Podgoricë – Në prani të përfaqësuesve të qeverisë së Malit të Zi dhe Shqipërisë, të ambasadave të huaja në Mal të Zi dhe të shumë personaliteteve të veprimtarisë politike, shoqërore, ushtarake, etj. të mërkurën mbrëma më 20 nëntor 2024 në Hotel “Hilton” në Podgoricë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi organizoi pritje zyrtare për nder të 112 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe të 80 vjetorit të çlirimit. Fillimisht u bë intonimi i dy himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ndërkohë, në fjalën përshëndetëse ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Dr. Zhaklina Peto tha se këto data janë të veçanta pasi na bëjnë të kujtojmë të shkuarën e mbushur me sakrifica, për të reflektuar për të tashmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar.
“Shqipëria vjen në këto ditë përkujtimore, shumë krenare. Janë hedhur hapa të mëdhenj përpara në çdo sektor të jetës që të nxisin vetëdijen tonë kombëtare, të kujtojnë me nderim të thellë mendimtarët, atdhetarët që me idetë e tyre të ndritshme krijuan shtetin shqiptar dhe i mban të zgjuar shqiptarët për të mbrojtur në kohë të vështira dhe shumë të rrezikshme për ekzistencën e shtetit” u shpreh ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Dr. Zhaklina Peto.
Ndër të tjera ajo ka thënë se Shqipëria ka dyfishuar prodhimin bruto, duke realizuar rritjen më të lartë në rangimin në rajon.
“Është trefishuar paga minimale si dhe paga mesatare në sektorin publik, e cila këtë vit ka arritur në 900 euro. Gjithashtu jemi në krye të shteteve të rajonit në rritjen Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, ndërkohë që një dekadë më parë radhiteshim të dytët nga fundi me 4.400 dollarë për frymë, sot jemi mbi mesataren rajonale mbi 9.400 dollarë për frymë, duke u renditur të tretët në rajon pas Serbisë dhe Malit të Zi që e nisën këtë transformim shumë vite më parë”, u shpreh Peto.
Ndërkaq, znj. Peto duke folur për fushën e turizmit, tha se Shqipëria renditet e para në Evropë për performancën në turizëm dhe e katërta në botë.
Ajo ndër të tjera tha se Shqipëria ka ende shumë male për të ngjitur, para se të arrijë majën më të lartë “atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
“Ne duhet ta arrijmë atë majë brenda dhjetëvjeçarit që do të thotë se synojmë të jemi gati deri në vitin 2030, për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e BE-së” u shpreh mes tjerash Peto.
Ndër arritjet më të dukshme të procesit të integrimit të Shqipërisë, znj. Peto radhiti organizimin më 15 shtator të vitit 2024 të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të Bashkimit Evropian, reformat në sektorë të ndryshëm si: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve demokratike.
Znj. ambasadore vlerësoi mes tjerash edhe marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore që ka Shqipëria me Malin e Zi, veçanërisht ato dypalëshe dhe rajonale.
“Mali i Zi mbetet tradicionalisht një partner i një rëndësie të veçantë. Marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona janë një shembull i mirë për pajtimin dhe bashkëjetesën rajonale që kanë ofruar dhe ofrojnë shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon” u shpreh ndër të tjera ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto duke potencuar se viteve të fundit bashkëpunimi midis Malit të Zi dhe Shqipërisë ka shënuar një progres të dukshëm.
Zëvendëskryeministri për politikën ekonomike, njëherësh ministër i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj në këtë solemnitet u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria si dy vende fqinje dhe të afërta, ruajnë dhe kultivojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, si në rrafshin politiko-shoqëror, ashtu edhe në atë ekonomik.
“Më vjen mirë të shoh se bashkëpunimi ynë i ndërsjellë po zgjerohet edhe në fusha të tjera. Jemi krenarë për bashkëpunimin konstruktiv mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë sepse, ndajmë të njëjtat vlera dhe synime që janë integrimet evropiane dhe një partneritet i fortë dhe i dëshmuar brenda aleancës së NATO-s” u shpreh Gjeloshaj.
Ai theksoi se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë progres të jashtëzakonshëm në rrugën evropiane ku, siç tha, Mali i Zi do të mbyllë në fund të vitit katër kapituj negociatash “ndërkohë që Shqipëria hapi së fundi grup-kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”.
“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian. Shpresojmë që në një të ardhme të afërt të festojmë 28 nëntorin me Malin e Zi dhe Shqipërinë si anëtare të Bashkimit Evropian” u shpreh mes tjerash Gjeloshaj duke veçuar rëndësinë që ka data 28 nëntor për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në këtë solemnitet mbi rëndësinë e këtyre dy datave historike, 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 80 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi, foli zëvendësministrja në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë znj. Silda Çepe (Anagnosti) e cila tha se për të arritur në ditën e sovranitetit të saj, Shqipëria ka kaluar nëpër shekuj luftërash, mundimesh dhe sakrificash.
“28 nëntori i vitit 1912 ishte dita e shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Osmane, por në ndërgjegjen historike të shqiptarëve është gdhendur me germa të arta edhe si Dita e Flamurit, sepse pikërisht me 28 nëntor të vitit 1443 Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ngriti në Krujë flamurin e Kastriotëve, atë flamur që disa shekuj më pas, Ismail Qemali si themeluesi i shteti shqiptar e ngriti sërish në Vlorë, më 28 nëntor 1912, duke shpallur pavarësinë e Shqipërisë” u shpreh zv/ministrja e Ponëve të Jashtme të Shqipërisë znj. Silda Anagnosti.
Ajo ndër të tjera vuri në dukje sakrificat e gjithë shqiptarëve kudo në botë në rrugëtimin e gjatë, deri te arritja e pavarësisë, por edhe kontributin e shqiptarëve të Malit të Zi në të ardhmen dhe zhvillimin e Malit të Zi, në pavarësimin, konsolidimin, prosperitetin dhe proceset integruese të NATO- se dhe BE-së.
Në fund të kësaj mbrëmje solemne është shtruar një koktej për të pranishmit, shoqëruar me pjesë muzikore nga ansambli i harqeve i orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
t.u.