Cila fe i ka mbrojtur shqiptarët?

Haxhi Zeneli

Shqiptarët ka kohë që po merren me fetë e tyre, duke shpenzuar energji të jashtëzakonshme rreth këtyre temave, edhe pse ende kanë ngelur pas si një komb i pakonsoliduar dhe me shumë probleme në rajon. Ajo që po diskutohet në debate të nxehta në emisionet televizive, është rikthimi i disa shqiptarëve , te siç e quajnë ata “ feja e të parëve të tyre”. Por, ajo që na habit është se sa rëndësi shqiptarët po i japin fesë dhe jo kombit.
Iniciativat për t’u larguar nga një fe dhe për t’iu bashkangjitur një feje tjetër, nuk është diçka e parendomtë apo e re, kjo ka ndodhur shumë herë gjatë historisë me shqiptarët. Sot e gjithmonë, kjo nuk ka filluar nga një grup njerëzish në Deçan (Kosovë), kjo ka ekzistuar edhe më parë. Disa imamë të Kosovës kanë reaguar ndaj këtyre personave duke i njollosur ata se ”janë të paguar!”. Megjithatë nuk mendoj se këto organizime kanë lidhje me qarqe të destabilizimit të Kosovës, apo që dikush i ka paguar, por besoj siç e thonë ata se ”janë të revoltuar nga disa imamë në Kosovë, të cilët kanë ofenduar heronjtë, flamurin dhe kombin dhe askush nga bashkësia islame nuk i kanë marrë në përgjegjësi këta imamë, apo të jenë distancuar nga ata dhe ky është mendimi se si kemi ardhur deri këtu”. .Mos të harrojmë se shqiptarëve iu është rritur një fobi ndaj islamit këtyre dekadave të fundit, e sidomos me shkuarjen e disa të rinjve për të luftuat në Siri. Nga këto ngjarje është krijuar edhe një kompleks, ndihen inferiorë ndaj evropianëve, me të drejtë apo pa të drejtë “se Evropa do t’i pranojë shqiptarët më shpejt si të krishterë”, brenda familjes evropiane.
Ky është një iluzion që ndoshta e kanë shqiptarët, por nuk mbështetet në fakte. Evropa ka pasur përçarjet e veta gjatë historisë dhe i ka edhe sot. Evropa ka vepruar sipas interesave ekonomike dhe ndasive territoriale duke thënë se shqiptarët si popull nuk kishin një peshë të madhe në hartat e tyre edhe pse dikur ishin të besimit të krishterë. Nëse i referohemi historisë, kur qyteti i Kostandinopojës ishte nën Bizantin, pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë më 395,trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, sepse vetë themeluesi i Bizantit Konstandini i Madh ishte ilir, i cili ndau shtetin, në këtë rast Perandorinë, i cili e krijoi atë me shumicë shqiptare. Perandoria udhëhiqej nga Konstandini XI, i cili në mënyrë heroike edhe pse në numër më të vogël u mbrojt për plot 53 ditë nga pushtimi osman nën flamurin me shqiponjë ,të ngjashëm me atë që shqiptarët sot e mbajnë si të tyrin. Konstandini këtu nuk pati faj, sepse mbrojtja e suksesshme e qytetit varej nga ndihma e Evropës së krishterë, të cilët e mbajtën me premtime, por nuk i erdhën në ndihmë kurrë, kështu që Kostandinopoja ra në duar të osmanëve, për mosvullnetin e Evropës së krishterë. Andaj, sipas kronikave, i vinte era tradhti që u bë ndaj iliro-shqiptarëve. Edhe më vonë, Evropa e krishterë e kishte rastin tjetër, ta ndihmonte edhe Gjergj Kastriotin, por në fakt sipas studiuesve thuhet se “Gjergji u tradhtua disa herë dhe nuk i ndihmonin, bile priftërinjtë e Napolit tregoheshin shumë koprracë me heroin tonë, sa që kur shkonte tek ata për ndihma, ata as bujtinën nuk ia paguanin. Kemi dokumente nga telegramet e ambasadorëve të kohës, ku shkruhej se “Gjergjit ia binin shpirtin në fyt” siç thotë populli, ku Gjergji me temperamentin e një shqiptari thoshte ”nuk e di perse i luftojë unë turqit në vend që t’i kisha luftuar këta!” (citim i studiuesit Aurel Plasari).
Shqiptarët me shekuj kanë qenë të prirë pas besimeve fetare, ata ende edhe sot janë të tillë, bile është për t’u brengosur se kjo është me shumë se asnjëherë gjatë historisë, duke shpenzuar shumë energji pas temave fetare që janë joproduktive për kombin tonë.
Popujt e mençur merren me ekonomitë, me shkencën, teknologjinë, mirëqenien, kulturën e shumë gjëra të tjera që përmirësojnë standardin e tyre të jetës. Përse ne shqiptarët vazhdojmë të mbesin ndër popujt më të varfër të Evropës. Me keqardhje e them se prioriteti edukativ nëpër media televizive po iu jepet konspiracionistëve, të cilët japin ide të çmendura anti-popull, kjo është tragjike.
Përse shqiptarët i japin shumë të drejt “fesë së të parëve”. Shqiptarët duhen ta kenë të qartë se nuk ishte feja që i ndihmonte. Duhet të kemi parasysh, se pas vdekjes së Skënderbeut kemi humbur fuqinë dhe mbetëm në mëshirën e Osmanëve, të cilët ishin një perandori shumë e fuqishme për kohën dhe askush nuk iu dilte para atyre, kështu që shqiptarët pasi që u dobësuan dukshëm pas vdekjes së heroit të tyre Gjergj Kastriotit, disa braktisën vendin, shumica migruan në brigjet e Italisë, kurse disa u bënë pjesë udhëheqëse të asaj perandorie. Është çudi e madhe se si arritëm t’i shpëtojmë asimilimit total. Por, një gjë është e vërtetë, se shqiptarët i bashkonte gjuha që ishte ndryshe nga të tjerët dhe duhet ta kemi të qartë se: gjuha ka qenë baza e kombit, që ishte lidhja kryesore për të mbijetuar, se edhe sot, deri sa shqiptarët ta ruajnë këtë ndjenjë kombëtare, brenda tyre dhe nuk ngatërrojnë nocionin fe dhe komb, duke i mbajtur të ndara.
Në momentin kur kjo humbet, atëherë kombi mund edhe të rrezikohet.
Akuzat e konvertimeve ndaj shumicës katolike që nuk kishin zgjidhje tjetër përveç islamizimit, besoj se tani të gjithë i kemi të qarta, andaj nuk ishin fajtorë shqiptarët, sepse nuk kishin fuqi ekonomike të mbesin në fenë e të parëve. Historia nuk kthehet pas që ta ribëjmë atë përsëri ashtu si na konvenon ne në këtë kohë. Mos të harrojmë faktin se pas okupimit të tokave arbërore, shumica e feudalëve shqiptarë e lëshuan vendin. Prandaj, nëse bëjmë një analizë: duke e ditur se feja ruhet më lehtë se kombi dhe se ajo mund të ndërrohet sa herë që dëshiron personi, a do ishte më mirë që këta arbërorë të ishin konvertuar dhe të qëndronin në vendin e tyre, apo ata që zgjodhën rrugën e braktisjes së atdheut nga frika e islamizimit? Arbërorët kudo që shkuan nëpër Evropë dhe më tej, është e vërtetë që ruajtën fenë e tyre të krishterë, por në anën tjetër ata humbën diçka më të rëndësishme: gjuhën dhe kombin e tyre, ata nuk mbetën shqiptarë. Sipas historisë, se një pjesë e shqiptarëve për të mos pranuar islamizimin, kaluan edhe në kombe tjera si: serbë, malazezë, grekë, bullgaro-maqedonas, boshnjakë dhe kjo fatkeqësi e kombit tonë ndikoi në reduktimin e numrit të shqiptarëve. Andaj nuk rezulton ajo që thuhet që shqiptarët i ka shpëtuar feja. Kjo ekziston edhe sot, ku shumica po e lënë atdheun e tyre dhe kudo që të shkojnë më lehtë e kanë ta ruajnë fenë, se sa ta ruajnë gjuhën dhe kombin e tyre. Sido që të jetë, ne duhet të pajtohemi me historinë dhe fatin e kombit tonë, duhet ta pranojmë këtë realitet të këtij mozaiku fetar, të vazhdojmë udhëtimin tonë më tutje, duke u bërë shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës për të gjithë botën, ashtu si deri më tani.

Të fundit

më të lexuarat