Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se është afër gjetjes së modelit për shkurtimin e orarit të punës në shtatë orë, me të cilin do të jenë të kënaqur edhe sindikatat e punëtorëve, edhe punëdhënësit.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka paralajmëruar se ministrja e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social, Naida Nishiq, do të zhvillojë konsultime të gjera me partnerët socialë, ku do të kristalizohet versioni përfundimtar i kësaj reforme.
Sipas tij, qëllimi është që përmes këtyre konsultimeve të gjera të realizohet një nga reformat më të mëdha, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të ofruar më shumë kohë për familjen, por edhe një punë më efikase dhe produktive.
Ky propozim është përkrahur nga sindikatat e punëtorëve, ndërsa ka hasur në kundërshtimin e shoqatave të punëdhënësve në Mal të Zi.
Nga Unioni i Sindikatave të Pavarura kanë deklaruar se e kuptojnë deri diku rezistencën e Unionit të Punëdhënësve për zbatimin e orarit shtatorësh të punës, porse Mali i Zi duhet të ecë në këtë drejtim.
“Afati i parë që e ka përcaktuar Qeveria nuk është respektuar, por ja duhet të përpiqemi që sa më parë, të mos presim përfundimin e mandatit të kësaj qeverie, por sa më parë të ulemi në tryezë dhe të gjejmë modalitetin dhe nëse ulemi të bisedojmë me siguri do të gjejmë modelin që do t’i kënaqë të tri palët”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Unionit të Sindikatave të Pavarura, Srgja Kekoviq.
Nga Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi megjithatë kanë thënë se nuk ekzistojnë kushtet për të kaluar në orar pune shtatë orë. Përfaqësuesit e këtij Unioni mendojnë se orari shtatë orësh mund të futet si opsion, por jo si një detyrim. Sipas kësaj shoqate, ekonomia malazeze tashmë përballet me mungesën kronike të fuqisë punëtore, nivelin e ulët të produktivitetit dhe problemet e panumërta strukturore, të cilat e kufizojnë zhvillimin e saj.
Edhe pse zyrtarisht orari i punës në Mal të Zi është tetë orë, disa institucione ka kohë që e zbatojnë orarin shtatorësh të punës.
(Kohapress)