Integrimi i shpejtë i Malit të Zi në BE, i rëndësishëm për qëndrueshmërinë në rajon

Në këtë kuadër analistët e shohin si tejet të rëndësishme integrimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe mbështetjen e lartë që ekziston në opinionin publik. Një përkushtim i tillë, sipas analistëve, do t’i zbuste fërkimet e ashpra politike dhe dukshëm do të dobësonte ndikimin rus dhe serb në Malin e Zi.

Ali Salaj

Analistët vlerësojnë se miratimi i ligjeve që janë të nevojshme për marrjen e Raportit të Plotësimit të Kritereve të Përkohshme, Malit të Zi i hap rrugë drejt integrimeve evropiane dhe shënon një moment pozitiv në rrugëtimin e tij. (INC)
Analisti Gjokë Dukaj punën e qeverisë aktuale në vitin e fundit e cilëson si të duhur drejt integrimeve evropiane.
“Nëse iu referohemi disa veprimeve të kohëve të fundit nga ardhja në pushtet të qeverisë së 44-të të kryeministrit Millojko Spajiq, mendoj se Mali i Zi ka bërë hapat e duhur drejt integrimeve evropiane”, tha zoti Dukaj.

Analistët në Malin e Zi e vlerësojnë mbështetjen e Komisionit Evropian në përmbushjen e standardeve të përkohshme dhe në përparimin e zbatimit të ligjit dhe standardeve evropiane, por shprehin edhe shqetësimin se thellimi i fërkimeve politike mes forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse dhe pro-serbe mund ta ngadalësojnë këtë proces.
Në këtë kuadër, ata e shohin si tejet të rëndësishme integrimin e Malit të Zi në BE për qëndrueshmërinë në vend dhe rajon.


Ndërkaq, analisti dhe ish-kryeredaktori i revistës së njohur malazeze “Zid”, Xhevdet Pepiq tha se Mali i Zi është vendi që më së gjati po negocion me Bashkimin Evropian.
“Jemi shteti që më së gjati po negocion me Bashkimin Evropian, përveç Turqisë. Në këtë kuadër Malit të Zi i duhet Bashkimi Evropian, por narracioni për integrimin po keqpërdoret për faktorizime politike”, tha z. Pepiq.
Megjithatë, analistët shprehin shqetësimin se në Malin e Zi, viteve të fundit, janë thelluar fërkimet politike mes forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat tentojnë të bëhen pjesë e pushtetit në vend.
Politika e paqëndrueshme, sipas analistit Pepiq është pasojë e krizës së identitetit.
“Situata politike, si edhe në vitet e mëparshme, është mjaft e paqëndrueshme. Kemi shumë akuza rreth pjesëmarrjes së mundshme të partive pro-serbe dhe pro-ruse në qeveri, kurse në qendër të debateve janë kthyer çështjet e identitetit kombëtar dhe fetar duke i lënë anash ato shtetërore”, tha zoti Pepiq.
Edhe analisti Dukaj shpreh drojën se Mali i Zi mund të ndryshojë kursin si pasojë e ndikimit të politikës ruse dhe serbe.

“Jemi shteti që më së gjati po negocion me Bashkimin Evropian, përveç Turqisë. Në këtë kuadër Malit të Zi i duhet Bashkimi Evropian, por narracioni për integrimin po keqpërdoret për faktorizime politike”, tha z. Pepiq.


“Ajo që shkakton njëfarë droje tek opinioni i këtushëm është se disa nga strukturat përbërëse të qeverisë nuk janë të përkushtuara integrimeve evropiane. Mendoj në strukturat politike që në vazhdimësi janë në përkrahje dhe në mbështetje të politikës pro-serbe dhe pro-ruse”, tha analisti Dukaj.
Në këtë kuadër analistët e shohin si tejet të rëndësishme integrimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe mbështetjen e lartë që ekziston në opinionin publik.
Një përkushtim i tillë, sipas analistëve, do ti zbuste fërkimet e ashpra politike dhe dukshëm do ta dobësonte ndikimin rus dhe serb në Malin e Zi.

Të fundit

më të lexuarat