Një manifestim unik që përçon mesazhin eintegrimit

Ulqin – Më 15-18 gusht 2024 në Ulqin është mbajtur edicioni i 23-të i Panairit të Librit, i organizuar nga Komuna e Ulqinit, Qendra e Kulturës – Ulqin, Organizata Turistike – Ulqin, Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Tirana dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetshëm ka bashkuar dhjetëra botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Pikërisht për këtë, ai është cilësuar nga organizatorët si i veçantë duke qenë se bashkon botues nga i gjithë rajoni.
“Është i vetmi panair i madh, i organizuar nga shqiptarë, i cili në gjirin e vet ka botues nga i gjithë rajoni. Është i madh dhe i krahasueshëm me Panairin e Tiranës dhe atë të Prishtinës, por është tepër i veçantë pikërisht për këtë përmasë dhe këtë dimension të veçantë të tij – që mban në gjirin e vet plot gjuhë dhe kultura të rajonit, por edhe të vendeve të tjera herë pas here“, ka thënë në ceremoninë e hapjes Irena Toçi, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe Promocionit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se Ulqini si qytet inspirues për artistë dhe krijues çdoherë i ka paraprirë kulturës së shkruar dhe edhe këtë radhë do të dëshmojë se është qytet i hapur, mikpritës, vend i bashkëjetesës, bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit.
“Ne mendojmë se ekspozimi i kulturave është një përparësi e afrimit të popujve, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit në rrugën e përbashkët të integrimit evropian”, ka theksuar ai.
Nimanbegu ka thënë se Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të shquhet gjatë sezonit turistik për veprimtari kulturore në funksion të pushuesve.
“Por mendojmë se libri do të mbesë përparësi e politikave kulturore për vendet tona, duke eksploruar përvojat më të mira të Bashkimit Evropian”, ka nënvizuar ai.
Ministrja e Kulturës dhe e Mediave në Qeverinë e Malit të Zi, Tamara Vujoviq ka vënë në dukje rolin dhe rëndësinë e Ulqinit gjatë historisë, ruajtjen e trashëgimisë dhe të traditave, si dhe si një qytet shembull i multikulturalizmit.
“Në Ulqin traditat dhe zakonet janë të rrënjosura thellë në jetën e përditshme dhe Ulqini jo vetëm që e ruan historinë e vet të pasur, por formëson edhe realitetin e ri kulturor. Si një prej destinacioneve më intriguese të Evropës Juglindore, ai posedon një trashëgimi të pasur që dëshmon për kulturat e ndryshme të cilat përgjatë shekujve kanë formësuar identitetin e tij”, ka theksuar ajo.
Ndërsa duke folur për panairet e librave, Vujoviq ka thënë se ato janë vendtakime të njerëzve, gjuhëve, diversitetit të shprehjes.
Sipas saj, Panairi i Librit në Ulqin paraqet një manifestim unik që për çdo vit tubon libra, autorë dhe botues.
“Ministria e Kulturës dhe e Mediave është krenare që e mbështet këtë manifestim duke njohur rëndësinë e tij për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet krijuesve kulturorë në gjithë rajonin”, ka theksuar ministrja e Kulturës dhe e Mediave.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka ka thënë se Panairi i Librit në Ulqin për gati një çerek shekulli vazhdon të japë mesazhin e integrimit të popujve dhe kulturave.
“Ky panair mbledh në këtë vend botues nga i gjithë rajoni dhe duke bashkuar, duke kaluar kufijtë dhe duke dhënë atë mesazhin i cili në këtë periudhë na pret të gjithëve – mesazhin e integrimeve, ku bashkohen popujt, kulturat në një vend siç është Ulqini“, ka theksuar ai.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë, Alda Bardhyli ka nënvizuar kontributin që Panairi i Librit në Ulqin ka pasur përgjatë më shumë se dy dekadave, “jo vetëm në ruajtjen e gjuhës shqipe, por edhe në krijimin e një klime të mirë kulturore mes gjithë hapësirave shqiptare“.
Ajo po ashtu ka theksuar se koha në të cilën jetojmë ka shumë nevojë për librin, për fjalën e shkrimtarëve dhe për kulturën, “pasi që çdo kontakt me librin është një kontakt i cili na çon tek e ardhmja dhe na e mbush atë me më shumë dritë“.
Në kuadër të Panairit, natën e dytë (të premten mbrëma, 16 gusht 2024) në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit janë organizuar mbrëmje autoriale me historianin dhe studiuesin arbëresh, Italo Sarro, dhe poeten malazeze Jelena Jovetiq, të ftuar të veçantë të edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit. Për veprat e Sarros kanë folur studiuesi dhe përkthyesi Fatmir Toçi dhe përkthyesi i disa librave të tij, Arben Ndreca, ndërsa bashkëbisedimin me poeten Jelena Jovetiq e ka udhëhequr gazetari Adnan Prekiq, kurse pjesë e panelit ka qenë edhe kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq. Po këtë ditë, në Librarinë “Ulqini“ është bërë përurimi i romanit “Shtëpia e verdhë“ të autorit Bashkim Hoxha, për të cilin kanë folur studiuesi i letërsisë Behar Gjoka dhe Irena Toçi, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe Promocionit.


Çmimet letrare dhe mirënjohjet e Panairit të Librit

Për të pestin vit janë ndarë çmimet letrare për prurjet dhe librat më të mirë në fushën e letërsisë për të rritur, letërsisë për fëmijë, përkthimeve letrare, historisë dhe publicistikës.
Kështu juria e përbërë nga studiuesi i letërsisë Behar Gjoka (kryetar), shkrimtari Liridon Mulaj dhe gazetari Ismet Kallaba kanë vlerësuar me Çmimin “Liburnia“ për prozën më të mirë romanin “Dhjetë gramë nder“ të shkrimtarit Namik Dokle, botim i Shtëpisë Botuese “Toena“, me motivacionin: “Një parodi letrare e pazakontë, me gjasë një grotesk përtallës, ku portretizohet amoraliteti i kohës, i qenies si individ dhe shoqëri, konceptuar dhe mishëruar si distopi e beftë artistike”.
Me Çmimin “Dega e ullirit” për librin më të mirë për fëmijë është vlerësuar romani “Robi IA – MX234G” i shkrimtarit për fëmijë Viktor Canosinaj, botim i ShB “Dyrrah”, me motivacionin: “Një roman eksperimental i përfunduar, duke bartur dhe shqiptuar ekuilibrin në mes etikës dhe estetikës, që përçon situatën e ndërlidhjes së librit me IA, kozmosin në të cilin është futur qenia dhe planeti”.
Çmimi “Servantes” për përkthimin më të mirë i është ndarë Iljaz Spahiut për përkthimin nga kinezishtja të librit “Njeriu që shet gjak”, me motivacionin: “Për shqipërimin e saktë të një prej veprave më përfaqësuese të letërsisë kineze ‘Njeriu që shet gjak’ duke i qëndruar strikt stilit autentik të shkrimtarit Yu Hua, i cili na sjell të plotë dhe pa filtra një periudhë sa mizore po aq dhe të dhimbshme të historisë së njerëzimit”.
Ndërkaq Çmimi “Olcinium” për librin më të mirë studimor këtë vit iu është ndarë dy autorëve: Viola Isufajt për librin “Baladë dritash për Zorbën (Në poetikën e Zef Zorbës)”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me motivacionin: “Monografia e parë dhe e plotë, për jetën dhe poezinë e Zef Zorbës, ku poezia unike vjen e përlindur në tejqyrën interpretative studimore, e cila zbulon fjalën, tingullin, marrëdhënien me muzikën, teatrin, dashurinë për Shkodrën, e në mënyrë të veçantë, në analizën e poetikës së përmbledhjes ‘Buzë të ngrime në gaz’, një emblemë e poezisë shqipe”; dhe Erion Kristos për librin “Publicistikë e zgjedhur 2000-2020”, botim i ShB “Onufri”, me motivacionin: “Për vërtetësinë dhe kthjelltësinë në analizimin e ngjarjeve më të rëndësishme (në gjykimin e autorit) të një periudhe 20-vjeçare të Shqipërisë së tranzicionit, si dhe për përshkrimet e thukëta dhe universalitetin e mendimit plot karizëm, çka i bën këto analiza depërtuese dhe të përtypshme për një masë të gjerë të shoqërisë shqiptare”.
Përpos çmimeve letrare, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Tirana kanë ndarë edhe tri certifikata mirënjohjeje për: shkrimtarin nga Korça, Eris Rusi, për biografinë letrare në romanin “American dream“, me motivacionin: “Një biografi letrare plot gjurmë dhe dëshmi kushtuar Beqir Potkës, një personaliteti të gdhendur në të gjitha aspektet njerëzore dhe patriotike si dhe një përfaqësues i denjë i komunitetit shqiptar në ShBA“;
kryepersonazhin e romanit “American Dream“, Beqir Potkën, me motivacionin: “Si protagonist i rrallë i dy kohëve, ikjes nga terri komunist në kohën e diktaturës, po ashtu edhe sukseseve të shënuara në jetë, në biznes, tanimë si qytetar amerikan, një personazh real i librit “American Dream“; dhe për gazetaren e kulturës së Televizionit A2 CNN, Luela Myftari, me motivacionin: “Për kontributin e saj të veçantë e të çmuar në pasqyrimin e ngjarjeve kulturore të rëndësishme, veçanërisht të edicioneve të ndryshme të panaireve të librave zhvilluar në Ulqin. Për frymën e re, optimiste e rinore, për këndvështrimin profesional e përshkrimin me korrektësi që i kanë bërë potencialet e Ulqinit të njohura në gjithë botën shqiptare kudo ku jeton“.
Çmimet letrare dhe certifikatat e mirënjohjeve janë ndarë në natën e dytë të Panairit të Librit, në ceremoninë e organizuar në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat