Me hartimin e projektligjit mbi legalizimin e objekteve ilegale, të cilin e ka vënë në debat publik Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, është definuar se qytetarët të cilët kanë ndërtuar objekte ilegale, do të duhet që në afatin gjashtëmujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të fillojnë procesin e regjistrimit në evidencën kadastrale. Në të kundërt, do të sillet vendimi për shembjen e tyre, kështu theksohet në projektligjin e hartuar nga ky dikaster qeveritar.
Pagesa për legalizim për objektet bazë të banimit do të mundësohet në këste mujore në periudhën prej tridhjetë vitesh (360 këste), ndërsa për të gjitha objektet tjera, legalizimi do të mund të paguhet në periudhën pesëmbëdhjetë vjeçare (180 këste).
Sipas projekligjit të ri mbi legalizime, qytetarët të cilët kanë të ndërtuar objekt ilegal, do të paguajnë tarifë për sanim urban të objektit të cilin e përcakton komuna në territorin e të cilës ndodhet objekti.
“Shuma e kësaj tarife përcaktohet në varësi të zonës, shkallës se pajisjes së truallit ndërtimor, të shpenzimeve mesatare të pajisjeve të truallit ndërtimor, të shpenzimeve të masës së sanimit urban të hapësirës së devastuar nga ndërtimi ilegal, të mënyrës së pagesës së shumës së përcaktuar të tarifës, dhe nga lloji dhe qëllimi i objektit”, theksohet ndër të tjera në këtë projektligj.
Sipas këtij projektligji, debati publik lidhur me këtë çështje do të zgjasë dyzetë ditë, filluar nga 27 qershori 2023.
Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, nga periudha e kaluar numri i objekteve informale është rreth 60 mijë.
“Deri më tani janë marrë rreth 2.722 vendime për legalizim, ndërsa janë paguar afro pesë milionë euro të ardhura nga tarifat për sanim urban. Nga kjo e dhënë e lartpërmendur, del se në nivel të Malit të Zi nga procesi i legalizimeve do të grumbullohen të ardhurat nga së paku 150 milionë euro, nëse llogarisim që numri i objekteve ilegale është 60 mijë”, theksohet në dokumente të cilat janë në debatin publik.
t. u.