Tuz – Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, të martën (30 maj 2023) u organizua evenimenti i quajtur “Interkultura e të rinjve në Tuz”, i cili ka për qëllim promovimin e kulturës së të rinjve që jetojnë në Tuz, atë se çfarë e përbën kulturën rinore në Tuz dhe pse është e rëndësishme që të rinjtë/rejat të mësojnë të jetojnë së bashku.
Pjesëmarrës në këtë eveniment kulturor ishin nxënësit nga SHMP “25 Maji”, SHF “Mahmut Lekiq” dhe anëtarë të SHKA “Ramadan Sharkiq” nga Tuzi.
Organizatorja e këtij aktiviteti kulturor, njëherësh drejtoreshë e OJQ “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq i tha gazetës “Koha Javore” se Tuzi (Malësia) ka arsye të krenohet, sepse siç tha, ka ushqyer shpirtin e bashkëjetesës dhe tolerancën e lartë ndër shekuj.
“Megjithatë, mund të thuhet se interkultura është proces dhe është diçka që duhet t’ua mësojmë të rinjve se ata duhet të vazhdojnë të promovojnë interkulturën në mes tyre dhe të përpiqemi që sa më shumë t’u japim mundësi të bashkëveprojnë. Interkultura është një proces, jo qëllim në vetvete”, shprehet Deceviq.
Ajo duke treguar përbërjen multinacionale dhe multikonfesionale të popullatës vendase në Malësi, tha se pjesëtarët e këtyre kombeve kanë mundësi që të shijojnë jo vetëm bukuritë natyrore të vendit ku jetojnë, por edhe pasurinë e marrëdhënieve ndërmjet njëri-tjetrit.
“Shpresojmë që ideja e promovimit të interkulturës mes të rinjve do të bëhet një praktikë e rregullt dhe diçka për të cilën duhet punuar së bashku. Qëllimi i këtij projekti ndër të tjera ishte t’u hapim mundësi fëmijëve dhe të rinjve që të njohin kulturën e njëri-tjetrit dhe ta vlerësojnë më shumë njëri-tjetrin”, thotë Deceviq.
Programi u hap me interpretimin e Anton Arapajt nga SHMP “25 Maji” i cili u paraqit me një pjesë të “Lahutës së Malcis”. Më pas, Najlla Nikoviq nga SHF “Mahmut Lekiq” recitoi vjershën “Bota e të rriturve”, autore e së cilës ishte vetë ajo.
Anëtarët e Shoqatës Kulturore-Artistike “Ramadan Sharkiq” i dhanë këtij programi një larmi të veçantë, pasi që folklori pasqyron trashëgiminë dhe vlerat e përbashkëta kulturore. Të rinjtë e SHKA “Ramadan Sharkiq” u paraqitën me vallen “Baresha”.
Programi përfundoi me hapjen e ekspozitës së nxënësve të këtyre shkollave, ku dominuan punime me mesazhe paqeje dhe tolerance, të figurave historike dhe fotografi të ndryshme.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Të mësojmë të jetojmë së bashku” të cilin OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” e organizon me mbështetje të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
t. u.