Mali i Zi ka vazhduar sanksionet ndaj Rusisë edhe gjashtë muaj, deri në janar të vitit 2018. Në këtë mënyrë Mali i Zi i është bashkuar vendimit të liderëve të Bashkimit Evropian, të cilët të enjten kanë rënë dakord që të shtyjnë edhe për gjashtë muaj sanksionet ndaj Rusisë.
“Mali i Zi është gjithmonë në pajtim me vendimet që merr BE në kontekstin e përbashkët për politikën e jashtme dhe sigurinë”, kanë deklaruar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Mali i Zi prej verës së vitit 2014 ishte pajtuar me BE-në për sanksionet kundër Rusisë, të imponuara për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë. Për këtë arsye zyrtarët e Moskës kanë vendosur ndalesë importi për prodhimet bujqësore të Malit të Zi, kryesisht për verërat.
Në fillim të këtij muaji, Mali i Zi ua ka ndaluar hyrjen në këtë vend 149 rusëve dhe ukrainasve, në përgjigje të ndalesës së Moskës ndaj shtetasve të Malit të Zi, që udhëtojnë në Rusi.
Personat që janë vendosur në listën e zezë të Malit të Zi janë përzgjedhur për shkak të rolit të tyre në aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014, me ç’rast është shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës, kanë raportuar mediat në Podgoricë, duke i cituar zyrtarët qeveritarë.
Sipas raporteve, në listën e personave të padëshiruar përfshihen zëvendëskryeministri rus, Dmitry Rogozin, shefi i shërbimeve të inteligjencës, Nikolai Patrushev, presidenti i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadyrov etj.
Kjo masë e autoriteteve të Malit të Zi ishte ndërmarrë pas incidentit të ndodhur më 28 maj, kur autoritetet e Rusisë nuk lejuan hyrjen në këtë vend të deputetit malazez, Miodrag Vukoviq.
Pas këtij incidenti, zyrtarët e Malit të Zi thanë se Rusia kishte një listë sekrete prej afro 50 liderëve të Malit të Zi, të cilëve nuk u lejohej hyrja në Rusi, përfshirë kryeministrin Dushko Markoviq, kryetarin e Kuvendit, Ivan Brajoviq, dhe liderin e partisë udhëheqëse në qeveri, Millo Gjukanoviq. (Kohapress)