Regjimet e ndryshme pushtuese , që për fat të keq ishin të shumta në të gjitha epokat e së kaluarës sonë historike, kishin për qëllim gllabërimin e trojeve tona etnike, asimilimin e plotë dhe zvogëlimin deri në zhdukje të substancës fizike e shpirtërore kombëtare shqiptare. Zaptuesit shekullorë të trevave tona në vazhdimësi ushtronin dhunë, represion ekonomik, material e shpirtëror ndaj shqiptarëve. Ata, për realizimin e synimeve të tyre okupuese, përherë nënçmonin dhe në formë poshtëruese injoronin e ndalonin edhe doket dhe traditat tona kombëtare. Në shënjestër (mbikëqyrje) të veçantë të të gjithë gllabëruesve tanë ishin ata shqiptarë që kishin dëshirë të madhe ta mbajnë gjallë e ta përhapin gjuhën, shkrimin shqip dhe ndjenjën kombëtare shqiptare. Shkelësit gjuhën e vet, përkundër realitetit se ajo ishte krejtësisht e panjohur për popullatën shqiptare, detyrimisht e impononin për gjuhë mësimi në gjitha nivelet dhe mjediset shkollore, edhe pse ato shkolla ishin në cilësi të ulët të shkallës arsimore. Veprimi i parë që ndërmerrej nga zaptuesit ishte zyrtarizimi i gjuhës së tyre, përdorimi i saj në administratë e shërbime shtetërore, veprime politike e shërbime fetare. Shkelësit gjuhën e vet, përkundër realitetit se ajo ishte krejtësisht e panjohur për popullatën shqiptare, detyrimisht e impononin për gjuhë mësimi në të gjithë nivelet dhe mjediset shkollore, edhe pse ato shkolla kishin cilësi të ulët të shkallës arsimore.
Trieshianët që e donin dijen dhe shkollën , sikur edhe shqiptarët e tjerë në gjithë hapësirën e trojeve etnike shqiptare, kurdoherë që kanë pasur rast shkollimi, meqë arsimimi në këto hapësira nuk ishte dukuri e natyrshme, arsimoheshin në gjuhë e kulturë të huaj. Arsimimi për shqiptarët e okupuar gjithnjë ishte rastësi e rrallë, meqë edukimin dhe arsimin e organizonin dhe e drejtonin pushtuesi në gjuhën e tyre, në formën e mjetet shkollore të sistemit shtetëror okupues. Qëllimi parësor i këtij veprimi ishte imponimi i dhunshëm i kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi procesin e zhvillimit të aspiratës mijëvjeçare të shqiptarëve për të mësuar e edukuar në gjuhën shqipe në frymën e ndjenjës kombëtare shqiptare.
Shkolla e parë në gjuhën joamtare serbe
Të njëjtin fat të hidhur e diskriminues të pushtuesve e përjetuan edhe trieshianët, të cilët kishin dëshirë të madhe ta kishin shkollën e vet ne gjuhën amtare shqipe. “Shkolla e parë shtetërore-fillore në trevën e Trieshit hapet në vitin shkollor 1887-1988 në gjuhën serbe pa vullnetin e trieshianëve , me imponimin e Ministrisë së Arsimit të Principatës së Malit të Zi. Kjo shkollë ishte vendosur në fshatin Bëkaj në shtëpinë e Mirash Ujkës. “Mësuesi i parë ishte Mitar Ivanoviq , nga Bajica e Cetinës, i cili punoi një vit shkollor. Shkolla në gjuhën joamtare-serbe në Triesh ka punuar nga viti 1887-1916.Gjatë kësaj periudhe mësimin e zhvilluan Gavro Vujoviq nga Bajica e Cetinës, Nikollë Radovanoviq nga Kuçi (Nikollë Duça) siç e quanin vendasit, njohës i mirë i gjuhës shqipe, mentalitetit, dokeve e zakoneve të banorëve vendas kësaj , Tomë Smajl Gjeloshaj nga fshati Nikmarash i Trieshit, Jaksha Popoviq, dhe Nikollë -Kolë Gegaj po ashtu vendas nga fshati Budëz-Triesh. Vlen për t’u theksuar se gjatë kohës së punës së shkollës serbe në Triesh nuk është regjistruar asnjë nxënëse femër, andaj edhe në dokumentet zyrtare shkollore të kohës figuron si shkolla mashkullore e Trieshit”, thuhet në studimin e Zef Gjuravajt “ Fillimet dhe zhvillimi i arsimit në Triesh ( 1887-2013).
Se sa i suksesshëm ka qenë shkollimi në gjuhën serbe i trieshianëve e dëshmon kjo e dhënë autentike stenografike të Kuvendit Popullor të Malit të Zi: “Ka afro 30 vjet që ekziston Shkolla në Triesh dhe se ajo shkollë nuk ka arritur që asnjë nxënës ta përvetësojë gjuhën (serbe – shënimi im) në të cilën zhvillohet mësimi”.
Edukimin dhe arsimin e organizonin dhe e drejtonin pushtuesit në gjuhën e tyre, në formën e mjetet shkollore të sistemit shtetëror okupues.
“Shkolla e Trieshit punoi në bazë të planeve e programeve të cilat kanë qenë unike për të gjitha shkollat popullore-fillore në Mal të Zi. Të gjitha shkollat i udhëhiqte mbreti Nikollë, por çdo shkollë drejtpërdrejt e mbikëqyrnin mbikëqyrësit lokalë dhe kapedani i fisit të cilët nuk dinin t’i kryejnë detyrimet ndaj shkollës përveç përzierjes brutale në punë të mësuesit.
“Duke pasur parasysh kushtet ekonomike, klimën politike dhe nivelin kulturor të trieshianëve në atë kohë mund të konkludojmë se shkolla nuk dha ato rezultate të cilat i kishte planifikuar pushteti i Malit të Zi”, shkruan Prof.Dr. Palokë Berisha në librin e tij “Shkollat dhe arsimi në Malësi të Madhe të aneksuar nga Mali i Zi”.
Trieshianët para hapjes së shkollës serbe në Triesh prej vitit 1878 e deri në vitin 1887 e kanë vijuar mësimin në Shkollën fillore të Ublës së Kuçit, së paku 10 kilometra larg nga shtëpitë e tyre. Interesimi i prindërve për t’i çuar fëmijët e tyre të rritshëm në këtë shkollë ishte i vogël.
Mësimi në gjuhën joamtare serbe në Triesh përsëri zhvillohet në vitin 1918 me krijimin e Mbretërisë së SKS-së. Shkolla fillore serbe e Trieshit punoi me ndërprerje të shpeshta gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1941. Gjatë kësaj periudhe kishte pak interesim të fëmijëve të rritshëm për shkollë. “Nxënësit nuk e vijonin mësimin rregullisht. Nuk ishte numri i vogël i fëmijëve të rritshëm për shkollë që nuk regjistroheshin e një numër i vogël prindërish ilegalisht i kalonin fëmijën e vet në Shqipëri për t’i regjistruar në shkollat shqipe”.
Mosinteresimi i prindërve trieshianë që fëmijët e tyre të vijojnë shkollimin në gjuhën serbe tregon qartë se sa të etshëm dhe të vullnetshëm ishin ata për gjuhën dhe arsimin shqip. (vazhdon)