Drejtoria për Statistika “Monstat” ka publikuar ditën e martë më 15 tetor 2024, rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Mal të Zi, proces ky që është zhvilluar në periudhën nga 3 deri më 30 dhjetor të vitin 2023.
Me regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në vitin 2023, janë regjistruar 623 mijë e 633 banorë me vendbanim të zakonshëm në Mal të Zi.
“Numrin më të madh të popullsisë e ka Podgorica me 179 mijë e 505 banorë, çfarë përfaqëson 28,78 për qind të popullsisë së Malit të Zi, pasuar nga Nikshiqi dhe Tivari. Në këto komuna është përqendruar rreth 46,67 për qind e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi. Komunat me numrin më të vogël të popullsisë janë, Shavniku me 1mijë e 569 banorë, Plluzhina me 2 mijë 177 banorë dhe Zhablaku me 2 mijë e 941 banorë” njoftojnë nga Drejtoria për Statistika “Monstat”.
Ndërkaq, nga numri i përgjithshëm i popullsisë, 316 mijë e 826, ose 50,80 për qind përbëhet nga gjinia femërore, ndërsa 306 mijë e 807 banorë, ose 49,20 për qind nga persona të gjinisë mashkullore.
“Femrat mesatarisht kanë 40,90 vjet, ndërsa meshkujt 38,52 vjet. Mosha mesatare e popullsisë në Mal të Zi është 39,73 vjet. Duke shikuar regjistrimin sipas komunave, popullsia e Plluzhinës është mesatarisht më e vjetra, me 47,32 për qind, kurse e Rozhajës më e reja, me mesatare prej 35,83 për qind. Duke parë grup moshat, fëmijët e moshës nga 0 deri në 5 vjet të cilët përfaqësojnë moshën parashkollore, e përbëjnë 6,85 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Të moshës së shkollës fillore, (6- 14 vjeç), e përbëjnë 11,18 për qind, derisa të moshës së shkollës së mesme, (15-18 vjeç), 4,63 për qind të popullsisë së përgjithshme” u njoftua nga “Monstat”-i.
Ndërkohë, popullsinë e moshës nga 0 deri në 14 vjeç e përbëjnë banorët 18,03 për qind e popullsisë së përgjithshme. Popullsinë e aftë për punë (nga mosha 15-64 vjeç) e përbëjnë 65,13 për qind, derisa popullsinë e moshës mbi 65 vjeç e lart e përbëjnë 16,84 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Popullsinë e moshës së rritur e përbëjnë 78,45 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Kur bëhet fjalë për deklarimin e gjuhës që flasin, sipas këtij regjistrimi, rezulton se gjuhën serbe e flasin 269 mijë e 307 qytetarë (43,18 për qind), ndërsa gjuhën malazeze e flasin 215 mijë e 299 qytetarë (34,52 për qind). Gjuhën boshnjake e flasin 43 mijë e 470 qytetarë (6,97 për qind). Në gjuhën shqipe flasin 32 mijë e 725 qytetarë (5,25 për qind), derisa rusisht flasin 14 mijë e 731 qytetarë (2,26 për qind). Në gjuhën serbo- kroate flasin 12 mijë e 999 qytetarë, (2,88 për qind). Ndërkohë që, 10 mijë e 691 qytetarë, (1,71 për qind) nuk kanë dëshiruar që të deklarohen, tregojnë të dhënat e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave.
Ndërkaq, sa i perkat deklarimit të përkatësisë fetare, rezulton se më së shumti banorë në Mal të Zi janë deklaruar si ortodoksë, (71,10 për qind), pjesëtarë të fesë islame 124 mijë e 668 (19,99 për qind), derisa katolikët e përbëjnë 20 mijë e 408 ose 3,27 për qind të popullatës së përgjithshme.
Ateistët, sipas të dhënave të regjistrimit e përbëjnë 14 mijë e 260 ose 2,29 për qind të popullsisë, ndërsa mbi 13 mijë qytetarë nuk kanë dëshiruar që të deklarohen.
Nëse i referohemi regjistrimit të parafundit që është bërë në Mal të Zi në vitin 2011, numri i popullsisë të deklaruar shqiptarë, ka qenë 30 mijë e 439 shqiptarë ose 4,91 për qind, ndërkohë që nga regjistrimi aktual është 30 mijë e 978, ose 4,97 për qind, që do të thotë se ka shënuar një përqindje në rritje.
Kur bëhet fjalë për përbërjen e strukturës kombëtare nëpër komuna të Malit të Zi, të deklaruar shqiptarë ka më së shumti në Komunën e Ulqinit, 15 mijë e 78 shqiptarë, ose 73,53 për qind dhe në Komunën e Tuzit me 8 mijë e 119 shqiptarë, përkatësisht 62,55 për qind. Ndërkaq, numri i popullsisë në Mal të Zi krahasuar me vitin 2011, është 0.6 për qind më i lartë.
Sipas Drejtorisë për Statistika “Monstat”, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave është kryer në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare të UNECE-së dhe të udhëzimeve të zbatimit të rregullores 763/2008 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të BE-së.
“Të dhënat në këtë njoftim si dhe në njoftimet e mëpasshme nga regjistrimi i vitit 2023, janë rezultat i zbatimit të kontrolleve statistikore dhe të përpunimit statistikor nga të dhënat e grumbulluara në përputhje me metodologjinë e definuar për përgatitje, organizim dhe zbatim të regjistrimit dhe ato përfaqësojnë rezultate përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, të amvisërive dhe banesave” janë shprehur nga Drejtoria për Statistika “Monstat”.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi kryhet një herë në dhjetë vjet, me përjashtim të regjistrimit të fundit (2023) i cili fillimisht është shtyrë për shkak të pranisë së pandemisë së COVID-19 në vend, e më pas për arsye të shprehjes së mosbesimit dhe të disa mangësive të paraqitura nga partitë opozitare për këtë proces.
t. u.