Procesi i asimilimit të Arbanasëve të Zarës të ardhur në shek. XVIII (1726-1733) nga Ljarja, Brisku dhe Shestani, ka zgjuar interesim te shumë studiues shqiptarë dhe të huaj. Në asimilimin e arbanasëve kanë ndikuar shumë faktorë, sidomos ai politik.
Fillimisht, arbanasit (vetë të ardhurit në Zarë, vendin ku u vendosën e quajtën Arbënesh e jo Arbanas), merreshin me bujqësi dhe blegtori, e më vonë filluan të merren me disa zeje që kërkoheshin, si muratorë, kasapë apo tregtarë. Por, shumë shpejt arbanasit filluan të integrohen në shoqërinë vendore, si në jetën kulturore, ashtu edhe atë politike. Pikërisht këtu fillon edhe procesi i asimilimit të tyre.
Kroatët në vitin 1866 themeluan shkollën e meshkujve për mësues, në vitin 1895 bibliotekën kroate ndërsa në vitin 1910 shoqatën kroate “Sokol”, qëllimi i të cilës ka qenë shtrirja e identitetit kroat, pra në mënyrë të heshtur kroatët ua imponuan arbanasve përqafimin e identitetit kombëtar kroat. Megjithatë, arbanasit vazhduan t’i ruajnë veçoritë dalluese kulturore dhe etnike të cilat ndërtojnë dhe zgjerojnë ndjenjat për përkatësinë etnike shqiptare, në përmasa të vogla gjer në ditët e sotme. Deri në fund të shek. XIX arbanasit shfaqën interes për ngjarjet në atdheun e tyre të vjetër, duke u identifikuar apo solidarizuar përmes tubimeve publike dhe aktiviteteve të tjera me popullin dhe shtetin shqiptar. Në periudhën e sundimit austro-hungarez, procesi i eliminimit të identitetit shqiptar në vetëinterpretimin e komunitetit shqiptar, ishte pothuajse i përfunduar, edhe pse në atë kohë janë regjistruar edhe iniciativa për të nxjerrë gazetat e tyre në gjuhën shqipe. Shikuar nga pikëpamja kombëtare, arbanasit janë të veçantë edhe për faktin se një pjesë e fshatarëve konsiderohen italianë, të tjerët kroatë dhe përsëri të gjithë thonë se janë arbanas! Një lidhje e çuditshme kjo që e gjen arsyetimin në përkatësinë fetare, sepse qoftë italianë, kroatë apo arbanas, të gjithë janë katolikë.
Në periudhën gjatë sundimit italian në Zarë (1920–1943), një pjesë e konsiderueshme e arbanasëve përkrahi Mbretërinë Italiane, edhe pse zyrtarisht trajtoheshin si pjesëtarë të komunitetit shqiptar apo arbanas. Integrimi i një pjese të arbanasëve në shoqërinë italiane ishte aq i avancuar, saqë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Zara zyrtarisht u bë pjesë e shtetit jugosllav, një pjesë e këtij komuniteti migroi në Itali, që padyshim pati ndikim në strukturën dhe zvogëlimin e numrit të popullsisë arbanase në Zarë. Politika e Jugosllavisë socialiste, ndërtoi një qëndrim skeptik ndaj arbanasve, si kudo tjetër ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Ata politikisht konsideroheshin si adhurues të Italisë dhe fashizmit ndërsa çdo shprehje e identitetit të tyre etnik apo kombëtar ndëshkohej me dënime partiake dhe gjyqësore, kështu që në periudhën deri në vitin 1990 për përkatësinë e tyre etniko-kombëtare kanë mundur të flasin vetëm në familjet e tyre. Për këtë arsye, kjo periudhë, nga pikëpamja e ruajtjes dhe e ndërtimit të identitetit të arbanasëve, mund të përkufizohet si epoka e “zbrazëtirës lundruese”, në të cilën nuk ekzistonte mbështetja e shtetit dhe politikës së tij, së paku për organizimet kulturore që do të afirmonin origjinën, identitetin dhe rëndësinë e këtij komuniteti, për jetën shoqërore në qytet dhe në shtet. Ai hendek lundrues gjysmëshekullor shkaktoi një lloj reagimi te arbanasit të tipit “nirvana” (çlirim nga gjendja e vuajtjeve shpirtërore) të identitetit, i cili rezultoi në një proces të heshtur asimilimi natyror të komunitetit, në favor të aspektit të integrimit social.
Me krijimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur kroat në vitet ‘90 të shek. XX, arbanasit u përballën me një sfidë të madhe në lidhje me vetëperceptimin e identitetit të tyre kombëtar. Ndryshe nga periudha e socializmit jugosllav, tani në rrethanat e reja të demokracisë formale, por nën presionin e etno- nacionalizmit kroat, arbanasit u përballën me politikën e re të identitetit të shtetit kroat të sapokrijuar. Politika e historisë dhe e identitetit kombëtar që zyrtarisht e proklamonte shteti kroat në vitet ‘90, nga njëra anë, fillimisht e afirmoi daljen e arbanasëve nga anonimiteti dhe mbështeti organizimin aktiv të tyre, që ka të bëjë me prejardhjen dhe identitetin e tyre, që nuk ndodhte gjatë sundimit jugosllav, por nga ana tjetër, e njëjta politikë vazhdon të favorizojë fuqimisht pikëpamjen se arbanasit i përkasin bashkësisë etnike dhe kombëtare kroate. Kjo qasje negative e politikës kroate për identitetin e Arbanasëve ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite ndikim direkt në asimilimin e arbanasëve të Zarës. Sigurisht, nën presionin e përditshëm të integrimit sa më të shpejtë e të suksesshëm në jetën shoqërore-politike dhe ekonomiko- sociale, shumica e arbanasëve, shtuar këtu edhe interesat individuale dhe klanore, nga njëra anë dhe mungesën e përdorimit të gjuhës arbanase që i ngjason plotësisht sot e kësaj dite gjuhës se fshatrave Ljare, Brisk e Shestan nga ku u vendosën në Arbnesh të Zarës dhe mungesa e kultivimit të trashëgimisë kulturore, nga ana tjetër ndikuan në asimilimin e përshpejtuar të tyre. Ky është një ndër rastet e veçanta kur integrimi mbizotëron mbi identitetin kolektiv të një komuniteti si arbanasët. Duke vënë në dukje dallimin ndërmjet integrimit dhe asimilimit, mund të thuhet se tek arbanasit kemi të bëjmë me shumë me asimilimin e detyruar, se sa atë të natyrshëm. Megjithëse asimilimi gradualisht ndryshon vetë-imazhin e individëve dhe kolektivëve, identitetet nuk ndryshojnë mekanikisht, duke hequr një dhe duke marrë një tjetër. Për këtë arsye arbanasit, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat nxitëse apo frenuese, gjatë tre shekujve të kaluar të identitetit kombëtar, mbeten vetëm arbanas.
Një ndër studimet më të mira për arsyet e asimilimit të arbanasëve të Zarës, padyshim është analiza e autorëve kroatë Dragutin Babiq dhe Shenol Selimoviq, publikuar në revistën “Analet e shoqërisë politologjike kroate” (AHPD) në vitin 2018. Në një hulumtim empiric (2014) në Zarë janë marrë në intervistë 20 arbanasë (20 gra e 8 burra) të moshës 38-87 vjeç. Ata janë intervistuar me qëllim që të merren pikëpamjet dhe opinionet e tyre për çështjet e përmbajtjes, ruajtjes dhe transmetimit të identitetit të tyre etnik/kombëtar, për të kaluarën e të parëve të tyre, asimilimin e vazhdueshëm dhe problemin e integrimit normativ dhe funksional, pas ardhjes së të parëve të tyre në Zarë dhe rrethinë. Këtë fakt po e ilustrojmë me përgjigjet e të intervistuarve në vitin 2014, nga autorët e përmendur më lartë.
“Ka vetëm 4 deri në 5 familje (në Arbanas) ku fëmijët flasin fillimisht shqip, pastaj kroatisht. Në brezin tim deri në klasën e parë flitej vetëm arbanisht, pra deri në fillimin e shkollës. Djali im kupton diçka dhe vajza ime asgjë. Arbanishten e kuptoj qind për qind, por më duhet pak kohë për të rifituar komunikimin, kështu që nuk e flas rrjedhshëm” (grua, 62 vjeç, pensioniste), ndërsa një burrë i moshës 60 vjeçare thotë: “Unë kuptoj gjithçka dhe flas, le të themi, rreth 50 për qind, dhe kjo sepse nuk e praktikoj atë gjuhë. Mami absolutisht e fletë mirë, dhe motra ime kupton gjithçka, por nuk flet. Kushëriri im i parë, që ka lindur në 1947, kupton dhe flet gjithçka. Brezi i fëmijëve të mi – asgjë”. Pra, të rinjtë gjithnjë e më pak e flasin arbanishten, e kështu edhe gjithnjë e më pak ruajnë kujtesën për përkatësinë e tyre nacionale. Sa ishte e lehtë të ndihesh si arbanas e vërejmë nga thënia e një të intervistuari, burrë 42 vjeç i cili thotë: “Mund të them lirisht se jam arbanas, megjithatë si edhe më përpara e krahasojnë menjëherë me shqiptari, pra para dhe pas kishim atë portretin e shqiptarit, ndërsa një burrë 63 vjeçar thotë: “Ndërsa luaja futboll në Split, isha ustash, fashist dhe shqiptar. Gjithmonë të njëjtat fjalë. Jemi krenarë që kemi luajtur futboll për arbanasë”. Por si duket te arbanasit e Zarës më shumë rëndësi ka trashëgimia shpirtërore, se ajo materiale. Një grua e moshës 77 vjeçare thotë: “Nga trashëgimia, mendoj se është më e vlefshme ajo shpirtërore, qëndruam në frymën e Arbanasit”, ndërsa një burrë 87 vjeçar thotë: ”Unë vlerën shpirtërore e shoh në faktin që arbanas kam qenë si gjatë Italisë, ashtu edhe pas çlirimit. Arbanas mbetem gjithmonë në shpirt. Unë kam dy fëmijë, njëri jeton në Milano (Itali), tjetri në Lyon (Francë), të dy flasin shqip, si dhe italisht, kroatisht dhe frëngjisht”. “Djali im ka vendosur një tatu në dorë në arbënishte: “Këtu kam le dhe këtu do vdes” thotë një i intervistuar i moshës 62 vjeçare.
Mendoj se kuptimi mbi origjinën do të reduktohet në faktin se sipas origjinës do të deklarohen si arbanasë, por ata nuk do të dinë shumë për këtë sepse as brezi i ri i sotëm i këtij komuniteti nuk tregon shumë interes për të hulumtuar origjinën e vet dhe për të ruajtur gjuhën arbëreshe.
Procesi i asimilimit në Arbanas është në fazën përfundimtare. Megjithatë, po bëhen përpjekje për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës arbëreshe. Profesoresha Maximiliana Barançiq e cila jeton në Zarë, çdo të enjte në bibliotekën e Arbanasit organizon kurse të mësimit të gjuhës arbërishte. Kursistët janë të moshave të ndryshme, 20,30 50 e 70 vjeçare të profileve të ndryshme si mjekë, avokatë, ekonomistë etj.. Kjo të jep shpresë se identiteti i arbanasëve do të vazhdojë të ruhet edhe në vazhdim. Maximiliana thotë: “Unë jam kroate, por të parët e mi vinë nga liqeni i Shkodrës dhe e ndiej si obligim që identitetin tonë ta mbaj gjallë”.
Edhe sot e kësaj dite kur një arbanas takon ndonjë shqiptar nga viset tjera shqiptare e përshëndet: “Gjaku jonë, toka jonë”.