Podgoricë – Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence ka deklaruar gjatë vizitës së tij, javën e kaluar, në Podgoricë se Uashingtoni mbetet partner i Ballkanit Perëndimor dhe se do të përkrahë në veçanti Marrëveshjen e Daytonit dhe dialogun midis Beogradit e Prishtinës.
Duke folur në Samitin e Kartës Amerikano – Adriatike (A5) në Podgoricë, ai ka thënë se SHBA-ja dëshiron të mbetet partner në mënyrë që Ballkani të forcojë shoqërinë demokratike dhe lirinë e shtypit, duke shtuar se ato janë bazë e prosperitetit.
Pence po ashtu ka theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë të promovojë marrëdhëniet e forcave të armatosura amerikane me forcat e rajonit me qëllim të profesionalizimit të ushtrive në rajon.
Ai ka nënvizuar se SHBA do të jetë partner në mënyrë që të pakësohet varësia e Ballkanit nga pajisjet ushtarake ruse.
“Rusia po vazhdon së përpjekuri që me forcë të ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë. Në Ballkanin Perëndimor ajo është përpjekur të destabilizojë rajonin, t’i përçajë demokracitë dhe juve”, ka thënë Pence.
Ai ka theksuar ndër të tjera se “Ballkani Perëndimor ka të drejtë që vetë të vendosë për të ardhmen e vet”.
Deklaratat e Zëvendëspresidentit amerikan kanë ngjallur reagimin e Rusisë, e cila ka thënë se “Pence pasqyroi në Ballkan ideologjinë e Luftës së Ftohtë”.
Ministria e Jashtme e Rusisë i ka cilësuar si destabilizuese komentet e nënpresidentit të SHBA-së, duke thënë se i dënon ato.
“Është për të ardhur keq se Uashingtoni po shkon gjithnjë e më thellë drejt ideologjisë primitive të Luftës së Ftohtë”, thuhet në reagim.
Përveç takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi, Pence ka mbledhur në një takim edhe liderët e vendeve të Ballkanit, në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka lavdëruar liderët e Malit të Zi për qëndrim ndaj “presionit rus”.
Ndërkohë, nikoqiri i këtij takimi, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se vizita e zëvendëspresidentit Mike Pence në Podgoricë paraqet një prej vizitave të nivelit më të lartë dhe më të rëndësishme që i është bërë ndonjëherë Malit të Zi.
Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij Samiti, ndërsa Pence ka thënë se do të dëshironte që së shpejti edhe Kosovën ta shohë pjesë të Kartës së Atlantikut.
Duke komentuar Samitin e Kartës së Adriatikut, nën patronazhin e zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se “Zv.shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi fort interesin e Shteteve të Bashkuara për të forcuar bashkëpunimin me vendet e rajonit, si edhe domosdoshmërinë për të rritur ndërveprimin mes SHBA-së e vendeve të rajonit e po ashtu midis vetë vendeve të rajonit, në funksion të përballimit me sukses të sfidave të sigurisë, paqes e prosperitetit, në rajon e në Evropë”.
Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s. (Kohapress)