç duke ndjekur këtë rrugë. Lojtarët formojnë një rreth dhe kapen dorë përdore duke krijuar në mes tyre një hapësirë të mjaftueshme që lojtarët e lirë (macja dhe miu) të kalojnë lirisht, por normalisht duke u përkulur. Një nga lojtarët që simbolizon miun rri i ulur galiç ( me gjunjë të përkulur e duke rënduar mbi thembra) në mesin e rrethit të formuar nga lojtarët e tjerë pjesëmarrës, ndërsa një lojtar tjetër që simbolizon macen qëndron jashtë rrethit. Lojtari që luan rolin e maces i drejtohet lojtarit që simbolizon miun me këto fjalë:
“-Mini, mini!
Çka po banë aty?
-Po ha ni copë bukë e djathë.
-Ma nepë ni copë mua!
-Jo, nuk ta napë.
-Unë ta marrë vetë.
-Provoje nëse munesh!”
Me këto fjalë fillon ndjekja e miut nga macja. Ishte një rregull që aty nga kalonte miu, duhej të kalonte edhe macja. Nëse gabonte vendin, humbte lojën dhe në vend të tij duhej të shkonte dikush tjetër e po ashtu edhe të miut i cili kishte fituar. Në qoftë se arrinte ta kapte miun duke e ndjekur në mënyrë korrekte, fitonte ai dhe përsëri loja fillonte nga e para me dy lojtarë të tjerë. Duhet të sqaroj edhe një detaj tjetër. Gjatë kohës kur macja i sulet miut për ta kapur, lojtarët e tjerë përsërisin :
“Kapi macja minin!
Kapi macja minin…..!”
Kur gabonte macja, d.m.th. macja kalonte në hapësirën e gabuar, ata përsëri përsëritnin:
“Ka gabua maca!
Ka gabua maca….!”
Loja me pllofke (me rrasa)
Kjo lojë zhvillohej jashtë shtëpie, në natyrë, në rrafsh apo kodra nga dy apo më shumë lojtarë të ndarë në grupe. Kështu formohen dy grupe me nga një ose më shumë lojtarë, por gjithnjë në numër të barabartë secili grup. Në distancë 30-40m larg nga njëri-tjetri, grupet vendosin nga tri rrasa guri në këmbë drejt njëra pas tjetrës me një distancë 20-30cm larg njëra-tjetrës. Secili lojtar i secilit grup gjuan në rrasat e palës kundërshtare me nga tre gurë të madhësive të ndryshme zgjedhur sipas dëshirës së secilit lojtar dhe synon rrëzimin e rrasave të palës kundërshtare. Fiton ai grup që rrëzon më parë rrasat e palës kundërshtare, ose rrëzon më shumë prej tyre.
Loja çkapërcej (shkapërcej)
Edhe kjo lojë ishte një lloj argëtimi, por edhe stërvitje për të fituar shkathtësi në kapërcim pengesash. Luhej jashtë shtëpie, kryesisht në rrugë ose vende të hapura. Këtë lojë e luanin të rinjtë, ose fëmijët djem duke shkapërcyer (kaluar) mbi kurrizin e njëri-tjetrit sikur kapërcehej kaluçi ( një vegël gjimnastikore si kalë ) , për të cilën në kohën tonë nuk e dinim se ç’ishte dhe nuk e kishim idenë nëse ekzistonte.
Fillimi i lojës përcaktohej me short. E fillonte njëri prej djemve duke përkulur kurrizin dhe kështu e shkapërcenin me radhë gjithë sa ishin aty. I pari që e shkapërcente shkonte dhe vendosej disa hapa më tej po me kurriz të përkulur dhe kështu i jepte mundësi lojtarit të radhës ta shkapërcente edhe atë pasi kishte shkapërcyer të parin. Kështu krijohej një varg i gjatë shkapërcimesh që shkonte duke u zhvendosur përgjatë rrugës.
Mund ta luanin edhe dy persona të vetëm me rregulla ( procedura) të njëjta sikur luhej me disa persona. Kur shkapërcente i pari shokun e tij, shkonte më tej disa hapa dhe vendosej në pozicion të përkulur duke i lënë radhën shokut ta kapërcente.
Loja përfundonte kur kishin përfunduar të gjithë sa ishin duke kaluar me radhë mbi kurrizin e secilit pjesëmarrës.
Loja sypshilaza (symbyllazi)
Edhe kjo lojë tradicionale është luajtur në kushte shtëpie dhe në kushte terreni ku ka pasur mjaftueshëm objekte ku mund të fshiheshe si trungje pemësh, shkurre, gëmusha, apo ndonjë objekt tjetër të rastit. Me short zgjidhej lojtari që duhej të mbyllte sytë dhe në një vend të caktuar. Një person qëndron përballë një muri ose peme dhe numëron në një numër të caktuar, le të themi deri në 20, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë fshihen shpejt.
Kur mbaron së numëruari, shkon në kërkim të tyre. Çështja është se kur sheh dikë, duhet të arrijë në vendin ku ka numëruar para tij, për ta “pështyrë”, domethënë për të thënë emrin e tij me zë të lartë. Ai që “pështynë” të parin, ai që ka numëruar në raundin tjetër, “shihet” dhe “shikon”.
Loja e tij fitohej kur i gjente të gjithë të fshehurit dhe i mundte të gjithë, por në qoftë se ndonjëri prej tyre ende nuk ishte gjetur, duhej medoemos ta gjente, se ndryshe loja nuk merrte fund dhe nuk quhej e fituar pa e mundur edhe atë, aq më tepër kur ky i fundit arrinte i pari tek caku dhe pështynte aty para tij.
Loja m gishta ( gishtërinj) të dorës
Një lojë tjetër symbyllazi që e kemi luajtur shpesh edhe në familje ishte me gishtërinjtë e dorës. Duke e luajtur këtë lojë , fëmijët në Triesh , për të caktuar se cilit i takon të mbyllë sytë , vënë gishtërinjtë e dorës së majtë përkundrejt njëri-tjetrit dhe, duke prekur herë gishtin vet, herë atë të kundërshtarit, thonë fjalë si këto:
“ Ligji-ligji pupaligji
Me qira , pula n’tra
Biq-biq, katiq,
Jeta ven e jeta hiq”