Uashington – Që nga dita e hënë Mali i Zi edhe formalisht është bërë anëtar i Traktatit Veriatlantik, pas dorëzimit të instrumentit për anëtarësim në NATO, në selinë e Departamentit të Shtetit në Uashington.
Instrumentin për anëtarësim në emër të Malit të Zi, nënsekretarit amerikan të Shtetit për çështje politike, Thomas Shannon, ia ka dorëzuar ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, prof. dr. Srgjan Darmanoviq.
Në ceremoninë zyrtare të pranimit të Malit të Zi në NATO, kanë marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
“Nga sot, nga 5 qershori 2017 – ne jemi aleat që do të gëzojë benefitet e sistemit kolektiv të sigurisë, por edhe me një përgjegjësi të madhe që, së bashku me ju, pa u lëkundur dhe të përkushtuar të vazhdojë të ecë drejt paqës së përhershme, stabilitetit dhe sigurisë së Evropës dhe botës”, ka thënë kryeministri Markoviq.
Ai ka theksuar se kjo është një ngjarje historike për një vend dhe popull që ka përjetuar viktima të mëdha në shekullin 19 dhe 20 për të mbrojtur të drejtën e vet për jetë të lirë, të drejtën që vetë të vendosë për të ardhmen e tij, të drejtën që bota ta njohë me emrin dhe historinë e tij.
Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike, Thomas Shannon, ka konstatuar se në rrugën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO të gjithë kanë dhënë kontribut.
“Premtimi për anëtarësm ka bartur me vete vlera demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit. Kjo domethënë që është dashur të zbatohen reforma të vështira, e mu këtë e ka bërë Mali i Zi dhe prandaj sot bëhet anëtar. Po ashtu falënderojmë Malin e Zi që ka marrë përsipër obligimet financiare që sjell anëtarësimi”, ka theksuar ai, duke shtuar se Mali i Zi ka qenë partner i besueshëm në misionet e NATO-s.
Shannon ka theksuar se dyert e NATO-s do të mbesin të hapura për të gjitha ato shtete që i plotësojnë kushtet për anëtarësim në Aleancë.
Mirëseardhje Malit të Zi në Aleancën e vendeve më të zhvilluara të botës i ka uruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë në Uashington.
“Sot Mali i Zi anëtarësohet në Aleancë dhe ulet me ne në tavolinë me të drejta të barabarta. Mali i Zi sjell guximin dhe përkushtimin e popullit të tij në NATO”, ka theksuar ai.
Stoltenberg ka thënë se anëtarësimi në Aleancë është mirë për stabilitetin e Malit të Zi, por edhe Ballkanit.
“Hyrja e Malit të Zi iu dërgon sinjale vendeve tjera se në qoftë se janë të përkushtuara ndaj reformave, mund të bëhen anëtar”, ka porositur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili e ka përfunduar fjalimin e tij me fjalët në gjuhën malazeze: “Mirë se vjen Mal i Zi”.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka falënderuar sekretarin Stoltenberg dhe SHBA-të, si dhe zyrtarët më të lartë të këtij vendi, të cilët kanë ndihmuar që Mali i Zi të përjetojë këtë ditë historike.
Ftesën zyrtare për anëtarësim, NATO ia ka dërguar Malit të Zi më 2 dhjetor të vitit 2015, kurse protokolli i anëtarësimit është bërë më 19 maj të vitit të kaluar. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është miratuar nga Parlamenti i këtij vendi më 28 prill të këtij viti, ndërsa opozita proserbe e ka bojkotuar seancën.
Kundërshtari më i madh i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është Rusia, e cila kishte bërë disa herë përpjekje që ta bindë Malin e Zi të mos bëhej pjesë e NATO-s, por këto përpjekje kishin dështuar.
(Kohapress)