Marrëdhëniet midis dy vendeve, shembull i bashkëjetesës rajonale

Podgoricë – Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, ka zhvilluar një vizitë zyrtare të mërkurën më 30 tetor në Podgoricë, ku është takuar me homologun e tij malazez, ministrin e Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, duke vijuar më pas takimet me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj dhe me deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, Artan Çobi dhe Ilir Çapuni.
Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi bëhet e ditur se gjatë takimit me homologun e tij Bozhoviq, ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja
ka deklaruar se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve janë një shembull i mirë i bashkëjetesës rajonale.
“Dhe se vendet tona ofrojnë shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Me ministrin Bozhoviq u diskutua edhe mbi rrugën evropiane të dy vendeve tona dhe mbi nevojën për të shkëmbyer eksperiencën në nivel teknik për kapitullin e 23-të, për të cilin Mali i Zi pritet të mbyllë bisedimet së shpejti”, u tha nga ambasada.
Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për të mbajtur kontakte të shpeshta dhe të mbeten të angazhuar për një Ballkan më evropian për qytetarët e dy vendeve.
Ndërkaq, nga kjo ambasadë thuhet se z. Manja ka zhvilluar një takim shumë miqësor me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, i cili, siç theksojnë, u shpreh se përvoja e Shqipërisë në fushën e zhvillimit dhe digjitalizimit dhe të e-qeverisjes, është shumë e rëndësishme për Malin e Zi në rrugën e zhvillimit të tij digjital.
“Ministri Manja theksoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash dhe ofrimin e mbështetjes me ekspertë në procesin e reformës së administratës publike, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Në takimin siç shprehen, vëllazëror, që ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja zhvilloi në ambientet e ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë me deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, Artan Çobin dhe Ilir Çapunin, është diskutuar mbi rolin e rëndësishëm të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe mbi gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit më efikas me shtetin amë- Shqipërinë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat