Model për të gjithë hoxhallarët

Ulqin – Komuna e Ulqinit dhe Bashkësia Islame e Ulqinit organizuan të shtunën (7 shtator 2024) orë përkujtimore me rastin e vdekjes së ish-kryeimamit të Ulqinit, Rexhep ef. Lika.
Ora përkujtimore në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në prani të një numri të madh të qytetarëve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, politikës, Bashkësisë Islame etj. ka filluar me një minutë heshtjeje.
Më pas për jetën, veprimtarinë, kontributin dhe vlerat njerëzore e fetare të ish-kryeimamit të Ulqinit kanë folur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame – Ulqin, Blerim Bajraktari, kryeimami i Ulqinit Ali Bardhi, zëvendësreisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Omer Kajoshaj, dhe në emër të familjes Nexhad Lika.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se Haxhi Rexhep ef. Lika ishte një personalitet që dha kontribut të jashtëzakonshëm – si klerik i shquar, bamirës, zemërgjerë, edukues me plot durim e përkushtim për veprat më të spikatura këtu në Ulqin, Malësi e më gjerë.
“Ai e donte vendin e vet, e donte truallin, e donte Malësinë për të cilën fliste përherë me adhurim për punën e tij atje… Emri i Rexhep Likës, së bashku me Gjergj Gjokajn dhe Patër Gjergj Marstjepajn do të mbahet mend gjatë dhe i kanë siguruar vend vetes për rolin dhe angazhimin e tyre për Besëlidhjen e Malësisë”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka theksuar se Rexhep Lika do të mbetet përherë një shembull i angazhimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve dhe përfaqëson simbolin e atij margaritarit që karakterizon kombin tonë në qytetërimin e sotëm botëror – të bashkëjetesës dhe respektit të të gjitha besimeve fetare.
“Po ashtu jam i sigurt që porositë dhe mesazhet e urta që ai ka lënë do të na shërbejnë të gjithëve si mësim i vyer në jetë”, është shprehur ai.
Kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame – Ulqin, Blerim Bajraktari ka thënë se jemi mbledhur për të kujtuar një burrë të madh, një njeri të urtë, një njeri i cili ka qenë shëmbëlltyrë e vlerave njerëzore dhe që ka kontribuuar për fenë, kombin dhe qytetin në përgjithësi.
“Vdekja e këtyre burrave të mëdhenj na kujton vetëm një ajet, ku thotë Zoti: ‘Një ditë çdo gjëje i vjen fundi e nuk mbetet vetëm se vepra e mirë, vepra e sinqertë, vepra e cila bëhet për Zotin, për kombin dhe për njerëz të vet”, ka theksuar ai, duke shtuar se “ky burrë nuk do të mbetet në kujtim vetëm te familja e tij, por tek i gjithë xhemati që e kemi njohur dhe kemi mësuar prej tij”.
Kryeimami i Ulqinit, Ali ef. Bardhi e ka cilësuar Rexhep Likën një nga personalitetet më të nderuara në kohën bashkëkohore në Ulqin, i cili kontribuoi si imam dhe predikues i mësimbesimit në Ulqin.
“Me dijen, aftësitë e mençurinë e tij gjithmonë ka ditur që të promovojë vlera të duhura në kohën e vet, duke i prezantuar ato në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë tek xhemati, si dhe çdoherë është munduar që të ruajë dhe promovojë islamin bazë, të gërshetuar me traditën e vendit”, ka thënë ai.
Një kontribut tjetër i ish-kryeimamit të Ulqinit, sipas Bardhit, është ai në unifikimin e besimtarëve myslimanë në trevat ku jetojnë dhe punojnë ata, si dhe duke nxitur frymën e bashkëjetesës ndërfetare dhe të respektit të ndërsjellët në mes konfesioneve.
“Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, ku një nga lëvizjet më të mëdha të nxitura prej tij është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e mejtepeve në të gjitha xhamitë dhe dhënien e mësimbesimit për 600 nxënës të mejtepit. Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, shkencore, e bëjnë Haxhi Rexhep ef. Likën një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre te populli”, ka theksuar ai.
Zëvendësreisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Omer Kajoshaj ka thënë se Rexhep ef. Lika nuk ishte vetëm i Ulqinit, por edhe i Malësisë dhe i tërë Malit të Zi.
“Hoxha na la, ndërroi jetë, por në Bashkësinë Islame na la një trashëgimi me shumë vlerë, e cila do të qëndrojë sa të jetë jeta”, ka thënë ai.
Në mesin e shumë vlerave njerëzore që posedonte Rexhep ef. Lika, ai ka veçuar dy që për të kanë rëndësi më të madhe.
Kajoshaj ka thënë se Rexhep Lika ishte hoxhë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe nuk turpërohej nga ky titull fetar.
“Ai çdoherë ishte pedant, çdoherë ishte hoxhë. Hoxhë ishte edhe kur shkonte në kafe, edhe kur shkonte në xhami, edhe kur shkonte në hatër, edhe kur shkonte në dasmë. Kjo është trashëgimi shumë e madhe për ne. Ta kemi mësim ne që kemi vendosur ta marrim mbi vete titullin hoxhë që të mos turpërohemi kur tjetërkush mund ta dinë që jemi hoxhë”, është shprehur ai.
Një tjetër vlerë e Rexhep Likës, sipas Kajoshajt, ishte se ai vetë ishte model i tolerancës dhe personalitet përbashkues, sidomos në Malësi ku ka shërbyer për një kohë të gjatë.
“Ne hoxhallarët vazhdimisht flasim për atë që është mësimi islam për tolerancën. Ai nuk fliste shumë për tolerancën, jepte shembull të tolerancës. Ishte personalitet përbashkues. Ai rrinte edhe me priftin, edhe me të krishterin, edhe me komunistin. Pra, në kohën e komunizmit, kur komunisti ishte antifetar, ai fitoi edhe respektin e tyre. E fitoi respektin edhe të atyre që janë të besimit tjetër, pra të shqiptarëve të krishterë, katolikë”, ka thënë ai, duke vijuar se të gjithë ata që duan të ushtrojnë detyrën e hoxhës duhet të mësojnë prej Rexhep Likës, i cili ishte model për të gjithë hoxhallarët në Mal të Zi.
Në emër të familjes, të pranishmëve iu është drejtuar Nexhad Lika, djali i Rexhep Likës.
Ai ka thënë se kur ishte i ri, babai e kishte porositur se “Kush është i mirë me Zotin, është i mirë me njerëzit. E kush nuk është i mirë me njerëzit, nuk është i mirë as me Zotin”.
“Ky është njëri prej parimeve që ishin moto në jetën e babait tim. Kjo e bëri që ai të jetë i butë dhe i ëmbël me të gjithë njerëzit, duke mos bërë dallime mes njerëzve se cilit komb apo besim i takojnë”, ka thënë Lika, sipas të cilit ky respekt për babanë e tij u dëshmua përmes ngushëllimeve dhe nga prania e njerëzve të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme në ditën e varrimit të tij.
Rexhep Lika ka lindur në fshatin Brajshë të komunës së Ulqinit, në vitin 1940. Shkollën fillore e ka kryer në Katërkollë në vitin 1956, kurse të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, në vitin 1960. Në vitin 1963 u emërua imam i xhamisë Husein Pasha në Plevlë, ndërkaq në vitin 1967 imam në Xhaminë e Qazim Begut në Tuz, ku shërbeu deri në vitin 1987, kur do të transferohet në Xhaminë e Bregut në Ulqin. Në vitin 1998 u emërua imam i Xhamisë së Mezgjahut dhe Kryeimam i Ulqinit, detyrë që do ta ushtrojë deri në daljen e tij në pension në dhjetor të vitit 2010. Ka mbuluar edhe detyrua të tjera me rëndësi në Bashkësinë Islame të Ulqinit, Bashkësinë Islame në Malin e Zi dhe Bashkësinë Islame në RSFJ. Përpos veprimtarisë së tij fetare, ai shquhet edhe për veprimtari shoqërore dhe kombëtare. Rexhep ef. Lika ka qenë njëri ndër themeluesit e Besëlidhjes së Malësisë (1970) për shuarjen e gjakmarrjes, për ç’gjë Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Rexhep Lika vdiq të dielën, më 1 shtator 2024, ndërsa u varros të nesërmen (të hënën), më 2 shtator 2024 në varrezat në Pinjesh (Ulqin).

i. k.

Të fundit

më të lexuarat