Ulqin – Me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Malit të Zi, u hap ceremonia e përurimit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Ulqinit. Një ngjarje e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Mal të Zi dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ceremonia e hapjes u mbajt në një atmosferë solemne dhe shënoi një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Malit të Zi dhe integrimin e mëtejshëm të dy shteteve në arenën ndërkombëtare.
Në këtë ngjarje morën pjesë figura të larta nga të dy shtetet, ndër të cilët Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, dhe homologu i tij malazias, Ervin Ibrahimoviq, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha. Të pranishëm gjithashtu ishin edhe deputetë, ministra, kryetarë të partive politike, përfaqësues të arsimit, besimit, kulturës, biznesit dhe të shoqërisë civile.
Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Ulqin është emëruar Arben Doçi, një profesionist i njohur në fushën e diplomacisë.
Në fjalën e tij, ai tha se do ta drejtojë punën e Konsullatës dhe do të ofrojë mbështetje për shqiptarët e Malit të Zi në çështjet konsullore, si dhe për avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Lejomëni të shpreh kënaqësinë e veçantë që më jepet nderi të çel këtë ceremoni të rrallë për nga simbolika dhe që mishëron përpjekjet tona për të ngritur Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, me seli në Ulqin. Çelja e kësaj konsullate dëshmon për vëmendjen e përqendruar të qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe, posaçërisht, nën kujdesin e ministrit, z. Igli Hasani, për ta parë komunitetin shqiptar këtu, jo vetëm si faktor konstruktiv stabiliteti në bashkëjetesën etnike, por edhe si çimentim të marrëdhënieve tona gjithnjë e më të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, u shpreh Doçi.
Tutje, Konsulli i Përgjithshëm tha se marrja e kësaj detyre, në kryeqendrën shqiptare të Malit të Zi, siç e quajti ai Ulqinin, është një moment i rëndësishëm, më i përgjegjshëm dhe më fisnik për jetën e tij profesionale.
“Dyert e Konsullatës Shqiptare do të jenë gjithnjë të hapura për ju, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të përcjellë, sugjeruar apo programuar pranë qeverive tona ato kontribute që thellojnë integrimin e zonave tona ndërkufitare në të mirë të shoqërive tona gjithnjë e më të integruara”, u shpreh Doçi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, theksoi se hapja e kësaj konsullate është një hap historik dhe shumë i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Ky qytet i mrekullueshëm, me pasuritë e tij natyrore, historike dhe kulturore, ka qenë gjithmonë një urë lidhëse midis dy popujve tanë, një simbol i bashkëjetesës paqësore dhe i respektit reciprok ndër shekuj. Prania jonë këtu sot është dëshmi e këtij raporti të veçantë, por edhe një angazhim i përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të lidhur mes dy vendeve tona. Hapja e Konsullatës Shqiptare në Ulqin nuk është thjesht një akt diplomatik, nuk është thjesht një akt simbolik, por një investim në marrëdhëniet tona dypalëshe, një dritare e re bashkëpunimi dhe mbi të gjitha një shprehje konkrete e kujdesit dhe mbështetjes së Republikës së Shqipërisë për komunitetin shqiptar në Mal të Zi”, u shpreh ai.
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, gjithashtu vlerësoi hapjen e konsullatës, duke e cilësuar atë si një mundësi të re për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, jo vetëm në fushën e diplomacisë, por edhe në zhvillimin ekonomik, kulturor e turistik.
“Për shekuj me radhë kemi ndarë sfidat dhe sukseset e përbashkëta, dhe sot jo vetëm që ndajmë vlera dhe objektiva të përbashkëta në politikën e jashtme, por gjithashtu bashkëpunojmë aktivisht për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurinë e prosperitetit në rajonin tonë. Me forcat e bashkuara, të angazhuar si aleatë në kuadër të NATO-s dhe të inkurajuar nga siguria e anëtarësimit tonë në BE, duhet të bëjmë edhe më shumë për një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, për dobi të ndërsjellë të shteteve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh ministri Ibrahimoviq.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha se kjo ditë është e veçantë për Ulqinin dhe banorët e tij dhe se Konsullata do të shërbejë në avancimin edhe më të madh të bashkëpunimit në fushën e sportit, kulturës, artit dhe fushave të tjera, si dhe do të lidhë më shumë Ulqinin me shtetin amë.
“Sot është një ditë historike, ditë nderi. Hapet Konsullata e Shqipërisë, e cila është konsullata e parë që hapet në Mal të Zi. Ky moment është tejet emocionues, me vlerë dhe rëndësi për të gjithë ne. Hapja e Konsullatës pikërisht në Ulqin është një dëshmi e veçantë dhe me të ne krijojmë një pikë takimi për bashkëpunim në fushat e sportit, artit, ekonomisë, dhe e lidhim edhe më shumë Ulqinin me shtetin amë, Shqipërinë. Ne angazhohemi për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka shënuar një progres të dukshëm dhe mund të shërbejë si shembull edhe për vendet tjera të rajonit. Në këtë drejtim, ndihmë të veçantë japim edhe ne shqiptarët që jetojmë në Malin e Zi”, u shpreh Nimanbegu.
Ngjarja përfundoi me një ceremoni të veçantë dhe një pritje për të pranishmit, që shënuan këtë moment të rëndësishëm për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të dy shteteve.
Gjatë vizitës së tij në Ulqin, ministri Igli Hasani është takuar me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka vizituar Librarinë “Ulqini”, e cila është hapur me kontributin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Këtu ai ka zhvilluar një takim me përfaqësues të partive politike shqiptare në Malin e Zi.
D. Teliqi