
Mbyllja e çdo medieje, qoftë në nivel lokal apo shtetëror, paraqet moment dëshpërimi për qytetarët e mjedisit përkatës, por kur mbyllet një medie me përmasa globale si “Zëri i Amerikës”, është humbje e madhe për botën informative e demokratike, sepse ishte medie me mision të veçantë, në favor të qytetarëve dhe vendeve të privuara nga informacioni objektiv.
Por, ajo që është paralajmëruar më parë u bë realitet, sepse presidenti amerikan Donald Tramp, me urdhër ekzekutiv vendosi shpërbërjen e shtatë agjencive federale dhe mediave të tjera të financuara nga Qeveria amerikane në mbarë botën. Në kuadër të këtij vendimi bënte pjesë edhe “Zëri i Amerikës”, që u mbyll të shtunën, më 15 mars 2025. Ai i kishte filluar transmetimet në vitin 1942 për një audiencë që vlerësohet në 125 milionë njerëz në të gjithë botën.
Pse u mbyll Zëri i Amerikës?
Mijëra gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të stacioneve “Zëri i Amerikës”, “Radio Evropa e Lirë” dhe “Radio Azia e Lirë”, të premten (14 mars 2025) iu ka arritur mesazhi elektronik nga administrata e presidentit Donald Tramp. Në të është shkruar se nuk duhet, madje as nuk bën të vijnë në redaksi. Si shtojcë e kësaj urdhërese ekzekutive, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar kumtesën në të cilën thuhet që ”obliguesit tatimorë amerikanë nuk do të paguajnë më propagandën radikale”. Ky është mendimi edhe i Ilon Maskut (Elon Musk), i cili udhëheq “luftën kundër burokracisë”. Që në shkurt, ai ka deklaruar se këto media amerikane janë ”grupe të majta radikale që flasin për veten e tyre, ndërsa shpenzojnë miliarda dollarë të tatimit amerikan”, njofton Dojçe Vele (Deutsche Welle – DW).
Në shërbim të së vërtetës
“Zëri i Amerikës” është themeluar më 1 shkurt 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku folësi i emisionit të parë të “Zërit të Amerikës”, William Hale, e hapi programin me fjalët, që kanë hyrë tashmë në histori: “Ju flet Zëri i Amerikës! Lajmet mund të jenë të mira, ose të këqija për ne, por ne do t’ju themi të vërtetën”.
Ndërsa për ne shqiptarët “Zëri i Amerikës” ka rëndësi të veçantë, sepse transmetimin në gjuhën shqipe e ka nisur 82 vjet më parë, pikërisht më 13 maj të vitit 1943, kur nga studiot e atëhershme të Nju Jorkut, “Zëri i Amerikës” foli për herë të parë në shqip.
Në ditët e para, studiot e “Zërit të Amerikës“ ishin në Nju Jork. Në vitin 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, shërbimi shqip u mbyll. Por ndërsa Evropa u nda nga perdja e hekurt, për koincidencë, po më 13 maj të vitit 1951, shërbimi shqip u rihap, për t’i vazhduar transmetimet pandërprerë deri më 14 mars 2025. Viteve të fundit “Ditari” transmetohej edhe në disa kanale televizive shqiptare.
Në saje të profesionalizmit, misioni i “Zërit të Amerikës” ishte të përcillte informacione nga vendet ku liria e shtypit ishte e kufizuar, ose nuk ekzistonte. Në këtë kategori bënin pjesë edhe shqiptarët që ishin të privuar nga informimi i drejtë, sepse ishin pjesë e ideologjisë në kampin socialist.
Kundër imazhit të SHBA-së
Në lidhje me këtë vendim të Qeverisë amerikane, kanë reaguar personalitete e media të ndryshme, duke e vlerësuar si veprim të nxituar që do të ndikojë negativisht në imazhin e SHBA-së, sepse mbi tetë dekada kjo ishte një dritare informative në favor të informimit objektiv.
Kështu, ish-gazetari dhe ish-drejtori i kësaj medieje, Elez Biberaj, thekson se “’Zëri i Amerikës’, një fener shprese dhe i së vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, VOA ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke prezantuar besnikërisht politikat e SHBA-së, avancimin e interesave kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besuar i lajmeve të besueshme për miliona në rajonet e privuara nga informacioni”. Më tutje, ai cek se “vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do t’i shkaktojë dëm të thellë imazhit të SHBA-së, interesave të saj globale dhe promovimit të vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënohet një kapitull thellësisht i trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën”.
Medie e veçantë për shqiptarët
Autori i këtij shkrimi ka ndjekur rreth pesë dekada “Zërin e Amerikës”, duke qenë media më e besueshme, e cila ka sjellë informacione të fushave të ndryshme në favor të informimit profesional, në mbështetje të të drejtave dhe lirive të njeriut e të demokracisë. Kjo medie ishte e veçantë për ne shqiptarët të cilët në kuadër të ish-kampit socialist kemi vuajtur për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë.
Më parë përmes radios e më vonë në televizion, ora 18:00 ishte e rezervuar për “Zërin e Amerikës”, sepse atë çka ofronte kjo medie, nuk e ofronin të tjerët. Mbulimi i tërë hapësirës shqiptare me korrespondentë, si në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Shkup e Ulqin, ka mundësuar informimin e përgjithshëm, duke ofruar të dhëna me interes në lidhje me raportet shoqërore, politike, arsimore e kulturore të shqiptarëve në mjediset e tyre.
Por, pakkush ka mundur të besojë se të premten, më 14 mars 2025, do ta shohim “Ditarin” e fundit të “Zërit të Amerikës”, sepse të shtunën, më 15 mars 2025, në orën 18:00 shqiptarët nuk kishin më mundësi ta përcillnin këtë emision informativ ashtu siç ndodhte çdo ditë.
Në pritje të presidentit tjetër
Përfundimisht, vendimi i presidentit Donald Tramp ul imazhin e SHBA-së si vend i demokracisë dhe i lirisë së mediave, që shkon në favor të shumë shteteve autokratike. Pasi një vendim të tillë deri më tash nuk e ka marrë asnjë president amerikan, çështja mbetet e hapur se si do të vendosë presidenti i ardhshëm amerikan – nëse do të qëndrojë indiferent apo do ta rikthejë “Zërin e Amerikës” siç ishte më parë, në favor të informimit të pacensuruar dhe të botës demokratike.