Marrëveshje për ndërtimin e urës mbi Bunë dhe hapjen e pikës së re kufitare

Podgoricë – Qeveritë e Malit të Zi dhe Shqipërisë kanë mbajtur të hënën mbledhjen e dytë të përbashkët, në godinën e re të Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve në Podgoricë.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministri i Malit të Zi Dr. Dritan Abazoviq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët dhe Marrëveshjen dypalëshe për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.
Përveç marrëveshjes për ndërtimin e urës janë nënshkruar edhe marrëveshja për hapjen e pikës kufitare të përbashkët Shënkoll – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe disa marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes dhe shëndetësisë.
Pas mbledhjes së përbashkët të qeverive dhe nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, në konferencën për shtyp kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se projekti mbi lumin Buna do të kushtojë më shtrenjtë sesa 9 milionë euro, siç ishte menduar fillimisht.
“Projekti do të kushtojë rreth 20 milionë euro. Nëse ndahet mes dy shteteve nuk është shumë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vonesat në nisjen e këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet vjen për shkak të moskoordinimit dhe mungesës së bashkëpunimit, që sipas tij, vihet re në përgjithësi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ura që pritet të ndërtohet mbi lumin Buna do të lidhë Ulqinin dhe Velipojën, dy zona të njohura turistike, dhe do të shkurtojë ndjeshëm largësinë ndërmjet këtyre dy vendeve nga 70 kilometra sa është aktualisht. Ajo do të jetë e gjatë 310 metra dhe e gjerë 17 metra, duke përfshirë trotuaret dhe shtigjet për biçikleta.
Në dokumentin e publikuar në faqen e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se Mali i Zi dhe Shqipëria pajtohen të bashkëfinancojnë ndërtimin e urës. Secila palë do të financojë 50 për qind të ndërtimit, duke përfshirë edhe koston e mbikëqyrjes bashkë me shërbimet e tjera afatgjata.
Dy kryeministrat kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se dy vendet janë më shumë se sa fqinj mes tyre dhe kanë potencial akoma më të madh për bashkëpunim.
“Kemi ndjerë ngrohtësinë e mikpritjes. Dua ta përsëris atë që thashë gjatë mbledhjes se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shmë se sa fqinj dhe mund të bëjmë shumë më tepër se ç’kemi bërë deri më sot. Takohemi në një moment shumë sfidues për Evropën dhe vendet tona, dhe në këtë kontekst vlera e kësaj ngrohtësie dhe vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe. Kemi qenë së bashku, kemi vizituar Kievin dhe Presidentin Zelensky në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar në krah të Ukrainës, të dy vendeve që janë të linjëzuara dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në të gjitha këto fronte janë themeli i një marrëdhënieje që ka një potencial të jashtëzkaonshëm për t’u thelluar dhe fuqizuar më shumë”, ka deklaruar ai.
Kjo është mbledhja e dytë e përbashkët ndërmjet qeverive të Malit të Zi dhe Shqipërisë pas asaj që është mbajtur në Shkodër, më 3 korrik 2018.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat