Ulqini kërkon vetëm respektimin e ligjit, dinjitetit dhe barazisë

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka përshëndetur reagimin e Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila publikisht ka shprehur shqetësimin e saj mbi aspektet problematike të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Gatishmëria e saj për të mbrojtur parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe interesit publik përçon një mesazh të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, veçanërisht për ne në Ulqin, që ndodhemi në qendër të këtij procesi të diskutueshëm”, thuhet të deklaratën për media të kryetarit të Komunës së Ulqinit.
Nimanbegu ka falënderuar edhe kryetarin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili i është drejtuar me një shkresë zyrtare komisioneres Kos, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të rëndësishëm për hapjen e këtij diskutimi në institucionet evropiane.
“I gjithë procesi – duke filluar nga miratimi i Programit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare për periudhën 2024-2028, pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e komunave bregdetare, e deri te nënshkrimi i Marrëveshjes me investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe – përbën një shembull klasik të shkeljes së të drejtës për vetëqeverisje lokale, të garantuar me Kushtetutë. Pushteti qendror, duke injoruar qëndrimet dhe interesat e komuniteteve lokale, ka marrë në dorë proceset zhvillimore të komunave, duke shkelur parimet e decentralizimit dhe qeverisjes demokratike. Kjo qasje jo vetëm që rrezikon autonominë e vetëqeverisjes lokale, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet që duhet të mbrojnë interesat e tyre”, thekson ai në deklaratën për media.
Përpos kësaj, sipas Nimanbegut në këtë rast nuk duhet lënë pas dore as dimensionin e mbrojtjes së të drejtave të popujve pakicë.
“Mënyra se si po zhvillohet i gjithë procesi prek drejtpërdrejt Komunën e Ulqinit. Injorimi i obligimeve ligjore për konsultim me përfaqësuesit e pakicave, si dhe ndërmarrja e masave që mund të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë, përbëjnë një hap serioz prapa për karakterin multietnik të Malit të Zi”, shprehet kryetari i Komunës së Ulqinit.
Ai ka përkujtuar se Ligji për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave ndalon në mënyrë të prerë masa të tilla.
“Jo vetëm që vetëqeverisja lokale nuk është konsultuar, por edhe e drejta për dialog institucional është ndërprerë brutalisht në Kuvend, pavarësisht mekanizmave të qarta që parashikon ligji. Për këtë arsye, edhe një herë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta shikojnë këtë çështje në tërësi – jo vetëm si një çështje ekonomike dhe ekologjike, por si një sfidë serioze për të drejtat e pakicave, të drejtën e qytetarëve për vetëqeverisje lokale dhe për parimet e qeverisjes demokratike”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, duke konkluduar se Ulqini nuk kërkon asgjë më shumë përveçse respektimin e ligjit, dinjitetit dhe barazisë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat